
Rama vlerëson Röpke-n: Superhero i heshtur europian, rojtar i dialogut social
Kryeministri Edi Rama mbajti sot një fjalë në Parlamenti Europian, në seancën plenare të përfundimit të mandatit të presidentit të Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke.

Kryeministri Edi Rama mbajti sot një fjalë në Parlamenti Europian, në seancën plenare të përfundimit të mandatit të presidentit të Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Röpke.
“Me shumë gjasë do të zhgënjej shumë prej jush, sepse nuk erdha këtu të predikoj për shoqërinë civile, por erdha këtu për të nderuar dikë që më transformoi nga një skeptik të madh – kur bëhet fjalë për dialogun social – në një ithtar të këtij dialogu. Ja pse e ndjeva që të bëhesha pjesë me ndjenja qartësisht të përziera që i kam edhe në këtë moment që flas, sepse e di që kjo mbledhje shënon po ashtu fundin e presidencës në krye të Komitetit Ekonomik Social Europian të Oliver Röpke-s”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ky është një moment për të kremtuar punën e një udhëheqësi të jashtëzakonshëm”.
“Po ashtu edhe për të reflektuar për rolin e Komitetit Ekonomik Social Europian nën kujdesin e tij si rojtar i dialogut social, si një urë urë midis institucioneve e qytetarëve dhe një fitues i fuqishëm se forca e Europës qëndron te njerëzit, te pjesëmarrja, te dialogu, e jo te bërja debat vetëm me Zotin, siç themi ne në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri Rama përgëzoi Röpke-n, ndërsa u shpreh se “nëse nuk do të kisha privilegjin që të kisha takuar do të mendoja se dialogu social është një diskutim i këndshëm për motin”.
“Karriera jote është farkëtuar në kudhrat e përkushtimeve të fuqishme ndaj të drejtave të punonjësve dhe të drejtësisë sociale që në vitet e para në Federatën e famshme të Sindikatave Austriake dhe në dhomën e punës, deri në kryesimin e zyrës në Bruksel të sindikatave austriake. Keni qenë në pararojë duke mbrojtur drejtësinë, solidaritetin dhe duke mbrojtur dinjitetin në vendin e punës”, vlerësoi Rama.
Kryeministri e cilësoi Röpke-n, një superhero të heshtur europian.
“Ky përkushtim i yti ka frymëzuar udhëheqjen tuaj në Komitetin Ekonomik Social dhe ka lënë një gjurmë të pashlyer në projektin europian. Kur morët presidencën, Europa lundronte në atë çka mund të përshkruhet në mënyrë të përkryer si stuhi”, shtoi Rama.
Rama kujtoi se “ndonjëherë njerëzit e harrojnë se çfarë ka shkuar, por vragat e freskëta apo të hapura të pandemisë, lufta dhe agresioni rus në Ukrainë që formësoi kontinentin, çështjet ekonomike që vuajnë familjet dhe bizneset, po kështu edhe Shqipëria, pavarësisht se në pritje për anëtarësimin në BE, duken si nga epoka e gurit”.
Duke iu drejtuar Oliver Röpke, Rama u shpreh se “ju na kujtuat në kohë të ashpra se dialogu social nuk është luks, por është nevojë e domosdoshme, si oksigjeni për një kontinent që po mban frymën”.
“Ju amplifikuat zërin e Komitetit si zërin e shoqërisë së organizatave civile duke siguruar rimëkëmbje, tranzicionin e gjelbër dhe politika digjitale që mbështeten në drejtësi dhe qëndrueshmëri, jo vetëm në tabela e shënime solemne”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Oliver Röpke ishte po ashtu kampion i zgjerimit. “Kjo me një mënyrë që unë veçanërisht e admiroj, duke na përkufizuar si anëtarë, vendet kandidate për anëtare. Kështu nuk kishte më të shikoje nga vrima e çelësit por ishim në sallë dhe jemi në sallë, duke kontribuar e duke sugjeruar rast pas rasti se kafja në Bruksel mund të jetë më e mirë”, shtoi Rama.
