Vlerat e nxitjes së shkëmbimeve kulturore Shqipëri-Kinë

Shkëmbimet kulturore, njerëzore dhe arsimore midis Shqipërisë dhe Kinës luajnë një rol të rëndësishëm për konsolidimin e miqësisë dhe shtimin e besimit të ndërsjellë e të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella. Historia e tyre nisi në vitet 60-70-të të shekullit të kaluar për të rinisur pas viteve 90-të pas një ndërprerjeje, duke shënuar arritje të reja në shkëmbimet në botime, media dhe në arsim.


Shkëmbimet kulturore, njerëzore dhe arsimore midis Shqipërisë dhe Kinës luajnë një rol të rëndësishëm për konsolidimin e miqësisë dhe shtimin e besimit të ndërsjellë e të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella. Historia e tyre nisi në vitet 60-70-të të shekullit të kaluar për të rinisur pas viteve 90-të pas një ndërprerjeje, duke shënuar arritje të reja në shkëmbimet në botime, media dhe në arsim.

Politika e lëvizjes së lirë që po zbatohet mes dy vendeve vitet e fundit ka kontribuar për komunikimin kulturor, akademik, tregtar dhe shkëmbimet mes dy vendeve. Shqiptarët mund të prekin nga afër ushqimin kinez, mjekësinë tradicionale kineze, por dhe muzikën e filmat kinezë, falë veprimtarive kulturore dhe artistike. Ata po rizbulojnë kulturën kineze,  duke kryer studimet e larta në universitetet kineze, si dhe të shumtë janë të rinjtë nga Shqipëria që marrin pjesë në programet kineze të shkëmbimeve ndërkombëtare duke rritur kështu marrëdhëniet kulturore, si dhe duke shtuar vizibilitetin e Shqipërisë në studimet ndërkombëtare të sinologjisë.


Hapja në vitin 2013 e Institutit Konfuci pranë Universitetit të Tiranës ka kontribuuar në promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze në Shqipëri.

Në vitin 2017 u shënua një zhvillim i rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare në Kinë me hapjen pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit  të Qendrës së parë kërkimore shkencore mbi Shqipërinë në Azi. Një kontribut të veçantë për këtë ka dhënë profesorja e mirënjohur kineze Ke Jing, drejtuese e Qendrës. Për këtë kontribut në vitin 2018 asaj iu akordua  nga Kryeministri Edi Rama “Medalja e Mirënjohjes së Kryeministrit”.

Në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve dhe për njohjen e letërsisë kineze, veçanërisht, në Shqipëri një rol thelbësor ka luajtur marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar në vitin 2015 në Tiranë, për të mundësuar ardhjen në gjuhën shqipe të autorëve të ndryshëm të këtij vendi dhe po ashtu shumë autorë dhe tituj nga letërsia shqipe në gjuhën kineze. Marrëveshja parashikonte që brenda 5 vjetëve të përkthehen dhe të botohen jo më pak se 50 tituj (25 për secilën gjuhë) nga autorë të njohur dhe vepra të shquara të letërsisë së dy vendeve. Marrëveshja mbështetet nga Administrata Shtetërore te Botimeve, e Radio, Film, Televizionit të Kinës dhe Shtëpia Botuese kineze “Gjuhët e Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim” si dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Shtëpia botuese “Onufri”, u nderua me çmimin “Special Book Award of China” – çmimi më i lartë që Qeveria e Republikës Popullore të Kinës akordon për autorët, përkthyesit dhe botuesit e huaj, të cilët kanë shënuar arritje të dukshme në prezantimin dhe përkthimin e librit kinez, si edhe në nxitjen e shkëmbimeve kulturore.

Katedra e Gjuhës Shqipe në Pekin, e krijuar që në vitin 1961, është e vetmja në Kinë dhe Azi dhe luan një rol të rëndësishëm në shkëmbimet arsimore midis dy vendeve dhe në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Albanologët kinezë  Profesori Zheng Enbo, studiues, publicist e përkthyes dhe gazetari, publicisti, përkthyesi e shkrimtari Wang Hongzhi janë nderuar në vitin 2019 nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Naim Frashëri” për kontributin e tyre në komunikimin e vlerave të të dy popujve.

