
Historia e diktaturës në shkolla, në fokus përditësimi i kurrikulave dhe trajnimi i mësuesve
Përditësimi i kurrikulave, pasurimi i teksteve shkollore, formimi profesional i mësuesve dhe përdorimi i burimeve të hapura digjitale ishin në fokus të tryezës teknike të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me synimin për të forcuar edukimin e brezave të rinj mbi diktaturën komuniste të viteve 1944–1991.

Përditësimi i kurrikulave, pasurimi i teksteve shkollore, formimi profesional i mësuesve dhe përdorimi i burimeve të hapura digjitale ishin në fokus të tryezës teknike të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me synimin për të forcuar edukimin e brezave të rinj mbi diktaturën komuniste të viteve 1944–1991.
Në aktivitetin me temë “Nga politikat arsimore te mësimdhënia e historisë së diktaturës komuniste (1944–1991): Arritjet, sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit ndërinstitucional” morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), institucioneve të kujtesës, universiteteve, studiues historie, ekspertë të edukimit, drejtues shkollash, mësues dhe studentë.
Tryeza u moderua nga Erjola Likaj, këshilltare ligjore pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në hapje, ambasadori Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi rëndësinë e edukimit historik si pjesë e proceseve të drejtësisë tranzicionale, duke nënvizuar nevojën që nxënësit të kenë informacion të besueshëm mbi diktaturën komuniste, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe pasojat e tyre për individët dhe shoqërinë.
Ai evidentoi rëndësinë e përfshirjes së dokumenteve arkivore, dëshmive gojore, burimeve digjitale dhe vendeve të kujtesës në procesin mësimor, si dhe të mbështetjes së vazhdueshme për mësuesit.
“Mënyra se si e mësojmë historinë pasqyron vlerat që dëshirojmë t’u përcjellim brezave të ardhshëm”, u shpreh Tarran.
Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula, e nisi fjalën e saj me pyetjen se çfarë di për diktaturën një nxënës që ulet sot në bankën e shkollës, duke evidentuar përgjegjësinë e institucioneve arsimore dhe të kujtesës përballë nostalgjisë, gjysmë të vërtetave dhe dezinformimit.
Duke iu referuar mendimit historiografik dhe metodologjive bashkëkohore të edukimit historik, Sula nënvizoi rëndësinë e verifikimit të burimeve, ballafaqimit të dëshmive, kontekstualizimit të ngjarjeve dhe zhvillimit të mendimit kritik te nxënësit.
“Diktatura nuk burgosi vetëm njerëz. Burgosi edhe të kaluarën. Rishkroi tekstet, fshiu emra nga fotografitë, i ktheu fëmijët në ‘biografi të keqe’ dhe kujtesën në faj”, tha Sula, duke theksuar se shkolla, e cila dikur u përdor për të fshehur të vërtetën, duhet të bëhet vendi ku ajo zbulohet, pyetet dhe kuptohet.
Duke iu referuar përvojës dhjetëvjeçare të Autoritetit në hapjen e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, ajo theksoi se njohja e së kaluarës mbetet një proces i papërfunduar dhe se nxënësit duhet të bëhen pjesë aktive e zbulimit të saj.
“Një dosje e Sigurimit nuk është e vërteta. Është zëri i atij që përndiqte. E vërteta lind kur nxënësi pyet: kush e shkroi, me çfarë qëllimi, kush mungon në këtë faqe dhe çfarë thonë burimet e tjera?”, u shpreh Sula.
Ajo evidentoi rolin e historianëve në kërkimin e zërit që mungon në dokumentet e përndjekjes, atë të viktimës, familjes dhe dëshmitarit, duke kërkuar bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet historianëve, universiteteve, arkivave, institucioneve të kujtesës dhe mësuesve.
“Një studim që nuk arrin në klasë mbetet në gjysmë të rrugës”, u shpreh Sula, e cila propozoi tre drejtime konkrete bashkëpunimi: trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve të historisë, ndërtimin e përbashkët të burimeve të hapura digjitale dhe hartimin e një kalendari ndërinstitucional për vitin 2027, me përgjegjësi të qarta dhe hapa të matshëm.