“Duke parë jashtë nga ky rajon dhe kjo lagje e jona ju siguruat që zërat tanë të jehojnë këtu jo si pëshpërima të zbehta por si partnerë me zë të plotë në kor. Ju këmbëngulët dhe i kujtuat aktorëve kokëfortë se BE-ja nuk është vetëm tregu i përbashkët, por është një bashkësi njerëzish, ku rritja ekonomike duhet të vallëzojë krah për krah me drejtësinë sociale dhe se integrimi duhet matur me dinjitetin njerëzor, me vende pune, me paga të drejta e mundësi të barabarta”, shtoi Rama.
Po kështu Rama theksoi se Oliver Röpke këmbënguli se BE është edhe një strehë mbrojtjeje për ata të cilët janë të cenueshëm.
“Asnjë gjë nuk thotë më shumë për një Europë të fortë dhe të zhvilluar se sa të mos lënit askënd pas. Ju këmbëngulët fort që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, duke e tërhequr në debat shoqërinë tonë civile si një mikpritës bujar që këmbëngul për të qenë në darkë. Kjo nuk është një tifozeri politike nga ana ime por ne jemi shumë mirënjohës”, tha Rama.
Duke u ndalur te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, Rama theksoi se “tashmë jemi në një turbo sprint, të mbikarikuar për integrimin”.
“Vetëm dje ju dëgjuat që ne kemi hapur 4 kapituj të tjerë, përpos 24 të tjerëve të hapur. Në këtë Komitet votohen politika e dialog që reflektojnë atë që duan qytetarët e zakonshëm. Po, ka të bëjë me institucionet, po ka të bëjë me kolektivitetin, por ka të bëjë edhe me udhëheqësit dhe sigurisht ka të bëjë me punën e përbashkët të shumë njerëzve. Por në fund çdo gjë vjen tek ai që është i aftë t’i bashkojë njerëzit e të bëjë diçka të qëndrueshme e të dobishme për shumë. Ndaj nën drejtimin e Oliverit, Komiteti ka qenë një makineri që ka ndërtuar konsensus duke ofruar besim, duke fuqizuar rininë në vendimmarrje”, shtoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se “nën drejtimin e Oliverit, Komiteti ka qenë një makineri që ka ndërtuar konsensus, duke ofruar besim, duke fuqizuar rininë në vendimmarrje”.
“Oliveri ka provuar se Europa shkëlqen kur politikat e saj bashkëshkruhen nga qytetarët e saj, e jo kur diktohen nga lart”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “fundi i një mandati nuk është fundi i një misioni”.
“Dhe mund t’ju garantoj për këtë, sepse kam pasur shumë mandate, është thjeshtë skena për të vazhduar. Presidenti juaj lë një trashëgimi vizioni, kuraje dhe guxoj të them edhe një mënyrë të njerëzishme me pak humor. Ju e patë Europën jo si një abstraksion, por si një punë të përditshme për familjet, për njerëzit, ku institucionet mund të dëgjojnë dhe dialogu mund të fitojë. Bashkimi është i arritshëm edhe kur përçarja duket se është një gjë e paracaktuar, më besoni mund ta bëj shumë rrallë këtë që kam bërë këtu, por e gjitha vjen nga zemra dhe vjen nga mirënjohja e ekipit tim”, shtoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se “Komiteti Ekonomik Social Europian ishte vendi i parë, ku ne shqiptarët, qytetarë të dorës së dytë të Europës, u ndjemë qytetarë të barabartë të Europës”.
Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Oliver Röpke, për udhëheqjen, avokatinë, zgjerimin.
“Dua t’ju falënderoj për qëndrimin tuaj të fortë në Europë, që është e fortë, se është e drejtë dhe është e tërë dhe e plotë, sepse është e bashkuar dhe nëqoftëse nuk është së paku do të kemi histori të bukura për darkat kur të dalim në pension. Ndërkohë që ecim drejt së ardhmes, parimet e udhëheqjes tuaj do të ndezin brenda shumë udhëheqës në këtë hapësirë, por edhe brenda BE-së e jashtë BE-së për Shqipërinë. Në shtegun tonë drejt anëtarësimit ne ecim me bindjen që ju keni fortifikuar Europa lulëzon vetëm kur është e plotë, dhe është e plotë vetëm kur është e bashkuar. Faleminderit shumë për gjithçka keni bërë dhe për gjithçka që na keni dhënë si njeri, e faleminderit shumë të gjithë njerëzve në këtë sallë për durimin e tyre heroik”, shtoi Rama.
Burimi ATSH