Në tetor të vitit 2019 në Tiranë u hap ekspozita “Autorë shqiptarë për Kinën – Autorë Kinezë për Shqipërinë” me botime të rralla nga arkiva e Bibliotekës Kombëtare, që pasqyrojnë rrugëtimin e gjatë të marrëdhënieve dy-palëshe Shqipëri – Kinë.

Tashmë prej 4 vitesh Ministria shqiptare e Kulturës dhe Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës sjellin në veprimtarinë “Java e Kulturës Kineze”, këngëtarë, valltarë, piktorë, por dhe filma, kulinari e punime artizanale nga Kina, të cilat janë mirëpritur nga qytetarët shqiptarë.

Një panel të ftuarish, përfaqësues të kulturës, artit, arsimit Iljaz Spahiu, sinolog, Kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, përkthyes, Rexhep Hida-president i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, Sokol Marsi-drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe në lidhje video Glendi Xhani, pedagog i gjuhës kineze në Institutin “Konfuci” pranë UT trajton këto shkëmbime për Grupin Mediatik të Kinës (CMG).

CMG: Ka një histori të gjatë shkëmbimesh kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës. Ato bazohen në miqësinë tradicionale mes dy vendeve dhe janë zhvilluar në realitete të reja. Përgjatë viteve janë nënshkruar marrëveshje e memorandume për shkëmbime në fushën e botimeve, mediave. Ju z. Spahiu jeni sinolog i njohur dhe lidhja juaj me Kinën është gati 50 vjeçare. Si i vlerësoni shkëmbimet kulturore të deritanishme?

Iljaz Spahiu: Shkëmbimet kulturore dhe njerëzore kanë qenë baza dhe motivi që vazhdojnë të ekzistojnë marrëdhëniet e mira miqësore mes dy popujve tanë. Kjo ka ndodhur falë shkëmbimeve kulturore. Mund të jap një shembull të thjeshtë për ta ilustruar. Kam lexuar një libër të fundit të shkrimtarit nobelist kinez Mo Yan, që titullohet “I pjekur me vonesë” dhe ka një tregim ku përmenden filmat shqiptarë. Me këtë dua të them që filmat shqiptarë vazhdojnë të kenë ndikim në Kinë dhe unë vazhdimisht shoh në mediat e tyre sociale pjesë nga filmat shqiptarë. Falë këtyre shkëmbimeve kulturore është krijuar baza e një tradite të shkëlqyer të marrëdhënieve tona dhe më vjen mirë që kanë filluar të intensifikohen, jo vetëm në fushën e botimeve, por dhe në fusha të tjera. Së fundi pamë Javën Kulturore Kineze, shkëmbime të grupeve artistike dhe kjo është një gjë shumë e mirë, që ndikon në njohjen reciproke të dy popujve tanë.

CMG: Në këto shkëmbime mund të përmendim dhe njohjen mes shkrimtarit kinez Yu Hua dhe shkrimtarit tonë Ismail Kadare, vlerësimet e tij për veprën e Kadaresë. Nga ana tjetër Lea Ypi, një shkrimtare dhe filozofe nga Shqipëria ka promovuar librin e saj “Të lirë” të përkthyer në kinezisht në Pekin, e ka vizituar këtë vend disa herë. Në një intervistë që kjo autore ka dhënë për Grupin Mediatik të Kinës është shprehur se ndjehet mirë në Kinë kur shkon për konferenca apo dhënie leksionesh, pasi Shqipëria njihet.

