Shqipëria dhe Kosova përkujtojnë 28 Nëntorin, Malaj: Edhe 114 vjet më parë në Vlorë ishte e pranishme Kosova

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi pritjen tradicionale me rastin e 28 Nëntorit, 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.


Ambasada e Shqipërisë në Kosovë organizoi pritjen tradicionale me rastin e 28 Nëntorit, 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.

Në pritjen e organizuar nga ambasadori Petrit Malaj morën pjesë presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, përfaqësues të institucioneve dhe të politikës, deputetë dhe personalitete të jetës publike.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, në fjalën e mbajtur me këtë rast, tha se Kosova ishte e pranishme edhe në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të lidhjes së përbashkët në aspiratën për liri dhe shtetësi.

Në ceremoninë për përkujtimin e 28 Nëntorit, organizuar në Prishtinë, Malaj tha se flamuri kombëtar, më shumë se një shekull pas ngritjes së tij, kujton jo vetëm prejardhjen, por edhe përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.

“114 vjet më parë, në Vlorë, Ismail Qemali dhe burrat e Rilindjes Kombëtare ngritën flamurin kuqezi duke i dhënë jetë një aspirate shekullore. Në atë akt historik, ishte e pranishme edhe Kosova, si dëshmi e gjallë se ideali i lirisë dhe i shtetësisë shqiptare nuk njihte kufij krahinorë. Sot, më shumë se një shekull më vonë, ky flamur na kujton jo vetëm nga vijmë, por mbi të gjitha çfarë përgjegjësie kemi përpara brezave që vijnë”, tha Malaj.

Ai theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës burojnë nga historia, gjuha dhe trashëgimia e përbashkët, ndërsa rëndësia e tyre, sipas tij, qëndron në shndërrimin e kësaj lidhjeje në bashkëpunim konkret dhe zhvillim.

Malaj përsëriti se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në forcimin e shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar dhe në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe në aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike. Kjo mbështetje për ne nuk është thjesht një qëndrim politik. Por një bindje strategjike e bazuar në interesin e përbashkët kombëtar, për një Kosovë të fortë demokratike të sigurt dhe të integruar ndërkombëtarisht”, tha ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj u shpreh mirënjohës për përvojën e tij gjatë misionit diplomatik në Kosovë, duke thënë se përtej angazhimit institucional, nga Prishtina largohet me miqësi, respekt dhe kujtime të çmuara.

Malaj tha se gjatë qëndrimit në Kosovë është ndier i mirëpritur, ndërsa ka falënderuar krerët e institucioneve, kolegët, trupin diplomatik, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për mbështetjen.

“Kur erdha në Prishtinë, erdha me përgjegjësinë dhe privilegjin për të përfaqësuar Republikën e Shqipërisë. Sot pas këtij misioni, largohem me shumë më tepër sesa përvoja e një ambasadori. Largohem me miqësi të sinqerta, me respekt të ndërsjellë me kujtime që do të mbeten gjallë në mendjen dhe zemrën time, dhe mbi të gjitha, me ndjenjën se në Kosovë kam qenë gjithmonë i mirëpritur”, tha Malaj.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, tha se flamuri kuqezi përfaqëson jo vetëm shtetin shqiptar, por edhe gjithë kombin shqiptar, duke simbolizuar historinë, sakrificën dhe përpjekjet ndër breza për liri.

Në ceremoninë e shënimit të 28 Nëntorit, ajo tha se shqiptarët, edhe në periudhat më të vështira historike, nuk hoqën dorë nga gjuha, identiteti dhe e drejta për të jetuar të lirë e të pavarur.

“Ajo është simbol i shtetit shqiptar, por edhe i gjithë kombit tonë, kudo që jetojnë shqiptarët. Ajo na kujton historinë tonë, përpjekjet e brezave, sakrificat dhe luftën për liri. Na kujton se edhe në kohët më të vështira, shqiptarët nuk hoqën dorë nga gjuha, identiteti dhe e drejta për të jetuar të lirë e të pavarur”, tha ajo.

Presidentja Pula ka kujtuar edhe kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, duke përmendur Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe të tjerë që u bashkuan rreth idealit të Shqipërisë së lirë.

Ajo ka thënë se 28 Nëntori për Kosovën është festë e katërfishtë, duke përfshirë Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur për UÇK-në dhe ish-krerët e saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, presidentja theksoi se lufta e saj ishte e drejtë dhe për liri.

“Kur krerët e saj po përballen me drejtësinë në Hagë, ne nuk heqim dorë nga e vërteta historike. Asnjë proces gjyqësor nuk mund të zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo”, deklaroi presidentja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, por jo e shkëputur nga kombi shqiptar, duke i cilësuar marrëdhëniet me Shqipërinë si vëllazërore dhe strategjike.

Kurti ka kujtuar gjenocidin e viteve 1998-1999 në Kosovë, luftën çlirimtare dhe shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Ai tha se Kosova synon të zhvillohet krahas demokracive përparimtare dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Republika e Kosovës është më vete por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar. Prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë. Por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar, zbatuar ose janë në proces zbatimi gjithsej 190 marrëveshje, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme të rëndësishme për qytetarët e të dyja vendeve.

“Janë nënshkruar, zbatuar apo po zbatohen 190 marrëveshje gjithsej ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ato përfshijnë fusha të rëndësishme, për jetën e qytetarëve tanë. Arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, sigurinë, kulturën, diasporën dhe shumë fusha të tjera”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët perëndimorë, duke përmendur në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Turqinë, Japoninë dhe Zvicrën.

/KosovaPress/

Gonxhja: Tradita e bukës bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, fëmijët njihen me gatimet e përbashkëta

Tradita e përgatitjes së bukës dhe gatimet e përbashkëta shqiptare u përcollën te brezat e rinj përmes një aktiviteti kulturor…

Global 360

Arabia Saudite e para në botë për shërbimet qeveritare digjitale, përmbush objektivin e Vizionit 2030

Mbretëria renditet e para mes 194 vendeve dhe territoreve të vlerësuara nga OKB-ja për shërbimet qeveritare online dhe ngjitet në…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Liria e besimit nuk mbrohet vetë

Nga kujtesa e Hafiz Sabri Koçit te përgjegjësia për të ndërtuar institucione

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Gonxhja: Tradita e bukës bashkon Shqipërinë dhe Kosovën, fëmijët njihen me gatimet e përbashkëta

Tradita e përgatitjes së bukës dhe gatimet e përbashkëta shqiptare u përcollën te brezat e rinj përmes një aktiviteti kulturor…