
Rama: Revolucioni i Flamingove, rezultat i një urrejtjeje kundër Trump
Kryeministri Edi Rama tha sot se protestat që shpërthyen në fillim të qershorit kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, të quajtur Revolucioni Flamingo, ishin rezultat i një urrejtjeje kundër presidentit amerikan Donald Trump

Kryeministri Edi Rama tha sot se protestat që shpërthyen në fillim të qershorit kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, të quajtur Revolucioni Flamingo, ishin rezultat i një urrejtjeje kundër presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë fjalës së tij në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA) në Dublin (Irlandë), Rama tha se, nëse hija e Trump-it nuk do të ishte e pranishme në këtë çështje mjedisore, askush nuk do të kishte dëgjuar për flamingot në Shqipëri.
“Ky Revolucion i Flamingove, që emrin e ka shumë tërheqës, është rezultat i një urrejtjeje kundër Donald Trump-it. Nëse hija e Donald Trump-it nuk do të ishte në sfond të kësaj çështjeje mjedisore, e cila në fakt nuk është as çështje, atëherë nuk do të ishte dëgjuar për flamingot në Shqipëri. Kështu që të gjithë kundërshtarët, opozita, kritikët, ata që urrejnë Donald Trump-in gjetën Bulevardin e Tiranës për ta bërë këtë betejë”, tha Rama.
Sipas tij, lidhur me këtë çështje u përhapën shumë gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta.
“Kështu funksionon sot, ajo çfarë kam përjetuar është e vështirë, sidomos për një vend të vogël për të hedhur të vërtetën në hapësirën e madhe të medias sot. Kaq shumë gënjeshtra, kaq shumë gjysmë të vërteta që janë dhe më keq sesa gënjeshtrat që janë shpërndarë”, tha ai.
Rama u pyet gjithashtu nëse protestat në vend do ta vështirësonin bindjen e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian për përparimin e Shqipërisë në kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë më thelbësorët në procesin e anëtarësimit.
Rama u shpreh se Komisioni është një mekanizëm i sofistikuar që i vlerëson vendet mbi baza faktike dhe jo mbi perceptime apo interesa specifike. Kreu i qeverisë theksoi se raporti i Komisionit përbënte një vlerësim tërësor dhe të besueshëm të asaj që shkonte mirë, të asaj që nuk shkonte mirë, të arritjeve, të mangësive dhe të gjërave që duhej të përmirësoheshin.
“Nuk ka asnjë shans që kjo gjë do të ndikojë në ndonjë mënyrë Komisionin, sepse është e pamundur të ndikosh te Komisioni. Është një makineri e pamëshirshme burokracie që nuk mendohet se është kopjuar ndonjëherë nga njerëzimi dhe është e pamundur të kopjohet, është unike”, tha Rama.
/Marrë nga ATSH


