CMG: Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve dhe për njohjen e letërsisë kineze, veçanërisht, në Shqipëri, kanë luajtur botimet. Në vitin 2015 u nënshkrua në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore të Kinës, për të mundësuar ardhjen në gjuhën shqipe të autorëve të ndryshëm të këtij vendi dhe po ashtu shumë autorë dhe tituj nga letërsia shqipe në gjuhën kineze. Shtëpia botuese “Fan Noli” ka në portofolin e saj autorë kinezë me famë botërore si Mo Yan, Lu Sun, Konfuci, por dhe botimin në shqip të serisë së veprave të presidentin të Kinës Xi Jinping “Qeverisja e Kinës”. Si ka lindur ky bashkëpunim dhe sa interes ka lexuesi shqiptar për veprat e autorëve nga Kina?

Rexhep Hida: Shtëpia botuese “Fan Noli” si e para shtëpi botuese private në Shqipëri e themeluar në maj të vitit 1991 ka botuar një sërë autorësh të rëndësishëm të filozofisë botërore si Proust, Kafka, Jung, Freud e të tjerë, por portofoli ynë i botimeve do të ishte i paplotë pa përfshirë dhe autorët kinezë. Rasti u krijua që në Panairin e librit në Frankfurt të cilin e vizitoj çdo vit, mora kontakt me një përfaqësues të stendës kineze dhe biseduam për botimet e autorëve kinezë në gjuhën shqipe. Kjo ka ndodhur para marrëveshjes së botimeve të vitit 2015. Pas kësaj vijoi vizita ime në Panairin e Librit në Pekin ku bëmë një sërë marrëveshjesh për botime dhe nisëm me katër autorë kinezë. Ndërkohë gjatë kontakteve me Shtëpinë Botuese të Gjuhëve të Huaja në Pekin biseduam për mundësinë e sjelljes në gjuhën shqipe të veprave të presidentit të Kinës Xi Jinping. E prita me shumë kënaqësi këtë bashkëpunim për botimin e veprave të një personaliteti kaq të lartë siç është presidenti Xi dhe ky ishte një vlerësim dhe një nder i madh për shtëpinë botuese dhe mua personalisht. Në promovimin e veprës së parë në shqip në Tiranë u zhvillua një ceremoni madhështore me pjesëmarrjen e 1 mijë vetëve dhe kjo ndodhi për shkak të traditës së miqësisë mes dy popujve. Tashmë po përgatitet për botim vëllimi i tretë i veprave të presidentit kinez dhe sjellja në shqip e botimeve të autorëve kinezë në përgjithësi ka bërë që lexuesi shqiptar të njihet me letërsinë, filozofinë dhe politikën kineze.

Shpresoj që kjo panoramë dhe katalogu i botimeve të autorëve kinezë në shqip të zgjerohet.

CMG: Shqiptarët po e rizbulojnë kulturën kineze. Për të katërtin vit radhazi Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sporteve në bashkëpunim me Ambasadën e Kinës në Shqipëri dhe institucione të tjera organizojnë “Javën e Kulturës Kineze”. Ka mjaft interes për të ndjekur koncertet e artistëve kinezë, performancat e tyre bashkë me artistët shqiptarë. Ka një traditë në shkëmbimet e ansambleve artistike, duke nisur që nga korifenjtë e Ansamblit tonë të Këngëve dhe Valleve që në vitet 60-të kanë performuar në Kinë, apo artistëve kinezë që kanë ardhur në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë balerinin Besim Zekthi, balerinën Zoica Haxho koreografët Luan Shtino, Panajot Kanaçi e plot të tjerë. Drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Sokol Marsi mund të na tregojë për këtë bashkëpunim. A ka potenciale për shkëmbime më të shpeshta mes artistëve, përmes koncerteve, master class?

