
Program i ri për mbështetjen e prodhuesve shqiptarë në përafrimin me standardet e BE-së
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po punon për hartimin e një programi të dedikuar për mbështetjen e bizneseve prodhuese në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po punon për hartimin e një programi të dedikuar për mbështetjen e bizneseve prodhuese në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bashkë me ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj, zhvilluan në Tiranë një takim me përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, ku në fokus ishte zbatimi i ligjit për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit, detyrimet e reja dhe sfidat që ky proces sjell për sipërmarrjen.
“Procesi i integrimit në Bashkimin Europian kërkon përshtatje dhe investime nga sipërmarrja shqiptare, ndaj është e rëndësishme të identifikojmë në kohë nevojat dhe kostot që shoqërojnë këtë proces”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se programi që po hartohet do të përqendrohet në informimin e bizneseve, identifikimin e investimeve të nevojshme dhe krijimin e instrumenteve financiare në mbështetje të tyre.
Ajo theksoi gjithashtu se paralelisht po punohet përmes reformës së derregullimit, me synim thjeshtimin e procedurave administrative dhe eliminimin e barrierave të panevojshme që pengojnë zhvillimin e sipërmarrjes.
“Përmes dialogut të vazhdueshëm me biznesin, po punojmë për të adresuar sfidat e këtij tranzicioni dhe për të përgatitur sipërmarrjet shqiptare që të konkurrojnë me sukses në tregun europian”, deklaroi Ibrahimaj.
Burimi ATSH


















