
Rama: Frekuentim mbresëlënës nga qytetarët në platformën “Fol me Kryeministrin”
Platforma “Fol me Kryeministrin” shërben si një urë funksionale komunikimi në 24 orë, ku një skuadër e dedikuar garanton shkëmbimin e informacionit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Platforma “Fol me Kryeministrin” shërben si një urë funksionale komunikimi në 24 orë, ku një skuadër e dedikuar garanton shkëmbimin e informacionit mes qytetarëve dhe institucioneve.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Agjencinë për Media dhe Informim, ku punohet intensivisht edhe për platformën “Fol me Kryeministrin”, e cila, siç theksoi Rama, “ka një frekuentim mbresëlënës nga qytetarët”.
Drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa e njohu Kryeministrin nga afër me punën që zhvillohet në këtë agjenci për adresimin e ankesave të qytetarëve.
Ndërkohë, sipas drejtoreshës së Informimit të Medias në MIA, Elona Sinaj, rastet janë në shtim nga dita në ditë.
“Ka një interes shumë të madh për platformën. Ne i trajtojmë, u japim një përgjigje të parë atyre, pastaj i përcjellim tek institucionet përkatëse. Po jo vetëm i përcjellim, edhe nuk i lëmë rehat institucionet. Domethënë vazhdimisht kërkojmë”, u shpreh Sinaj.
Përgjegjëse për sektorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Sinaj theksoi se gati 70% e rasteve janë trajtuar me shumë përparësi dhe kanë marrë përgjigje.
Sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë, punonjësit e MIA-s janë të angazhuar maksimalisht për të adresuar shqetësimet e qytetarëve tek institucionet përgjegjëse duke i ndjekur rastet deri në kthimin e përgjigjeve.
/Marrë nga ATSH















