
93% më shumë të ardhura nga sitet e trashëgimisë kulturore, 21 site të reja arkeologjike
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bëri publike një sërë të dhënash duke krahasuar 9-mujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bëri publike një sërë të dhënash duke krahasuar 9-mujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026.
Shifrat paraqesin një panoramë të zgjerimit të veprimtarisë së IKTK-së në disa drejtime kryesore: rritjen e të ardhurave, shtimin e investimeve, intensifikimin e projekteve të konservimit dhe kërkimit, si dhe forcimin e monitorimit arkeologjik dhe të kuadrit rregullator.
Një nga treguesit më të rëndësishëm është rritja me 93% e të ardhurave ndaj vitit 2025. Paralelisht, investimet në pasurinë kulturore shënojnë një rritje prej 400%. Një tjetër fushë ku vihet re progres i rëndësishëm është ajo e projekteve të konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik. Sipas të dhënave, numri i projekteve është rritur me 282% krahasuar me vitin 2024, ndërsa rritja e raportuar ndaj vitit 2025 është 133%. Këto shifra pasqyrojnë një intensifikim të ndërhyrjeve në monumente dhe site arkeologjike, duke përfshirë konservimin, restaurimin, sondazhet, gërmimet dhe vëzhgimet arkeologjike.
Si rrjedhojë, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në 9 muaj të 2026-ës, me shtrirje territoriale në Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Fier, Korçë, Ersekë, Pogradec, Divjakë, Sarandë etj. Në të njëjtën kohë, të dhënat tregojnë një rritje të konsiderueshme të monitorimeve arkeologjike, me 279% ndaj vitit 2025. Në mbështetje të këtij procesi, është bërë dhe zgjerimi i kuadrit rregullator. Numri i akteve nënligjore të miratuara arrin në 8 në vitin 2026, ndërkohë që IKTK evidenton edhe akt-marrëveshjet për monitorimin arkeologjik të cilat janë rritur me 32% ndaj vitit 2025, ndërsa krahasimi me vitin 2024 tregon një rritje prej 164%.
Burimi ATSH


