Sokol Marsi: Jetojmë në realitete të ndryshme, por gjuha është e njejtë sepse arti dhe muzika kanë një gjuhë universale. Sidomos muzika kineze me muzikën shqiptare kanë një përafërsi, ndonëse gjeografikisht janë larg. Muzika shqiptare dhe ajo kineze ka disa specifika të përbashkëta në aspektin profesional. Sa i përket bashkëpunimit tonë është viti i tretë që zhvillohet aktiviteti Java Kulturore me shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kinën. Kam patur kontakte të shumta me ambasadën kineze si dhe me artistët që kanë ardhur nga Kina me të cilët kemi zhvilluar disa workshop-e para koncertit. Gjatë fazës përgatitore të koncertit dhe workshop-eve artistët kinezë njihen me vallet shqiptare, që demonstrohen dhe ne kishim zgjedhur valle nga tre zonat kryesore të vendit nga Shqipëria e Mesme, e Jugut dhe e Veriut. Nga ana e tyre edhe artistët kinezë demonstruan kërcimet e tyre për ne.

Ndryshimi midis nesh dhe folklorit kinez është se ky i fundit është i bazuar më shumë në kërcimin klasik  sa i përket koreografisë kurse ne si shqiptarë kemi një folklor bio shumë të veçantë, krahasuar me të gjitha vendet e tjera. Bashkëpunimet tona me artistët kinezë kanë qenë të shkëlqyera dhe mund të them se kemi zhvilluar javët kulturore me shumë shtete të botës por me Kinën ka një të veçantë se kinezët janë shumë të dashur. Kjo është një përshtypje e imja personale nga të gjitha komunikimet dhe takimet që kemi patur në ambasadë dhe me artistët kinezë. Janë njerëz të dashur, të respektueshëm, të komunikueshëm dhe mbi të gjitha vlerësues.

Pas çdo aktiviteti që kemi bërë, duke përfshirë dhe këtë të fundit na kanë falënderuar sepse gjithmonë kanë mbetur të kënaqur nga bashkëpunimi me ne. Unë kam shprehur dëshirën që Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore të shkojë në Kinë për shfaqje, sepse pas viteve 90-të nuk është kthyer për shfaqje, ndërkohë që në vitet 70-të ka qenë dy ose tre herë për koncerte. Kam dëshirë dhe do të komunikojmë dhe me ambasadat përkatëse që Ansambli ynë të shkojë në Kinë dhe të çojmë folklorin tonë atje sepse jam i sigurtë që do të na mirëpresin.

CMG: Ju Iljaz përveç se sinolog dhe përkthyes i gjuhës kineze jeni marrë aktivisht me shkëmbimet kulturore dhe si kryetar i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë AlbChina. Mendoni se ekziston mundësia e një shkëmbimi të tillë, koncerteve të Ansamblit tonë të Këngëve dhe Valleve Popullore në Kinë, sepse në këtë vend zhvillohen festivale të shumta muzikore?

Iljaz Spahiu: Në fakt unë habitem që nuk është realizuar një gjë e tillë deri tani. Ndoshta ka qenë mungesë impenjimi nga të dy palët, sepse në Kinë kam  parë artistë të dalë në pension që në parqe kërcejnë, madje dhe me melodinë e valleve të Ansamblit tonë të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ndër to kënga “Luleborë”, por dhe këngë të tjera që i kam parë vetë. Ata e njohin muzikën shqiptare dhe me siguri dhe Ansamblin. Besoj se me një impenjim dypalësh mund të realizohet një koncert i Ansamblit tonë në Kinë. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe duhet parë dhe ana komerciale, duhet gjetur mbështjetje për këtë.

CMG: Pas hapjes në vitin 2013 në Universitetin e Tiranës të Institutit Konfuci mundësia e njohjes së gjuhës dhe kulturës kineze në Shqipëri është konkretizuar. Të rinj të shumtë shqiptarë ndjekin kurset e gjuhës kineze në nivele të ndryshme, certifikohen dhe një pjesë e tyre vijojnë studimet në universitetet e Kinës. Ky institut ka kontribuuar përmes kurseve verore, klubeve të librit në promovimin e kulturës, filozofisë dhe letërsisë kineze në Shqipëri.

Në lidhje video flasim për këto shkëmbime me pedagogun e këtij Instituti Glendi Xhani

CMG: Instituti Konfuci me veprimtarinë e tij sa ka ndikuar në shkëmbimet kulturore dhe arsimore midis Shqipërisë dhe Kinës?

