Drafti i Kodit të ri Penal, Rama: Është hartuar nga ekspertët, pa vulën e Brukselit nuk shkon në parlament

Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh.


Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh.

Rama reagoi ndaj qëndrimit të disa shoqatave të gazetarëve, të cilët sipas tij, “bëjnë thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të ri Penal”.

Kryeministri theksoi se “qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e ka marrë dhe po e studion draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve”.

“Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku, kush do të kontribuojë për një Kod të ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush”, siguroi Kryeministri.

Rama u shpreh se “drafti i rishikuar do të konsultohet edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament”.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit:

“Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëheqjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!

Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS”.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Shqipëria dhe MV sistem me një ndalesë në pikat kufitare, Lamallari: Fitojnë qytetarët dhe ekonomia

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë sot në Dibër nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe ministri i Punëve…

Global 360

Macron pas takimit me Ramën: Franca riafirmon mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama u prit sot në takim në Pallatin “Elysée” nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Diplovista

Rama në FII Europe 2026: Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës

Shqipëria po merr rol strategjik në sigurinë energjetike të Evropës, deklaroi kryeministri Edi Rama në samitin ”Future Investment Initiative Europe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Shqipëria dhe MV sistem me një ndalesë në pikat kufitare, Lamallari: Fitojnë qytetarët dhe ekonomia

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë sot në Dibër nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe ministri i Punëve…