Shkëlqim Allkaj, drejtor i Zhvillimit të Politikave të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, prezantoi zhvillimet në politikat arsimore dhe përfshirjen e bashkëpunimit me Autoritetin e Dosjeve, si dhe të datave të kujtesës historike, në udhëzimet e vitit shkollor.
Ai evidentoi nevojën për akses të barabartë në burimet edukative, përfshirë shkollat në zonat rurale, pasurimin e bibliotekave shkollore dhe koordinimin ndërmjet strukturave arsimore për zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve.
Ndërsa Gerti Janaqi, drejtor i përgjithshëm i ASCAP-it, vlerësoi progresin në përfshirjen e tematikave të diktaturës komuniste në kurrikulat kombëtare të historisë, duke theksuar se sfida aktuale është përshtatja e mësimdhënies me mënyrën se si brezat e rinj marrin dhe përpunojnë informacionin.
Janaqi nënvizoi rëndësinë e edukimit mediatik, digjitalizimit dhe përdorimit të materialeve audiovizuale, veçanërisht për të shmangur deformimin e së vërtetës historike përmes shkëputjes së fakteve nga konteksti.
“Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bën një punë fantastike, por nëse nuk investojmë në trajnimin e mësuesve, për mua kjo betejë është e cunguar”, u shpreh ai.
Në kuadër të marrëveshjes me AIDSSH-në, Janaqi bëri të ditur se po punohet për planet e veprimit për vitet 2027 dhe 2028, pasurimin e platformës “Mësojmë nga e Kaluara” dhe zhvillimin e moduleve specifike të trajnimit, me përfshirjen e universiteteve dhe rrjeteve profesionale. Ai përmendi gjithashtu mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për përpunimin e dokumentacionit, pa cenuar autenticitetin e fakteve historike.
Dr. Ornela Arapi, drejtore e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar në AIDSSH, theksoi se edukimi për demokraci nuk kufizohet në njohjen e institucioneve dhe rregullave demokratike, por kërkon kuptimin kritik të së kaluarës dhe ndërgjegjësimin për pasojat e diktaturës.
“Kujtesa historike është një burim i rëndësishëm për këtë proces, sepse ndihmon të kuptojmë se demokracia nuk është e mirëqenë, por kërkon njohje, angazhim dhe mbrojtje të vazhdueshme”, u shpreh Arapi.
Ajo prezantoi kontributin e Autoritetit përmes veprimtarive edukative, botimeve, dokumentarëve, vizitave në arkiv dhe burimeve digjitale, të cilat synojnë ta shndërrojnë dokumentin historik në një mjet për të nxënit dhe reflektimin qytetar.
Në vijim, Ines Todhe, eksperte e Zhvillimit të Kurrikulave në ASCAP, prezantoi zhvillimet në kurrikulën e historisë, ku tematikës “Shqipëria gjatë regjimit komunist, 1944–1990” i kushtohen 12 orë mësimore. Ajo theksoi nevojën për të kaluar nga përshkrimi i ngjarjeve dhe renditja e formave të represionit drejt analizës së pasojave të tyre në jetën e individëve dhe shoqërisë.
Ndër zhvillimet e propozuara për vitin 2027 është edhe moduli me zgjedhje “Aspekte të jetës gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri”, që krijon mundësi për trajtimin e historisë lokale, historive familjare dhe përvojave individuale.
“Një brez e rrëfen atë që ka jetuar. Brezi tjetër, duke bërë pyetje dhe duke kërkuar prova, mëson ta kuptojë. Kështu kujtesa bëhet pjesë e edukimit historik”, u shpreh Todhe.
