247-vjetori i pavarësisë së SHBA-së, Kim: Mos u dorëzoni kurrë për një të ardhme të drejtë

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka mbajtur një fjalim, në prag të festimeve të 247-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së


Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka mbajtur një fjalim, në prag të festimeve të 247-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

Kim i bëri thirrje popullit shqiptar, që ashtu si ai amerikan të mos dorëzohen kurrë në kërkesën për një të ardhme më të drejtë, më të fortë dhe më të begatë për të gjithë.

“Do të doja të përqendrohesha këtë mbrëmje tek zgjedhja, e cila për nga nevoja ka të bëjë me të ardhmen. Mund të debatojmë për të kaluarën, por nuk mund ta ndryshojmë atë. Ne mundet veçse të zgjedhim se çfarë do të ndodhë më tej. Nga të gjitha veprimtaritë në të cilat kam qenë pjesë apo kam parë nga të gjithë njerëzit në të 61 bashkitë që kam vizituar, anekënd këtij vendi të bukur të cilët i kam takuar gjatë tre viteve e gjysmë të fundit, për mua është e qartë se populli i Shqipërisë e ka bërë zgjedhjen e tij: të jetë i lirë dhe demokratik, të jetë ndër ato kombe që do të mbrojë lirinë dhe demokracinë e të tjerëve, për t’u siguruar që Shqipëria të mos fshihet kurrë nga kjo botë. Kështu, ju jeni si ne”, tha diplomatja amerikane.

Ajo theksoi se “amerikanët zgjodhën më 4 korrik 1776, të jenë të lirë; të besojnë se qytetarët janë burimi, jo subjekt i pushtetit të qeverisë; të angazhohen për të zgjedhur të ardhmen tonë çdo ditë për ta bërë bashkimin tonë më të përsosur; të pranojnë se jemi qenie njerëzore që herë pas here do bëjmë gabime, por që besojmë se për shkak se jemi amerikanë do të ngrihemi dhe do të provojmë sërish, dhe do të zgjedhim më mirë”.

“Tridhjetë e dy vjet më parë, shqiptarët, ju – si ne – zgjodhët të jeni të lirë; ju – si ne – vendosët që qytetarët janë burimi, jo subjekti i pushtetit të qeverisë; ju – si ne – e dini se demokracia kërkon përkushtim dhe qëndrueshmëri; ju – si ne – dëshironi që fëmijët tuaj të jetojnë në një botë ku kanë një shans të barabartë për të ndjekur lumturinë; ju – si ne – jeni të gatshëm të bëni punën e vështirë për ta bërë të ardhmen më të mirë se e shkuara. Nëse kam mësuar diçka nga koha ime në Shqipëri është se ne – amerikanë dhe shqiptarë – jemi njësoj në shumë mënyra, përfshirë në mënyrat më të rëndësishme. Shpresoj që populli amerikan dhe populli shqiptar, ta ruajnë gjithmonë këtë afrimitet”, nënvizoi ambasadorja.

Kim shprehu besimin se “të gjithë do të shohin se ne – si ju – nuk do të dorëzohemi kurrë në kërkesën tonë për një të ardhme më të drejtë, më të fortë dhe më të begatë për të gjithë ne”.

“Jam mirënjohëse të di se secili prej jush po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për vendin tuaj. Unë mendoj se me çdo person këtu kam pasur një mosmarrëveshje apo një tjetër, me disa prej jush më shumë se me të tjerë, por unë ende besoj – ashtu si siç besoja që në fillim – është se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan, deklaroi ambasadorja Kim.

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.