
Begaj organizon ceremoninë për 114-vjetorin e Pavarësisë: Dialogu është zgjidhja, dhuna nuk është alternativa
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, organizoi sot ceremoninë pritëse me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku përcolli një mesazh për bashkim, dialog dhe respektim të vlerave demokratike.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, organizoi sot ceremoninë pritëse me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ku përcolli një mesazh për bashkim, dialog dhe respektim të vlerave demokratike.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe sakrificave të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, duke nënvizuar se pavarësia nuk është vetëm një e drejtë e fituar, por edhe një përgjegjësi për ndërtimin e vendit.
“Në Vlorën e vitit 1912, kur dukej se historia po vendoste për fatin e popujve të vegjël pa i pyetur ata, një grup burrash të mençur, guximtarë dhe largpamës shpallën Shqipërinë të lirë dhe të pavarur.
Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij nuk gjetën një shtet të ndërtuar. Nuk kishin as institucione dhe as ekonomi të zhvilluar. Kishin diçka më të madhe. Kishin bindjen se një popull ka të drejtë të përcaktojë vetë të ardhmen e tij. Ata nuk na lanë një Shqipëri të përfunduar, na lanë një Shqipëri për të ndërtuar”, u shpreh Begaj.
Ai theksoi se 28 Nëntori është edhe një moment reflektimi për përgjegjësinë që ka çdo brez ndaj vendit.

“Prandaj, 28 Nëntori nuk është vetëm dita kur nderojmë ata që bënë historinë. Është edhe dita kur duhet të pyesim veten nëse po bëjmë dhe ne detyrën tonë ndaj saj. Sepse pavarësia nuk është vetëm një e drejtë e fituar, por edhe një përgjegjësi. Një përgjegjësi për Shqipërinë që duhet ndërtuar”, deklaroi Presidenti.
Duke u ndalur te rrugëtimi historik i Shqipërisë, Begaj kujtoi periudhën e pushtimeve dhe diktaturës, si dhe ndryshimet e arritura pas vendosjes së demokracisë.
“Pjesën më të madhe të këtyre 114 viteve e kaluam në pushtime, luftëra dhe një diktaturë që na mbylli nga bota. Për gati gjysmë shekulli, shqiptarëve iu mohua liria. Nuk mund të shpreheshin lirisht, nuk mund të besonin dhe as të ëndërronin me zë të lartë.
Liria e vërtetë, liria për të zgjedhur, për të shprehur dhe për të vepruar, është me ne vetëm prej 35 vitesh, afërsisht sa jeta e një brezi”, tha ai.
Kreu i Shtetit vlerësoi progresin e Shqipërisë në këto dekada, duke përmendur anëtarësimin në NATO, negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe zhvillimin e vendit.
“Në këto 35 vjet, kemi bërë një rrugë që shumë kombe e kanë bërë në një shekull. Vendi që dikur ishte më i izoluar në Europë, sot është anëtar i NATO-s dhe në negociata për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kemi një ekonomi më të hapur dhe një shoqëri më të lidhur me botën”, u shpreh Begaj.
Ai nënvizoi se krenaria për arritjet duhet të shoqërohet edhe me guximin për të pranuar sfidat që mbeten.
“Ndaj, ne jemi krenarë për atë që kemi arritur. Por dashuria për atdheun nuk matet vetëm me aftësinë për të vlerësuar atë që kemi arritur. Ajo matet edhe me guximin për të pranuar atë që ende nuk kemi bërë”, theksoi Presidenti.
Begaj u ndal edhe te protestat e zhvilluara në vend, duke theksuar se protesta është një e drejtë kushtetuese, ndërsa dhuna dhe shkatërrimi nuk janë zgjidhje.
“Sot po rritet një brez që kërkon më shumë zë dhe më shumë vëmendje, më shumë mundësi dhe më shumë përfshirje. Këtë e kemi parë te të rinjtë dhe qytetarët që protestojnë edhe sot, në fakt, në ditën e shenjtë të flamurit dhe të bashkimit.
Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe e dobishme në demokraci, por dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja dhe as alternativa. Dialogu dhe rruga institucionale janë zgjidhja”, deklaroi Begaj.
Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëjetesës demokratike, pavarësisht dallimeve në qëndrime.
“Demokracia nuk kërkon që të mendojmë të gjithë njësoj. Kërkon që, edhe kur mendojmë ndryshe, të ndihemi nën të njëjtën çati. Sepse ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Mund të kemi qëndrime të ndryshme për vendimet e ditës, por mbetemi të bashkuar”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Në vijim, Presidenti foli për procesin e integrimit europian, duke theksuar se ai kërkon institucione të forta, drejtësi funksionale dhe përgjegjësi të përbashkët.
“Europa nuk është vetëm një destinacion gjeografik apo një tryezë ku dëshirojmë të ulemi. Ajo është një kulturë politike, një sistem vlerash dhe një standard i jetës publike.
Ne duam të jemi pjesë e Europës, jo vetëm me flamurin tonë, por edhe me institucione të forta, drejtësi funksionale, administratë profesioniste, ekonomi konkurruese dhe me qytetarë që ndihen të barabartë, ku askush nuk është në vështirësi”, tha Begaj.
Ai kërkoi bashkëpunim përtej ndasive politike dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve në këtë proces, duke veçuar edhe rolin e diasporës shqiptare.
“Kuvendi, qeveria, opozita, drejtësia, media, shoqëria civile, universitetet dhe çdo qytetar shqiptar kanë secili rolet e tyre të ndryshme, por përgjegjësinë ndaj Shqipërisë e kanë të njëjtë.
Edhe diaspora shqiptare është pjesë e rëndësishme e kombit tonë. Me dijet, përvojën, kapitalin, lidhjet me botën dhe përgjegjësinë e saj ndaj atdheut, duhet të jetë pjesë aktive e procesit të integrimit dhe suksesit tonë europian”, u shpreh Presidenti.
Duke folur për sfidat ndërkombëtare, Begaj vuri në dukje rëndësinë e partneriteteve strategjike dhe aleancave për sigurinë dhe zhvillimin e Shqipërisë.
“Për një vend të vogël si Shqipëria, partneritetet strategjike dhe aleancat janë garanci të rëndësishme për sigurinë dhe zhvillimin. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësimi në NATO janë shtylla të rëndësishme të sigurisë dhe orientimit tonë euroatlantik”, deklaroi ai.
Në përfundim, Kreu i Shtetit theksoi se festa e Pavarësisë i bashkon shqiptarët kudo që ndodhen dhe bëri thirrje që brezi i sotëm të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e vendit.
“Prandaj, 28 Nëntori është festë. Është festa e të gjithë shqiptarëve. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo ku jeton një shqiptar.
Sot nuk nderojmë vetëm ata që ngritën flamurin në Vlorë. Nderojmë edhe sakrificën e brezave që mbajtën dhe mbrojtën me gjak lirinë dhe ruajtën identitetin tonë kombëtar.
Sot, 114 vjet më vonë, të mos jemi brezi që vetëm kujton atë që bënë të parët, por të jemi brezi që merr përgjegjësinë për atë që do t’u lëmë trashëgim pasardhësve tanë: një shtet të së drejtës, të zhvillimit dhe të dinjitetit njerëzor”, tha Begaj.

Në ceremoninë pritëse ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zëvendëskryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikolla Camaj, si dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali. Të pranishëm ishin gjithashtu deputetë, ministra, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve shtetërore qendrore dhe vendore, të bashkësive fetare, shoqërisë civile, kulturës, medias dhe jetës publike.
Marrë nga ATSH


