Dr. Brunilda Çërraga, përgjegjëse e Edukimit Qytetar në AIDSSH, prezantoi një model për integrimin e dokumentacionit arkivor në procesin mësimor, të strukturuar në pesë hapa: identifikimi i burimeve, verifikimi dhe kontekstualizimi historik, përpunimi didaktik, përdorimi në klasë dhe vlerësimi i të nxënit e reflektimit qytetar.
Përmes shembujve konkretë, si dokumentet dhe dëshmitë mbi burgun e Spaçit, kampet e internimit në Valias e Kamëz dhe ballafaqimi i filmave propagandistikë me dokumentacionin arkivor, ajo evidentoi mundësitë që ofrojnë burimet e Autoritetit për mësimdhënien e historisë.
Prof. dr. Enriketa Pandelejmoni, pedagoge në Departamentin e Historisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në Universitetin e Tiranës, solli përvojën universitare në edukimin mbi drejtësinë tranzicionale. Ajo evidentoi rëndësinë e qasjes ndërdisiplinore, praktikave profesionale, shkollave verore dhe dimërore, vizitave studimore dhe nismave si “History Lab”.
Përvojën evropiane e prezantoi Urszula Bijoś, koordinatore e platformës edukative “Hi-Story Lessons” pranë Rrjetit Evropian të Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS). Ajo solli modele të përdorimit të burimeve historike, ekspozitave, materialeve audiovizuale dhe ushtrimeve edukative për identifikimin e narrativave të njëanshme, manipulimit të informacionit dhe propagandës.
Në sesionin e diskutimeve të hapura, Kujtim Lamthi, drejtues i shkollës së mesme në Koplik, evidentoi mungesën në tekstet shkollore të ngjarjeve të rëndësishme historike të Malësisë së Madhe dhe nevojën për një përfaqësim më të gjerë të historisë lokale.
Mësueset Yllka Muka, Albana Janko dhe Mirela Golem Sakej sollën përvojat e tyre nga procesi mësimor, duke ngritur çështjen e mungesës së burimeve plotësuese dhe trajtimit të pamjaftueshëm të disa ngjarjeve dhe figurave historike, veçanërisht të disidencës shqiptare.
Mirela Golem Sakej, mësuese historie në shkollën “Oso Kuka” dhe drejtuese e rrjetit profesional, solli në diskutim përvojat e vendeve të tjera ish-komuniste dhe nevojën për zhvillimin e metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies.
Ergys Mërtiri, përgjegjës i Sektorit të Edukimit në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), prezantoi kontributin e institucionit në edukimin e brezave të rinj dhe problematikat e hasura ndër vite në bashkëpunimin ndërinstitucional për përfshirjen e burimeve të kujtesës në procesin mësimor.
Prof. dr. Merita Poni, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, evidentoi arritjet e programit të masterit në drejtësi tranzicionale dhe potencialin e tij për të ndikuar në formimin e mësuesve të ardhshëm, përmes ndërthurjes së historisë me shkencat sociale, drejtësinë dhe edukimin.
Ndërsa prof. Rudina Mita, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, vlerësoi nismën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të kujtesës dhe atyre arsimore.
Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, propozoi krijimin e një grupi trajnerësh, me përfshirjen e mësuesve nga rajonet dhe studentëve të viteve të fundit të historisë, për të zgjeruar përdorimin e burimeve arkivore në shkolla dhe për të mbështetur mësuesit në trajtimin e historisë së diktaturës komuniste.
Nga ana tjetër, Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit, propozoi realizimin e një anketimi të ri kombëtar, duke iu referuar studimit të publikuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në vitin 2016 mbi njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste.
Sipas tij, përsëritja e këtij studimi, një dekadë pas ngritjes së Autoritetit, do të mundësonte vlerësimin e ndryshimeve në njohuritë, perceptimet dhe qëndrimet e shoqërisë shqiptare ndaj diktaturës, përfshirë nostalgjinë për regjimin komunist. Gjetjet do të shërbenin për orientimin e mëtejshëm të politikave të edukimit dhe kujtesës historike.
