Kina dhe SHBA takohen në Stokholm. Dy ekonomitë më të mëdha në botë synojnë një akord tregtar

Në Stokholm përfundoi raundi i tretë i bisedimeve ekonomiko-tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, shtrëngoi duart me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, përpara një raundi të ri bisedimesh ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA në Stokholm, Suedi, më 28 korrik 2025./Xinhua

Nga Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”

Në Stokholm përfundoi raundi i tretë i bisedimeve ekonomiko-tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Raundi i parë i këtyre bisedimeve u fokusua në përcaktimin e çështjeve kryesore të bisedimeve dhe mënyrën dhe modalitetet e vendosjes së kanaleve të komunikimit. Ky raund, mbajtur në Gjenevë në maj 2025, është shumë i rëndësishëm, sepse edhe pse nuk u përqendrua në arritjen e marrëveshjeve konkrete, shënoi fillimin e një procesi diplomatik, që kërkon shmangien dhe përshkallëzimin e një lufte tregtare, luftë e cila ndikon padyshim edhe në tërësi në tregtinë dhe ekonominë globale, ku Kina dhe SHBA janë lojtarët më të mëdhenj. Në këtë raund u arrit ulja e rreth 115% të tarifave nga të dyja palët dhe ndalimi i përshkallëzimit të konfliktit tregtar.


Përfaqësuesit e Kinës dhe ShBA-së u takuan në Londër për të sqaruar detajet e zbatimit të marrëveshjes së Gjenevës, më 9 qershor 2025/Xinhua

Në raundin e dytë, mbajtur në Londër në qershor 2025, përfaqësuesit e Kinës dhe SHBA-së shqyrtuan reduktimin gradual të tarifave dhe mekanizmat për mbrojtjen e interesave të ndërsjella. Në këtë raund u sqaruan detajet e zbatimit të marrëveshjes së Gjenevës.

Ishte pikërisht ky raund që krijoi bazën për arritjen e një kompromisi, që më vonë solli edhe dakordësimin në arritjen e vendimit për zgjatjen e pauzës 90-ditore në Stokholm, në raundin e tretë.

Raundi i Stokholmit është i një rëndësie të veçantë pasi në këtë raund bisedimesh u vendos që të zgjatet me 90 ditë pauza e tarifave amerikane dhe e kundërmasave kineze, zhvillim që krijon një mundësi të rëndësishme për dialog konstruktiv, duke shmangur përkohësisht përshkallëzimin e konfliktit të panevojshëm tregtar.

Duket se edhe në arenën ndërkombëtare në tërësi ekziston një mendim i përbashkët se raundi i tretë i bisedimeve ekonomiko-tregtare Kinë–SHBA, përfaqëson një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Shmangia e pasojave serioze të një lufte tregtare mbi bazën e dialogut është thelbësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy ekonomive më të mëdha në botë, sepse në kushtet e një lufte tregtare midis këtyre dy ekonomive pasojat më serioze do ndiheshin në (1) zinxhirët globalë të furnizimit, në (2) fluksin e investimeve, në (3) tregjet financiare dhe në (4) të tëra aspektet e rritjen globale dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rang botëror.

Padyshim që ky akord i raundit të tretë specifikon më së miri rëndësinë e vazhdimit të negociatave dhe të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme, për të riformatuar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare jo vetëm midis Kinës dhe SHBA-ve, por në tërësi midis shteteve, vendeve dhe kombeve. Dhe kjo mbi bazën e bashkëpunimit për të arritur një marrëveshje më të qëndrueshme, për një stabilitet ekonomik dhe tregtar global.

Kjo është edhe arsyeja se përse ky raund bisedimesh duhet konsideruar si një moment kyç për të riorientuar dhe ristrukturuar qasjen në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare. Në çdo rast kur dialogu është përdorur si instrument në marrëdhëniet midis fuqive të mëdha, po aq herë është shmangur destabiliteti dhe po aq herë janë krijuar kushte për bërjen e biznesit, investimeve dhe tregtisë në mënyrë të parashikueshme. Kjo është ajo që në fakt Kina synon në tërësi në ecurinë ekonomike botërore dhe në zhvillimin e qëndrueshëm rajonal dhe global.

Siguri në qëndrueshmëri dhe saktësi në parashikueshmëri në mënyrë që tregjet globale të përjetojnë zgjerim dhe bota të përjetojë zhvillim afatgjatë të qëndrueshëm. Kina mendon se kjo periudhë 90-ditore duhet të shfrytëzohet me efektivitet nga të dy palët, në mënyrë që kjo periudhë të shërbejë si bazë për një marrëveshje më të qëndrueshme dhe për riformatimin e ekuilibrave ekonomiko-tregtarë globalë, për të patur një balancë bashkëpunuese, duke shmangur keqkuptimet midis palëve.

