
Demo: Ministria e Brendshme 40 miliardë lekë në 2027-ën
Buxheti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2027 do të arrijë në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë.

Buxheti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2027 do të arrijë në rreth 40 miliardë lekë, me një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend ku po prezantohet projektbuxheti 2027, bëri të ditur se një nga prioritetet kryesore të këtij financimi është përmirësimi i trajtimit financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, krahas investimeve në infrastrukturë, teknologji dhe pajisje.
Me buxhetin e ri rreth 8170 punonjës të Policisë së Shtetit me gradën “Inspektor” do të përfitojnë një rritje page prej 23 600 lekësh në muaj, duke përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë. Kjo përfaqëson një rritje prej 27%.
Ndërsa për të gjitha gradat e tjera parashikohet një rritje prej 15 000 lekësh në muaj, me një efekt që, duke përfshirë vjetërsinë, varion nga 13% deri në 17%.
Demo e cilësoi këtë si rritjen më të lartë të pagave për Policinë e Shtetit në vitet e fundit, duke theksuar se mbështetja financiare duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e kushteve të punës, logjistikës dhe investimeve në teknologji e pajisje.
“Pas çdo uniforme është një njeri, është një familje, e cila sakrifikon po aq sa punonjësit e Policisë së Shtetit”, u shpreh ministri, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes për punonjësit dhe familjet e tyre.
Një tjetër element i paketës së mbështetjes është mbulimi 100% i shpenzimeve për orët jashtë orarit, uniformat, karburantin, mirëmbajtjen dhe kompensimin ushqimor për punonjësit e policisë.
Për investimet e brendshme janë parashikuar 2,8 miliardë lekë. Ndër projektet kryesore për vitin 2027 është edhe investimi për Drejtorinë e Policisë Vendore Tiranë, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të punës për efektivët.
Ministri u ndal edhe te financimi i pushtetit vendor, duke bërë të ditur se në vitin 2027 do të vijojë skema e financimit të bazuar në performancën e bashkive, me një fond prej 200 milionë lekësh, për të nxitur përmirësimin e qeverisjes dhe cilësisë së shërbimeve publike.
Sa i përket procesit të rindërtimit, nga fondi prej 5 miliardë lekësh i parashikuar për vitin 2026, 1,8 miliardë lekë do t’i akordohen Bashkisë së Tiranës për përshpejtimin e procesit e rindërtimit nga tërmeti 2019.
Demo deklaroi se, “për vitin 2027 parashikohet vijimi i mbështetjes financiare në të njëjtin nivel për bashkitë e prekura nga tërmeti, me qëllim përfundimin e proceseve të rindërtimit dhe përmirësimin e kushteve të strehimit”.
Ai tha se viti 2027 do të vendosë në fokus reformën territoriale dhe decentralizimin. “Reforma territoriale do të zërë një vend të rëndësishëm në 2027-ën. Sot miratojmë edhe kohëzgjatjen e komisionit të posaçëm të reformës. Në 2027-ën vazhdojmë me grantin e performancës që do të financohet me 200 milionë lekë dhe i bën bashkitë të kenë impakt direkt në shërbimet që ofrojnë. Decentralizimi do të jetë fokusi në 2027″, tha Demo.
/Marrë nga ATSH


