Glendi Xhani: Mendoj se kemi ndikuar sidomos tani që sapo është mbyllur Java e Kulturës Kineze ku në bashkëpunim me ambasadën kemi organizuar disa evente si konkursi “Ura kineze”, ku studentët tanë garojnë për çmim dhe në këtë mënyrë mund të shkojnë në Kinë për të provuar aftësitë e tyre në gjuhën kineze. Çdo vit organizojmë Kampin Veror ku një grup deri në 30 studentë kanë mundësinë të shkojnë në Kinë për një periudhë 2 javore

CMG: Sa të interesuar janë të rinjtë shqiptarë për të mësuar gjuhën kineze?

Glendi Xhani: Numri aktual i studentëve, edhe pse në të gjithë Shqipërinë nëpër fakultete ky numër nuk është aty ku duhet, përfshirë dhe Institutin Konfuci në Tiranë, por studentët janë të etur për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze. Instituti ka nisur aktivitetin që në vitin 2013 dhe deri tani  janë rregjistruar rreth 6 mijë studentë, ndërsa vetëm semestrin e fundit kishim rreth 150 studentë të rinj që janë regjistruar për të ndjekur leksionet e gjuhës kineze në vitin akademik 2025-2026

CMG: Ke studiuar dhe jetuar në Kinë dhe tashmë si pedagog në Institutin Konfuci jep kontributin tënd në përhapjen e gjuhës dhe kulturës kineze. Si i vlerëson shkëmbimet  kulturore dhe arsimore të deritanishme shqiptaro-kineze? Heqja e vizave mes dy vendeve dhe shtimi i vizitave të turistëve kinezë në Shqipëri mendoni se do të ndikojë në shtimin e këtyre shkëmbimeve?

Glendi Xhani: Patjetër. Heqja e vizave ka ndikuar dhe vitet e fundit turistët kinezë në Shqipëri janë shtuar. Megjithatë mendoj se ka nevojë më shumë për bashkëpunim midis dy shteteve jo vetëm në fushën e arsimit, sepse Kina ka avancuar shumë në teknologji, mjekësi dhe inovacion. Në këtë mënyrë duke rritur bashkëpunimin u jepet më shumë mundësi studentëve tanë që të kenë mundësi të njohin dhe përvetësojnë teknologjinë dhe inovacionin e Kinës, për ta sjellë më pas këtë përvojë në vendin tonë.

CMG: Mendon se të rinjtë shqiptarë kanë informacionin e duhur për të studiuar, kryer studimet master apo edhe punësuar në Kinë?

Glendi Xhani: Informacioni është por ka nevojë për më shumë reklamim, sepse studentët mund ta shohin si të vështirë vazhdimin e studimeve të tyre në Kinë. Instituti Konfuci për këtë është që të hapë dyert studentëve që dëshirojnë më pas të punojnë dhe jetojnë në Kinë.

CMG: Jemi në prag të Panairit të Librit në nëntor. Ju Iljaz keni ndonjë libër të ri të përkthyer nga kinezishtja në këtë edicion?

Iljaz Spahiu: Po kam. Në këto panairet e fundit kam patur libra dhe sivjet është një kolonë e librave “Konceptet bazë të mendimit dhe kulturës kineze”. Janë botuar deri tani 5 libra dhe në këtë panair do të prezantohet libri i 6-të dhe i 7-të. Gjithashtu është një roman i  një autori tjetër kinez. Do të doja të ndalesha te programi i përkthimit të librave. Ky program që u nënshkrua në vitin 2015 ka mbushur boshllëkun që ekzistonte në shkëmbimet në fushën e librit. Pavarësisht se kemi patur marrëdhënie shumë të mira tradicionale me Kinën dhe shkëmbime intensive kulturore, në fushën e librit ka patur një vakuum. Ka patur disa botime në vitet 60-të por jo të përkthyera nga origjinali. Ky program përveç se kishte tituj që do të përktheheshin në Shqipëri dhe Kinë, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për nxitjen e bashkëpunimit mes shtëpive të tjera botuese.