Duket se është shumë e mundur që konsultimet e mëtejshme të sjellin rezultate të favorshme për të dyja palët dhe sipas zëvendëskryeministrit të Kinës, He Lifeng, “një marrëdhënie ekonomike dhe tregtare e qëndrueshme Kinë-SHBA i shërben jo vetëm qëllimeve përkatëse të zhvillimit të të dy vendeve, por gjithashtu kontribuon në rritjen dhe stabilitetin ekonomik global”, pikëpamje të cilën ai e theksoi gjatë raundit të ri të bisedimeve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA në Stokholm, ku pala amerikane përfaqësohej nga sekretari i Thesarit, Scott Bessent dhe përfaqësuesin e tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer.

Të dyja palët në këtë raund të tretë të bisedimeve shqyrtuan dhe pohuan gjithashtu zbatimin e konsensusit të arritur në bisedimet ekonomike dhe tregtare të mëparshme në Gjenevë dhe kornizën e rënë dakord në bisedimet e Londrës.

Në fakt, në 5 qershor 2025 dy krerët e shteteve, Xi Jinping dhe Donald Tramp, në një bisedë telefonike theksuan se bisedimet dihet të mbështeten në parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit fitimprurës për të dyja palët, të respektojnë shqetësimet e njëri-tjetrit, të konsolidojnë më tej konsensusin dhe të thellojnë besimin e ndërsjellë.

Në një hapësirë shumë të gjerë mundësish ekonomike, tregtare dhe investimesh, konfrontimi tregtar midis dy ekonomive më të mëdha në botë është i panevojshëm dhe sjell më shumë dëme direkte dhe kolaterale, se sa përfitime.

Pala amerikane në këtë raund i qëndroi korrekt qëndrimit të Kinës, duke theksuar se “një marrëdhënie e qëndrueshme ekonomike dhe tregtare SHBA-Kinë është me rëndësi të madhe për ekonomitë e të dy vendeve dhe të botës në përgjithësi. SHBA-të janë të gatshme të punojnë me palën kineze për të vazhduar zgjidhjen e dallimeve në fushën ekonomike dhe tregtare përmes mekanizmit të konsultimit, për të nxitur më shumë rezultate nga bisedimet dhe për të stabilizuar më tej marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare”.


Li Chenggang, përfaqësuesi i tregtisë ndërkombëtare të Kinës në Ministrinë e Tregtisë dhe zëvendësministër i Tregtisë/CMG

Me këtë rast, Li Chenggang, përfaqësuesi i tregtisë ndërkombëtare të Kinës në Ministrinë e Tregtisë dhe zëvendësministër i Tregtisë, tha: “Ekipet ekonomike dhe tregtare të të dy vendeve zhvilluan diskutime të thella, të sinqerta dhe konstruktive mbi çështje të mëdha me interes të ndërsjellë, në kuadër të mekanizmit të konsultimeve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA. Të dy palët e njohin plotësisht rëndësinë e ruajtjes së një marrëdhënieje ekonomike dhe tregtare të qëndrueshme dhe të shëndetshme Kinë-SHBA”, gjë që konfirmohet edhe nga deklarata e sekretarit të thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, që me kërë rast tha: “ne do jemi shumë më të angazhuar në bisedimet Kinë-SHBA. Ishte takimi ynë i tretë. Jam i lumtur të them se Londra ndërtoi mbi Gjenevën, Stokholmi ndërtoi mbi Londrën dhe Gjenevën. Në vend që bisedimet të bëhen më të vështira, unë në fakt mendoj se ato po bëhen më të angazhuara. Bisedimet kanë shkuar në një hapje më të gjerë. Ato kanë zhvilluar respekt të madh dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Ne nuk duam të shkëputemi”.

Ekspertët e fushës së marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike ndërkombëtare në përgjithësi bien dakord se zgjatja 90-ditore e pezullimit të tarifave midis Kinës dhe SHBA-së është një hap pozitiv. Kjo tregon gatishmërinë e të dyja palëve për të shmangur përshkallëzimin dhe për të vazhduar dialogun.

Edhe pse dallimet kryesore midis dy palëve si (1) qasja në treg, (2) qasja ndaj kompanive amerikane dhe (3) çështje të tjera strategjike mbeten të pazgjidhura, ekspertët shohin mundësi për stabilizim të marrëdhënieve midis dy vendeve përmes bashkëpunimit dhe respektimit të parimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, sepse vetëm një qasje e tillë mund të çojë drejt një marrëveshjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme ekonomike dhe tregtare.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Denaj: Synojmë krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se Qeveria Shqiptare synon ndërtimin e një konsorciumi për…

Global 360

Shqipëria krah SHBA dhe 14 vendeve të tjera: Irani të ndalë sulmet që cënojnë sovranitetin tonë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Mira Murati shkruan historinë!

Një nga investimet më të mëdha fillestare : 2 miliardë USD pa pasur ende ptodukt. Vetëm një vizion.

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Denaj: Synojmë krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se Qeveria Shqiptare synon ndërtimin e një konsorciumi për…