Roli i grave në modernizimin e Kinës

Në Kinë, barazia e burrave dhe grave është përcaktuar në Kushtetutë që nga viti 1954.


Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

“Gratë mbajnë gjysmën e qiellit!” – Kjo është ndoshta fraza kineze më e famshme dhe fuqizuese për gratë. Ajo e ka zanafillën në mesin e shekullit të 20-të dhe u bë një slogan për barazinë gjinore, duke theksuar se gratë janë po aq të afta dhe thelbësore sa burrat në ndërtimin e shoqërisë, ekonomisë dhe botës. Barazia gjinore është një e drejtë thelbësore njerëzore. Gratë duhet të jetojnë me dinjitet dhe të lira nga skamja dhe frika. Është gjithashtu një parakusht për avancimin e një shoqërie.

Në Kinë, barazia e burrave dhe grave është përcaktuar në Kushtetutë që nga viti 1954. Sot, zhvillimi nuk mund të konceptohet pa gratë, dhe frytet e tij duhet të ndahen nga të gjithë. Në këtë frymë, Kina ka integruar avancimin e barazisë gjinore në procesin e saj më të gjerë të ripërtëritjes kombëtare. Kauza e grave është një pjesë integrale e qeverisjes shtetërore.

Konferenca e Pekinit

Ky vit shënon 30-vjetorin e Konferencës së Katërt Botërore për Gratë, e cila u mbajt në Pekin në vitin 1995, dhe shënoi një pikë kthese të rëndësishme për agjendën globale për barazinë gjinore. Atëherë, kryeqyteti kinez priti një takim historik që prodhoi Deklaratën dhe Platformën për Veprim të Pekinit, një plan historik për avancimin e barazisë gjinore në të gjithë botën. Në retrospektivë, konferenca e vitit 1995, është perceptuar si një moment përcaktues për gratë në rang global.

Më 13 dhe 14 tetor, përsëri në Pekin, Takimi i Liderëve Globalë për Gratë do të bashkojë palët e interesuara për të ripërtërirë frymën e Konferencës së vitit 1995, për të përshpejtuar zbatimin e deklaratës dhe platformës për veprim, për të promovuar barazinë gjinore.


Presidenti kinez Xi Jinping në Takimin e Liderëve Globalë të OKB-së për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në vitin 2015/Xinhua


Presidenti kinez Xi Jinping në Takimin e Liderëve Globalë të OKB-së për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në vitin 2015/Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping, i cili do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së takimit dhe do të mbajë një fjalim kryesor, prej kohësh ka mbështetur kauzën e grave në nivel global. Në Takimin e Liderëve Globalë të OKB-së për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në vitin 2015, ai përshkroi katër parime udhëzuese: sinkronizimin e kauzës me progresin shoqëror dhe ekonomik, mbrojtjen e të drejtave, nxitjen e shoqërive gjithëpërfshirëse dhe krijimin e kushteve të favorshme ndërkombëtare.

Viti 2025 i gjen gratë kineze shumë më komode në rolet e tyre. Vendi ka gra të panumërta të kualifikuara me kredenciale të forta, dhe brezi i ri është veçanërisht premtues – i mbushur me udhëheqëse të afta, të vendosura dhe vizionare që thjesht kanë nevojë për mundësinë për të provuar veten.

Kina, si vendi i dytë më i madh në botë, i kushton një fokus të veçantë kërkesës për emancipimin e grave. Në veçanti, qeveria kineze e kuptoi shpejt se sa e rëndësishme ishte mbështetja e barazisë gjinore në mënyrë që të sigurohej zhvillim harmonik dhe i qëndrueshëm brenda procesit të globalizimit. Përveç kësaj, në vitet 1990, qeveria pranoi se disa gra kishin mbetur në periferi të procesit të modernizimit dhe se pas reformave ekonomike situata e tyre ishte bërë e pabarabartë. Për të mbyllur këtë hendek u krijuan dhjetëra programe dhe normativa të veçanta për avancimin e kauzës së barazisë gjinore. Objektivi politik i reduktimit të pabarazive sociale dhe ekonomike, ka qenë një element i rëndësishëm për një shoqëri harmonike duke i sjellë dobi grave në veçanti gjatë dekadës së fundit. Është vazhduar me tej për të siguruar një zbatim më rigoroz të ligjeve që i mbrojnë ato dhe duke lehtësuar aksesin në shëndetësi, arsim, mbulim të sigurimeve shoqërore dhe punësim, etj. Por, qeveria qendrore nuk po ndalet vetëm këtu.


Më 13 dhe 14 tetor të vitit 2025, Takimi i Liderëve Globalë për Gratë do të organizohet në Pekin/Foto nga VCG

Kanë mbetur vetëm pesë vjet për të përmbushur objektivat e përcaktuara nga Agjenda 2030 e Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm, dhe përparimi global i grave përballet me sfida të rënda dhe mundësi të mëdha në të njëjtën kohë.

