
Liceu Francez i Korçës, Kumbaro: Standarde europiane, nxënësit do të pajisen me dy diploma
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “Liceu Francez i Korçës do të rikthehet si institucion publik i arsimit të mesëm të lartë, përmes një modeli të ri arsimor, që do të ofrojë mësimdhënie në tri gjuhë dhe mundësinë e pajisjes së nxënësve me dy diploma, atë të Maturës Shtetërore shqiptare dhe Baccalauréat-in francez”.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “Liceu Francez i Korçës do të rikthehet si institucion publik i arsimit të mesëm të lartë, përmes një modeli të ri arsimor, që do të ofrojë mësimdhënie në tri gjuhë dhe mundësinë e pajisjes së nxënësve me dy diploma, atë të Maturës Shtetërore shqiptare dhe Baccalauréat-in francez”.
Në fjalën e saj në Kuvend ku prezantoi projektligjin “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë ‘Liceu Francez i Korçës’”. Kumbaro theksoi se ky projekt i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj franceze propozohet të rregullohet me një ligj të veçantë, pasi përfaqëson një model krejtësisht të ri në arsimin publik parauniversitar”.
“Është një projektligj i veçantë dhe me një vlerë të jashtëzakonshme në cilësinë e arsimit dhe në diplomacinë shqiptare, sepse pasqyron një projekt të përbashkët mes Shqipërisë dhe Francës, që ndërtohet në bashkëpunim me qeverinë e Francës dhe nën kujdesin e Presidentit Macron dhe të Kryeministrit Edi Rama dhe sepse mbi këtë ligj do të mbështetet një model arsimor që sot nuk e kemi në sistemin tonë publik”, nënvizoi Kumbarou shpreh Kumbaro.
Duke rikujtuar traditën e Liceut Francez në Korçë, Kumbaro tha se rikthimi i tij do të përshtatet me nevojat e një shoqërie që po përgatitet për Bashkimin Europian.
“Në Korçë ka pasur dikur një lice francez. Është një emër që qyteti nuk e ka harruar kurrë dhe që i përket historisë së arsimit shqiptar, ndaj kur flasim për rikthimin e tij, flasim për një traditë që rinis, e përshtatur me nevojat e një shoqërie që po përgatitet për Bashkimin Europian. Por ky projekt nuk është thjesht e vetëm një gjest nostalgjik. Ky projekt ka një bazë të qartë institucionale”, tha ministrja.
Duke folur për ofertën arsimore, Kumbaro sqaroi se liceu do të jetë një institucion arsimor tregjuhësh dhe nxënësit që e përfundojnë me sukses do të pajisen me dy diploma, Maturën Shtetërore Shqiptare dhe Baccalauréat-in Francez. Ndjekja e këtij institucioni do të jetë falas për nxënësit shqiptarë.
“Ky është një përfitim i drejtpërdrejtë në radhë të parë për nxënësit dhe familjet e tyre, të cilët deri tani kanë pasur akses të kufizuar në programe dhe kualifikime me njohje ndërkombëtare brenda vendit. Një familje në Korçë, në Pogradec, në Përmet a Gjirokastër, apo kudo nga Shqipëria, mund të studiojë në Shqipëri, duke marrë edhe një diplomë, njësoj me një nxënës francez, që njihet në Francë dhe në gjithë hapësirën europiane”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro dha detaje edhe mbi organizimin institucional të liceut, i cili do të rregullohet në bashkëpunim mes palës shqiptare dhe asaj franceze.
Pala franceze, tha Kumbaro, përveç ekspertizës, do të sigurojë edhe financimin e pagës së drejtuesit të liceut, shtetas francez, për një afat pesëvjeçar.
“Mësimdhënia bazohet në një bashkërendim të kurrikulave kombëtare shqiptare dhe franceze, me respekt të plotë për integritetin e secilit shtet. Lëndët që zhvillohen në frëngjisht mbikëqyren nga ministria franceze e arsimit, kurse ato në shqip e në anglisht mbikëqyren nga institucionet përgjegjëse shqiptare”, tha Kumbaro.
Burimi ATSH


















