
Salla dhe Vengu në Maliq: Ndërhyrje urgjente në terren, vlerësimi i dëmeve menjëherë pas stabilizimit
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, Prefektin e Qarkut të Korçës, Nertil Jole dhe ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbërritën sot në Maliq për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit dhe për të inspektuar dëmtimet në disa argjinatura të zonës.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, Prefektin e Qarkut të Korçës, Nertil Jole dhe ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbërritën sot në Maliq për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit dhe për të inspektuar dëmtimet në disa argjinatura të zonës.
Gjatë verifikimeve në terren, ministri Salla bëri të ditur se ekipet teknike të bordit të kullimit, në bashkëpunim me bashkinë dhe strukturat vendore, po punojnë pa ndërprerje për riparimin e tyre.
Në zonat e Sheqerasit dhe Drithasit vijon përforcimi i argjinaturës, ndërkohë që ekipet e emergjencave civile, Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit dhe efektivët e Forcave të Armatosura nga Reparti i Drenovës janë të pranishëm në terren dhe në gatishmëri të plotë pranë banorëve.
“Kemi bërë devijimin e ujërave drejt shtratit të lumit, duke shmangur rrezikun e përmbytjes së tokave bujqësore. Rruga në të cilën po ndërhyjmë po përforcohet për të garantuar transport të sigurt të materialeve drejt pikës së çarjes, me qëllim që ndërhyrjet të përfundojnë brenda mbrëmjes së sotme ose nesër në mëngjes”, tha ministri Salla gjatë inspektimit.
Ai bëri të ditur se situata po monitorohet paralelisht edhe në qarqe të tjera të vendit ku janë shfaqur problematika të ngjashme.
“Në Sarandë, Fier dhe Lezhë ndërhyrjet janë drejt përfundimit. Prioritet mbetet stabilizimi i situatës dhe mbrojtja e komuniteteve”, deklaroi ministri.
Pas përfundimit të ndërhyrjeve emergjente në të gjithë territorin, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të nisë procesin e plotë të evidentimit të dëmeve. Vlerësimet do të fokusohen veçanërisht te dëmet në sektorin bujqësor, përfshirë fermerët, blegtorët dhe subjektet e prekura.
“Jemi në fazën e mbylljes së problematikave më urgjente. Më pas do të vijojmë me evidentimin e çdo dëmi, duke garantuar që asnjë fermer të mos mbetet pa mbështetjen e nevojshme”, u shpreh ministri Salla.
Burimi ATSH


