Dokumenti i vitit 2025

Zyra e Informacionit e Këshillit Shtetëror të Kinës më 10 tetor publikoi një dokument të titulluar “Arritjet e Kinës në Zhvillimin e Gjithanshëm të Grave në Epokën e Re”. Aty kuptohet qartë se sa themelor është dhe do të mbetet roli i gruas në Kinë.

Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së në vitin 2012 shënoi fillimin e një epoke të re socializmi me karakteristika kineze. Komiteti Qendror i PKK-së, me Xi Jinping në qendër të tij, ka theksuar mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të grave dhe promovimin e barazisë gjinore si komponentë integralë të modernizimit kinez. Mbajtja e barazisë gjinore, ndër politikat e tjera themelore kombëtare, është përfshirë në programin politik të PKK-së, dhe promovimi i gjithanshëm i grave është përfshirë në planin kombëtar të zhvillimit. Për politikëbërjen gratë janë një forcë e fuqishme që nxit progresin njerëzor, ndërsa në të njëjtën kohë formësojnë dhe përcaktojnë të ardhmen e tyre. Duke mbështetur një filozofi zhvillimi të përqendruar te njerëzit, vendi respekton rolin e grave dhe ka forcuar mbrojtjet përkatëse institucionale dhe mbështetjen e politikave mbrojtëse.


Pilote kineze/Foto nga VCG

Agjenda kombëtare ka sqaruar detyrat strategjike për mbështetjen e grave. Planet pesëvjeçare janë plane dhe udhëzues veprimi për avancimin ekonomik dhe shoqëror të Kinës gjatë afateve të tyre të caktuara kohore. Qeveria ka përfshirë objektivat për mbështetjen e grave në këto plane për të përmbushur qëllimin e saj strategjik të modernizimit.

Pjesë shumë e rëndësishme e dokumentit është dhe fokusi i përmirësimit të mëtejshëm të sistemit ligjor. Mbrojtja ligjore e të drejtave dhe interesave të grave është një pjesë integrale e avancimit të qeverisjes së bazuar në ligj. Kina ka krijuar një sistem ligjor të ankoruar në Kushtetutë dhe të përqendruar në Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Grave, që mbulon mbi 100 ligje dhe rregullore. Promovimi i politikës themelore kombëtare të barazisë gjinore ka edukuar publikun mbi barazinë gjinore në shumë dimensione dhe përmes kanaleve të shumëfishta, duke promovuar këtë politikë themelore kombëtare në departamentet qeveritare, shkollat, ndërmarrjet, komunitetet urbane e rurale si dhe familjet.


Policat kineze/Foto nga VCG

Patjetër që vazhdojnë të bëhen përpjekje për të shfrytëzuar kontributet dalluese të grave në promovimin e virtyteve tradicionale kineze të familjes dhe krijimin e traditave pozitive familjare. Nga ana tjetër po vendosen marrëdhënie familjare më të barabarta dhe harmonike. Ligje dhe rregullore, duke përfshirë Kodin Civil, Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Interesave të Grave dhe Ligjin Kundër Dhunës në Familje, janë nxjerrë për të mbrojtur të drejtat e grave brenda martesës dhe familjes.

Duke konsoliduar dhe përmirësuar rregullimet institucionale dhe duke optimizuar ndarjen e burimeve, vendi u ofron grave shërbime shëndetësore të plota gjatë gjithë jetës. Për më tepër janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar akses të barabartë të grave në arsimim të të gjitha kategorive dhe niveleve, për të rritur avancimin shkencor të grave dhe për të promovuar arsimimin gjatë gjithë jetës për to. Si rezultat, e drejta e grave për arsim është garantuar në mënyrë efektive.

Kina ka krijuar sistemin më të madh të sigurimeve shoqërore në botë. I ndërtuar mbi parimin e sigurimit të mbulimit universal për të gjithë individët e kualifikuar, sistemi synon të ngushtojë pabarazitë urbane-rurale, të përmirësojë politikat e sigurimeve shoqërore për grupet kryesore, të forcojë mbështetjen për gratë në vështirësi dhe të rrisë vazhdimisht nivelet e përfitimeve. Si rezultat i këtij sistemi, gratë tani gëzojnë siguri shoqërore më gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe të barabartë.


Mjeket kineze/Foto nga VCG

Kauza globale e grave dhe ideologjia që fuqizon

Njerëzimi jeton në “një atdhe” dhe gratë në të gjithë botën kanë një të ardhme të përbashkët. Në botën e sotme, promovimi i barazisë gjinore paraqet si mundësi ashtu edhe sfida të rëndësishme. Është thelbësore të fuqizohen vazhdimisht gratë, duke u siguruar që ato të gëzojnë më shumë mundësi dhe të luajnë role më të rëndësishme në revolucionin e ri në shkencë, teknologji dhe industri. Kina është e gatshme të punojë me vendet anembanë botës për të përshpejtuar veprimet për të krijuar një të ardhme më të ndritur për mbështetjen e grave dhe për të shkruar një kapitull të ri në progresin global të grave, shënon dokumenti. Së bashku me të gjitha vendet e tjera, do të punohet për të formësuar një mjedis global të favorshëm për gratë, për të mbrojtur drejtësinë ndërkombëtare dhe për të dhënë kontributin e saj të duhur për ta çuar botën drejt një të ardhmeje të ndritur paqeje, sigurie, prosperiteti dhe progresi.