Ky program e bëri të njohur tregun e librit në Shqipëri dhe përveç Shtëpisë botuese Fan Noli ka tashmë disa  shtëpi të tjera botuese që kanë patur kontakte me homologët në Kinë.

Ky ka qenë ndër programet më të plotë dhe më të suksesshëm që ekziston prej tashmë 10 vjetësh dhe në panairet e librit në Tiranë libri kinez është i pranishëm në çdo edicion. Programi i përkthimit dhe botimit reciprok të librave në Shqipëri dhe Kinë ka dhënë një kontribut të madh në shkëmbimet kulturore dypalëshe. Falë këtij programi disa autorë shqiptarë janë botuar në Kinë, përveç Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit janë botuar dhe autorë si Ben Blushi, Diana Çuli, Lea Ypi. Këto libra i kam dhe në gjuhën kineze dhe janë pritur shumë mirë. Vjet vizitova Kinën dhe pata rastin të marr këto dy libra të përkthyer në kinezisht.

Shpresojmë që ky program bashkëpunimi të vazhdojë më tej, por dhe nëse nuk vazhdon bashkëpunimi midis shtëpive botuese shqiptare dhe kineze tashmë është konsoliduar dhe do të vazhdojë.

CMG: Shtëpia Botuese “Fan Noli” si do të paraqitet në edicionin e sivjetëm të Panairit të Librit në Tiranë?

Rexhep Hida: Shtëpia Botuese “Fan Noli” në çdo panair paraqitet me libra të rinj. Nga autorët kinezë sivjet kemi 4 tituj të rinj. Ndërkohë marrëdhëniet midis Shtëpisë Botuese “Fan Noli” dhe shtëpive botuese kineze kanë kaluar në një etapë të re. Kemi arritur një marrëveshje për botimin në Kinë të autorëve shqiptarë që shkruajnë vepra shkencore si në fushën e kimisë, fizikës, matematikës, po kështu dhe autorë kinezë në shqip. Kjo marrëveshje do të nisë me dy botime në fushën e biologjisë të cilat do të përkthehen së shpejti në kinezisht. Marrëveshja është shumë e gjerë dhe shpresoj të kemi dhe kontributin e z. Iljaz Spahiu për përkthimin e librave. Shpresoj se ky bashkëpunim do të thellohet dhe rrjedhimisht të ndikojë në shtimin e shkëmbimeve mes dy vendeve tona.

CMG: A ka potenciale të pashfrytëzuara në drejtim të njohjes reciproke të kulturës, artit dhe arsimit midis Shqipërisë dhe Kinës?

Iljaz Spahiu: Në marrëdhëniet tona falë miqësisë tradicionale  dypalëshe sigurisht që kultura do të luajë një rol kyç në çuarjen e tyre përpara. Këto marrëdhënie kulturore ndikojnë dhe në lidershipet e të dy vendeve, të cilët e njohin këtë traditë të marrëdhënieve. Përveç botimeve shoh potenciale dhe në shkëmbimet në fushën artistike të grupeve të ndryshme, ndaj shpresoj që Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore të realizojë një koncert në Kinë. Si potencial shoh dhe turizmin që veçanërisht vitet e fundit është shtuar mes dy vendeve.

CMG: Shohim çdo ditë në Tiranë grupe turistësh edhe nga Kina

Iljaz Spahiu: Tani janë dhe mjetet e reja të komunikimit si rrjetet sociale, ku shqiptarë që vizitojnë Kinën paraqesin foto dhe video, sepse di raste të të njohurve të mi që kanë mbetur të mrekulluar nga zhvillimi i Kinës jo vetëm ekonomik, por dhe teknologjik.

CMG: Falë teknologjisë, Kina nuk është e panjohur për ne. Të rinjtë që janë të pasionuar pas makinave marrin informacion në kohë reale për makinat elektrike në Kinë.

Iljaz Spahiu: Distanca është shkurtuar shumë.

