
Rama: Transferimi i njohurive dhe teknologjia, dy aleatët në procesin e integrimit në BE
Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot me një fjalim Konferencës Ndërkombëtare për Qeverisje, në një panel diskutimi ku u fol për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot me një fjalim Konferencës Ndërkombëtare për Qeverisje, në një panel diskutimi ku u fol për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Kjo ngjarje e ktheu Tiranën në pikë ndërkombëtare për diskutimin mbi qeverisjen, duke mbledhur së bashku liderë politikë, ambasadorë, ministra, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Programi i forumit u ndërtua mbi katër tema kryesore: Sfidat dhe mundësitë e qeverisjes në një botë që ndryshon me shpejtësi; Agjenda e integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor; Reformat në sektorin publik në Shqipëri për katër vitet e ardhshme; Qeverisja vendore dhe reformat e decentralizimit.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama vlerësoi përfitimet që ka vendi nga procesi i integrimit europian.
“Nga njëra anë kemi procesin me BE-në i cili është përtej pjesës politike, po nga ana teknike është një bekim sepse është i vetmi kanal ku mund të transferojmë njohurinë dhe i cili tregon se si të drejtohen institucionet. Kur ti ke institucione dhe i referohem Britanisë, duket më pak tërheqëse, por kur nuk ke institucione është një bekim. Si Shqipëria ka për të ndërtuar institucione nëse nuk e bën nëpërmjet këtij kanali dhe nuk e bën nëpërmjet këtij procesi neurologjik, midis këtyre pragjeve, kritereve, standardeve dhe midis të gjitha gjërave të cilat duken të çmendura dhe në fakt janë të çmendura, por në fund është një kurbë mësimi”, u shpreh Rama.
Ndërkohë kryeministri nënvizoi edhe avantazhin që sjell teknologjia e re në këtë proces.
“Teknologjia e re mund të na japë shteteve si ne, mundësinë që të bëjmë hapa të cilët ndryshe do të ishin të pamundur. Nëse teknologjia digjitale nuk do të ishte e zbatueshme, si do të kishim ne mundësinë që të jemi në atë pozicion dhe të ofronin me qindra-mijëra shërbime online. Më parë kanë qenë miliona njerëz që qëndronin në radhë për të marrë një certifikatë lindjeje”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi po ashtu avantazhin që ka Shqipëria nga përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin e përafrimit të legjislacionit me BE-në.
“Edhe në fusha të tjera, ne tanimë kemi krijuar një model, i cili funksionon për ne nëpërmjet inteligjencës artificiale dhe ajo që të tjerët bënë për shtatë vite, Kroacisë iu deshën shtatë vite, ne mund ta bëjmë në më pak se dy vite dhe jemi duke bërë atë shumë shumë shpejt. Do të ishte e pamundur pa teknologjinë”, shtoi ai.
Duke u ndalur te prokurimet publike, Rama vlerësoi se “kemi bërë progres të konsiderueshëm dhe tani ne synojmë që të kemi modelin e parë në Evropë të prokurimeve publike nëpërmjet inteligjencës artificiale”.
“Do të jetë komplet me inteligjencë artificiale nga A-ja te Zh-ja dhe kjo do i bëjë prokurimet publike absolutisht transparente dhe nuk do të jetë fare e kontestueshme. Ndoshta një prej efekteve anësore do të jetë se shumë persona nuk do të dëshirojnë më të merren me politikë, por në rregull. Është në rregull, punë e madhe. Ky ndoshta do të jetë një efekt, sepse prokurimet publike janë një arsye shumë e mirë pse personat merren me politikë”, shtoi ai.
Rama vlerësoi se “këto janë dy aleatët shumë të mirë që na ka dhënë koha, pjesa e transferimit të njohurisë për pjesën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe teknologjinë”.
