
Gogu: Dhunës duhet t’i themi stop, nuk mund të qëndrojmë spektatorë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu theksoi sot rëndësinë e reagimit të shoqërisë ndaj rasteve të dhunës, duke nënvizuar se përgjegjësia për parandalimin e saj nuk u takon vetëm institucioneve, por çdo qytetari.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu theksoi sot rëndësinë e reagimit të shoqërisë ndaj rasteve të dhunës, duke nënvizuar se përgjegjësia për parandalimin e saj nuk u takon vetëm institucioneve, por çdo qytetari.
Në një reagim pas shfaqjes teatrale “Kush e solli dhunën në konak?”, Gogu vlerësoi mesazhin e përcjellë nga të rinjtë përmes interpretimit, i cili i ftonte të pranishmit të mos qëndronin spektatorë përballë dhunës, por të ndërhynin për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.
“Në Ministrinë e Drejtësisë nuk e kemi luksin që na dha sonte teatri: të kthejmë kohën mbrapsht. Por kemi përgjegjësinë të veprojmë në kohë”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se reagimi ndaj dhunës duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët, duke përfshirë institucionet, prindërit, fqinjët dhe qytetarët.
“Si prindër, si fqinjë, si qytetarë, nuk mund të qëndrojmë spektatorë, por duhet të ndërhyjmë për t’i thënë stop dhunës”, deklaroi Gogu.
Ministri falënderoi Qendrën për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) për organizimin e kësaj nisme, Ambasadën Franceze për mbështetjen, Fondacionin Art Land dhe nxënësit e Klea Huta Academy për realizimin e shfaqjes.
Burimi ATSH



