Në dokumentin e lëshuar nga Pekini në 10 tetor shënohet: Në udhëtimin e ri të modernizimit kinez, çdo individ luan një rol kyç. Duke lidhur të ardhmen e tyre me atë të vendit dhe të kombit, gratë kineze i janë përkushtuar ndërtimit të një vendi të madh socialist modern që është i begatë, i fortë, demokratik, i përparuar kulturalisht, harmonik dhe i bukur. Ato kanë patur arritje të mëdha, duke krijuar një jetë më të mirë përmes veprimit dhe punës së palodhur.

Në zhvillimin e një kulture socialiste të lulëzuar, i është dhënë rëndësi e veçantë rolit të grave në krijimin e pasurisë kulturore. Mbështet vizionin e ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, përputhet me trendet mbizotëruese globale drejt paqes. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me vendet e tjera, Kina po ndihmon në përshpejtimin e krijimit të një mjedisi ndërkombëtar të favorshëm për gratë në kuadrin e Iniciativës “Një brez, një rrugë” (BRI) është bërë shumë për të promovuar këtë aspekt. Ndjekja e barazisë gjinore është një kauzë e madhe. Në epokën e re, fryma e vetëvlerësimit, besimit, pavarësisë së grave kineze demonstrohet çdo ditë. Udhëtimi i grave në Kinë është thellësisht i integruar në procesin e arritjes së objektivave kombëtare.


Vallëzueset kineze/Foto nga VCG

Theksimi i barazisë gjinore si një politikë themelore kombëtare është një praktikë novatore e sistemit socialist kinez dhe një vendim i rëndësishëm për avancimin e kësaj kauze. Socializmi historikisht e ka pozicionuar veten si një ideologji transformuese, jo vetëm në aspektin e klasës dhe ekonomisë, por edhe në lidhje me barazinë gjinore. Çështja e emancipimit të grave është lidhur me betejat më të gjera kundër shfrytëzimit dhe pabarazisë. Pikëpamja socialiste e hedh poshtë patriarkatin si një nënprodukt të marrëdhënieve kapitaliste të pronësisë, duke pohuar se çlirimi i vërtetë i grave mund të arrihet vetëm përmes eliminimit të ndarjeve klasore.

Sot, në Kinë barazia gjinore është e përfshirë në qëllimet më të gjera të ndërtimit të një “vendi modern socialist në të gjitha aspektet”. Gratë janë gjithnjë e më të pranishme në inovacion, qeverisje, shkencë dhe diplomaci, ndërsa politikat shtetërore theksojnë balancimin e përgjegjësive familjare me avancimin profesional. Iniciativat e vazhdueshme të Kinës – të tilla si programet e lehtësimit të varfërisë për gratë rurale, qasja e barabartë në arsim dhe promovimi i grave në poste publike – demonstrojnë zbatimin në zhvillim të parimeve socialiste në një shoqëri që ndryshon me shpejtësi.


Punëtoret e tekstilit kineze/Foto nga VCG

Së fundmi, statusi shoqëror i grave në Kinë ka qenë dukshëm më i lartë dhe gjithnjë e më vendimtar, gratë po luajnë një rol të pamohueshëm në avancimin total të vendit. Nga slogani “gratë mbajnë gjysmën e qiellit” deri te vizioni i sotëm i “zhvillimit me cilësi të lartë dhe të përqendruar te njerëzit”, barazia gjinore mbetet një shtyllë përcaktuese e identitetit socialist të Kinës. Angazhimi i vazhdueshëm i shtetit për të balancuar rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe harmoninë familjare nënvizon një rrugë unike kineze drejt fuqizimit të grave – një rrugë që kombinon idealet socialiste me qeverisjen pragmatike. Gratë kineze po jetojnë një kohë shumë të përshtatshme për të realizuar ëndrrat e tyre, dhe të kombit.

Burimi CGTN

Ibrahimaj: Sektori IT dhe ai energjetik, prioritet për punësim dhe rritje ekonomike

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi sot rëndësinë strategjike të zhvillimit të sektorëve kyç për tërheqjen e investimeve…

Global 360

Von der Leyen: Shqipëria në rrugën e duhur drejt BE-së, ritëm rekord me negociatat

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerësoi sot se “Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian”.

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Diella dhe hija e së shkuarës!

Është fakt se AI po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e jetës së përditshme kohët e fundit

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Ibrahimaj: Sektori IT dhe ai energjetik, prioritet për punësim dhe rritje ekonomike

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi sot rëndësinë strategjike të zhvillimit të sektorëve kyç për tërheqjen e investimeve…