Në diskutime u përfshinë edhe studentët, të cilët evidentuan rëndësinë që marrëveshjet dhe politikat institucionale të gjejnë zbatim konkret në auditorë dhe në klasat e shkollave.
Në përmbyllje të tryezës, Gentiana Sula bëri të ditur se është nënshkruar kontrata për zhvillimin teknik të platformës “Mësojmë nga e Kaluara: Burime të Hapura 1944–1991”.
Ajo propozoi që platforma të zhvillohet si një hapësirë e përbashkët bashkëpunimi, me një strukturë kolegjiale ku institucionet e kujtesës, ASCAP-i, universitetet, studiuesit dhe mësuesit të kontribuojnë në pasurimin, verifikimin dhe përshtatjen pedagogjike të përmbajtjes.
AIDSSH do të ofrojë mbështetjen teknike dhe dokumentare, ndërsa partnerët do të kontribuojnë me ekspertizën historike, shkencore dhe pedagogjike. Platforma synon të krijojë mundësi edhe për përfshirjen e historive lokale, dokumenteve familjare, botimeve, filmave dhe dëshmive.
Ndër prioritetet e diskutuara për bashkëpunimin gjatë vitit 2027 janë realizimi i një anketimi të ri kombëtar mbi njohuritë dhe perceptimet e shoqërisë shqiptare ndaj së kaluarës komuniste, pasurimi i teksteve dhe bibliotekave shkollore me burime mbi diktaturën, disidencën dhe historinë lokale, si dhe zhvillimi i paketave didaktike dhe pilotimi i tyre në shkolla.
Në fokus do të jenë gjithashtu hartimi i moduleve specifike për trajnimin e mësuesve në bashkëpunim me universitetet dhe rrjetet profesionale, pasurimi i platformës me materiale të verifikuara dhe të përshtatura sipas grupmoshave, si dhe zgjerimi i veprimtarive edukative me shkollat, klubet e librit dhe filmit, vizitat në arkiv dhe në vendet e kujtesës.
Propozimet përfshijnë edhe mbështetjen e nismave krijuese të mësuesve, shqyrtimin e mundësisë së krijimit të një fondi për projekte edukative dhe hartimin e një kalendari të përbashkët ndërinstitucional me objektiva dhe përgjegjësi të matshme.
Në mesin e dhjetorit parashikohet një takim i mëtejshëm me partnerët dhe zhvilluesin e platformës për konkretizimin e hapave të bashkëpunimit.
Që prej marrëveshjes së 18 marsit 2021 me Ministrinë e Arsimit, AIDSSH ka zgjeruar programet edukative për njohjen e historisë së diktaturës komuniste. Në vitin 2023 u prezantua projekti i burimeve arsimore të hapura, ndërsa në vitin 2026 u thellua bashkëpunimi me ASCAP-in.
Gjatë viteve 2024–2025, Turi i Leximit u shtri në 10 qytete, me pjesëmarrjen e 520 nxënësve dhe 30 mësuesve. Klubi i Librit përfshiu 446 pjesëmarrës, Arkivi i Hapur 574 pjesëmarrës, ndërsa Klubi i Filmit, i çelur në bashkëpunim me AQSHF-në në nëntor 2025, përfshiu 265 pjesëmarrës gjatë atij viti.
Krahas këtyre programeve, Autoriteti ka zhvilluar produkte edukative, ndër të cilat botimet “Dielli lind në Spaç” dhe “Kufij të thyer”, filmi “3 ditët e lirisë në Spaç”, dokumentari “Ana tjetër e Valiasit”, Mediateka, Fototeka dhe faqja Spac.al.
Projekti “Mësojmë nga e Kaluara: Burime të Hapura 1944–1991” synon ta vërë këtë pasuri dokumentare dhe edukative në shërbim të mësuesve dhe nxënësve, me qëllim që brezat e rinj të njohin të kaluarën, të shqyrtojnë provat historike dhe të kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së lirive dhe vlerave demokratike.
Marrë nga ATSH


