CMG: Në fushën artistike shkëmbimet mund të zgjerohen dhe me Teatrin e Operas dhe Baletit, sepse në këto fusha Kina ka zhvillim të madh

Sokol Marsi: Kina ka  arritje të mëdha në fushën e baletit ku paraqitet në një shkallë shumë të lartë, por folklori është ADN-ja e një populli. Pasaporta identitare e jona sa i përket muzikës, valles dhe Këngës është Ansambli ynë Kombëtar, po ashtu dhe ansamblet kineze. Unë shpresoj që bashkë me zotërinjtë e këtij paneli të bashkëpunojmë për të gjetur rrugët dhe mënyrat se si mund të realizojmë një pjesëmarrje të ansamblit tonë në Kinë. Jam i sigurt që do të jetë një ngjarje me rëndësi ashtu siç ka qenë më parë vajtja e ansamblit tonë.

CMG: Pavarësisht kalimit të viteve besoj që për publikun kinez nuk do të jetë surprizë një ansambël nga Shqipëria, bazuar në kujtesën e publikut

Sokol Marsi: Ansambli ynë është një trupë profesioniste  e ruajtjes së identitetit. Jam i sigurte që vallja jonë e mirënjohur “Festa e Madhe” e Panajot Kanaçit dhe Tish Daisë do të rivihet në skenën kineze, publiku do ta kujtojë, po kështu dhe këngë të ndryshme të njohura shqiptare

CMG: Këtë mund ta aktualizoj me ardhjen e turistëve kinezë për të festuar Vitin e Ri Kinez në Shqipëri, në fund të janarit apo fillim të shkurtit, prej disa vitesh tashmë.  Ne kemi realizuar dy reportazhe për këto veprimtari njëra në Kalanë e Krujës ku turistët kinezë festonin, kërcenin dhe këndonin bashkë me ansamblin “Pleqtë e Krujës”, si dhe në Tiranë. Z. Hida ju shikoni potenciale të tjera bashkëpunimi me homologët kinezë në fushën e kulturës?

Rexhep Hida: Jam i sigurte se një koncert i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Kinë do të ndikonte në shtimin e  shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve më tej. Mendoj se bashkëpunimi mes ambasadës kineze në Shqipëri me ambasadën tonë në Pekin e cila është shumë aktive e drejtuar nga ambasadori Riza Poda do të ndikonte në këtë drejtim.  Ambasadori Poda mori pjesë dhe  në Panairin e Librit në Pekin ku ne ishim të pranishëm dhe na mbështeti për marrëveshjen që nënshkruam me palën kineze. Mendoj se potenciale të shumta shkëmbimesh ka dhe në turizëm e në tregti dhe gjykoj se duhen lehtësuar taksat në kufi, duhen hequr disa barriera për të ndihmuar të dyja palët.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

APEC 2025: Marrëdhënia Kina-ShBA si çelësi i stabilitetit dhe prosperitetit global

Takimi i 32-të Ekonomik i Liderëve të APEC-ut u zhvillua në Republikën e Koresë nga 31 tetori deri më 1…

Global 360

Siria njeh Kosovën

Siria është shteti numër 120 që njeh pavarësinë e Kosovës

Diplovista

Rama për “The Politico Berlin Playbook”: ‘AI’ për pastrim të legjislacionit nga mbivendosjet dhe në prokurimet publike

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një interviste për podcast-in “The Politico Berlin Playbook”, pjesë e revistës “Politico” në Gjermani,…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Fatos Nano i mundi të gjithë pa e kuptuar, siç mediat nuk e kuptuan edhe pse falë tij lulëzuan!

Racional, me sens humori, si një lider i vërtetë Fatos Nano i demokratizoi të gjithë, në fund edhe kundërshtarët e…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

APEC 2025: Marrëdhënia Kina-ShBA si çelësi i stabilitetit dhe prosperitetit global

Takimi i 32-të Ekonomik i Liderëve të APEC-ut u zhvillua në Republikën e Koresë nga 31 tetori deri më 1…