“Nuk ka pasur dyshime se për ne, procesi është po aq i rëndësishëm, nëse jo, edhe më i rëndësishëm se rezultati, ajo e të qenurit shtete, vende anëtare të BE-së. Pra udhëtimi është ai që ne kemi nevojë, sepse nëse ne bëhemi një vend i cili vepron nga ana institucionale, si një vend anëtar i Bashkimit Europian. Kjo mund të ishte trashëgimia më e madhe që ne mund t’i japim fëmijëve tanë, për t’u rritur dhe të jetojnë në një shtet ku institucionet të funksionojnë. Jo si në Gjermani, ‘larg qoftë’, por le të themi si në Itali ose në një vend tjetër mesdhetar, sepse ne asnjëherë nuk kemi për t’u bërë Gjermania edhe nëse e kemi ndihmën e Bashkimit Europian”, shtoi ai.
Por sipas Ramës, “eksportimi i demokracisë nuk është një ide e mirë”.
“Eksportimi i modelit nuk është një gjë e mirë. Ata që e kanë pasur idenë e eksportimit të demokracisë, kanë bërë disa gabime të çmendura. Pra, eksportimi i modelit tuaj, kjo ide sjell shumë dëm për vetveten dhe në rastin tonë, ne nuk jemi në gjendje që të eksportojmë modelin dhe të dëmtojmë të tjerët. Vendet e mëdha e kanë bërë këtë deri tani, por ne, edhe nëse mendojmë që të eksportojmë modelin tonë, ne mund të dëmtojmë veten tonë, sepse mund të përballemi me gjëra jo të mira”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se “ajo që duhet bërë është të krijohet një model i mirë për shoqërinë tonë bazuar, mbështetur tek ajo që ne kemi zgjedhur lirisht, që të jemi pjesë e këtij komuniteti vendesh, të cilat besojnë në disa gjëra të caktuara”.
“Shikoni vendet e Lindjes së Mesme. Si mund t’i paragjykojmë ne ata pse ata nuk kanë të njëjtin sistem. Ne nuk mund ta bëjmë këtë, ne nuk duhet ta bëjmë këtë. Në fakt, ne duhet t’i respektojmë dhe duhet të mësojmë prej tyre dhe ata duhet të mësojnë prej nesh, por jo t’i mbështesim, t’i bazojmë marrëdhëniet tona mbi faktin se sa të tjerët na pëlqejnë ne. Pra, unë besoj që në Perëndim kjo është bërë një lloj gjëje e mërzitshme, kur të tjerët vetëm japin leksione dhe flasin për demokracinë, përkundrejt autokracisë”, u shpreh ai.
Rama theksoi se “Shqipëria asnjëherë s’ka pasur mundësinë më parë që të zgjedhë lirisht se me kë të jetojë”.
“Ne kemi qenë viktima të zgjedhjeve të të tjerëve. Për herë të parë në histori, tashmë ne kemi zgjedhur si shtet, si komb, që ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Kjo është një zgjedhje që ka bërë kombi, vendi, është fantastike, është shumë mirë. Ne nuk mund të shkojmë edhe të flasim, të japim leksion te të tjerët pse ju nuk doni të jeni si ne. Ata do të qeshin, ashtu si ata vërtetë qeshin, por duan të tregohen edhe të mirësjellshëm me ne, kështu që kjo ishte ideja ime”, u shpreh ai.
Gjithsesi, Rama tha se “ka një gjë që ne mund të eksportojmë, që është prokurimi me anë të Inteligjencës Artificiale”.
“Kjo, nëse ne do të ecim aq shpejt sa mendojmë dhe të tjerët jo. Nëse ne do t’ia dalim me sukses me anë të sistemit që kemi filluar në bashkëpunim me Microsoft-in në lidhje me prokurimin publik, sepse ata gjithashtu do të na japin edhe të drejtën e modelit, pronësinë e modelit dhe kështu që pastaj ne do të kemi të drejtë që ta shesim atë dhe ne do të themi që në qoftë se doni të luftoni gjërat që nuk ecin mirë në vendin tuaj, korrupsionin, atëherë mund të merrni, të blini modelin tonë të prokurimit publik”, shtoi ai.
Burimi ATSH