Rama: Së shpejti do të kemi flotën e avionëve tanë zjarrfikës

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “qëndresa e njerëzve tanë ka ndaluar atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral dhe largqoftë një asgjësim njerëzor me përmasa dramatike”.


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “qëndresa e njerëzve tanë ka ndaluar atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral dhe largqoftë një asgjësim njerëzor me përmasa dramatike”.

Në fjalën e tij në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve, Rama u shpreh se, “edhe pse përballë një sfide të jashtëzakonshme në Delvinë, në Finiq, në Gramsh dhe në Poliçan, në Kaninë, Borsh, Piqeras, në Fushë-Arrëz dhe në Dibër dhe deri në orët e fundit në Skrapar dhe në Vlorë, qëndresa e njerëzve tanë ka ndaluar atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral dhe largqoftë një asgjësim njerëzor me përmasa dramatike”.

“Qindra mjete zjarrfikëse, helikopterë dhe edhe avionë. Pothuajse 100 misione nga ajri, qindra ndërhyrje në tokë dhe ky shtet i sfiduar si asnjë vit më parë nga zjarret nuk u thye, përkundrazi tregoi se Mekanizmi i mbrojtjes Civile nga fshati më i largët deri tek qendra e Tiranës ose anasjelltas, mundi dhe diti të jepte më të mirën edhe pse shumë ka ende për të bërë”, tha Rama.

“Sigurisht që nuk munguan edhe ekspertët online të fikjes së zjarrit, as zjarrvënësit e zakonshëm të mexhelisit tonë publik dhe dixhital, por Shqipërinë nuk e mbrojtën ata, Shqipërinë e mbrojti djersa, guximi dhe sakrifica e atyre 10 mijë e kusur njerëzve në vijën e zjarrit, pjesë e të cilëve përfaqësuese jeni edhe ju këtu”, theksoi Rama.

Kjo, shtoi ai, “është e vërteta e thjeshtë dhe e vërteta e vetme që ia vlen të thuhet me zë të lartë, ndërkohë që nga Spanja tek Franca, nga Turqia tek Portugalia, Italia e Greqia, i gjithë Mesdheu ishte në flakë si asnjëherë më parë këtë verë”.

Ram solli edhe bilancin tragjik të kësaj vere në shtetet e Mesdheut.

“Në Spanjë u zhbën totalisht afro 400 mijë hektarë. Në Portugali mbi 235 mijë hektarë, pesëfish më shumë sesa mesatarja e viteve të fundit. Në Itali afro 60 mijë hektarë. Ndërkohë që Turqia numëroi edhe 17 viktima dhe dhjetëra mijëra njerëz të evakuuar, përveçse humbi qindra mijëra hektarë tokë të mbjellë, të gjelbëruar. Ndërsa Greqia nga Kreta në Patra pa përsëri tmerr me sy. Parafytyroni që BE del nga kjo verë me mbi 1 milionë hektarë tokë të bërë shkrumb e hi”, tha Rama.

Ndaj, shtoi kreu i qeverisë, “kur dëgjojmë zëra që shajnë Shqipërinë pse nuk ka avionë zjarrfikës në pronësi duhet ta mbajmë parasysh një të vërtetë shumë të thjeshtë. Avionët nuk janë magjistarë. Ata janë ndihmës të fuqishëm, të cilët nuk na kanë munguar falë Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit jemi ne Shqipëria me të drejta të barabarta, por nuk janë asesi të plotfuqishëm”.

“22 avionë të gjeneratës së fundit, nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve ta digjte dhe ta përcëllonte gjerësisht zonën e Izmirit duke hapur një plagë të dhimbshme mbi tokën e Turqisë mike dhe duke bërë të evakuohen dhjetëra mijëra njerëz”, u shpreh Rama.

“Ashtu sikundër forca më e madhe ajrore e planetit nuk mundi dot ta shmangte shkrumbimin tragjik të një vendbanimi të madh sa Tirana, në Los Angelos”, nënvizoi Rama.

Rama theksoi se, “avionët janë një krah i fuqishëm në betejë padyshim. Edhe ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë e cila do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës, por magjia, nëse mund ta quajmë kështu, është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë. Sot ne jemi këtu pikërisht për sakrificën në tokë dhe patjetër po përgatitemi për çfarë duhet dhe padyshim mund të bëjmë më shumë dhe mund të bëjmë më mirë. Parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve për monitorim me kamera termike dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura. Teknologji dhe inteligjencë me sisteme alarmi të hershëm dhe një funksionim më i mirë, falë edhe investimeve që do të bëjmë më tej, i qendrave të integruara të kontrollit për të pasur një reagim më të shpejtë me mjete tokësore”.

Por, shtoi kryeministri, “të gjitha këto nuk na çojnë larg pa edukimin dhe ndërgjegjësimin, gjë që kërkon që çdo shkollë dhe çdo institucion, por duke filluar nga shkolla të bëhet pjesë e vëmendjes, e mbrojtjes dhe e ripërtëritjes kombëtare për pyjet, ku nxënësit jo vetëm mësojnë, por marrin pjesë në mbjellje, në përkujdesje dhe një solidaritet akoma më të madh ndërkombëtar”.

Rama falënderoi përfaqësuesit e BE-së dhe të vendeve mike, pasi theksoi ai, “falë rrjetit të solidariteti dhe falë integrimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane ne ia kemi dalë më së miri të evitojmë më të keqen. Dhe Kroacia, Greqia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Suedia dhe si gjithmonë Italia, meritojnë një falënderim të posaçëm sepse në zinxhirin e Mekanizimit dërguan në vazhdimësi mjete ajrore për fikjen e zjarreve”.

/Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Dekorohen heronjtë në luftën ndaj zjarreve

Ditën e sotme u zhvillua ceremonia e Mirënjohjes Kombëtare për të gjitha forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj…

Global 360

Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Në përpjekjen e 58-të për konstituimin e Kuvendit, propozimi i Vetëvendosjes u miratua me 73 vota pro, 30 kundër dhe…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

ÇFARË REPUBLIKE ËSHTË SHQIPËRIA SOT

Ahmet Zogu ishte i pari që kuptoi se Shqipëria mund të funksiononte si një Republike Tregtare.

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Dekorohen heronjtë në luftën ndaj zjarreve

Ditën e sotme u zhvillua ceremonia e Mirënjohjes Kombëtare për të gjitha forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj…