
Demo: Rritje historike e pagave në Policinë e Shtetit, 20 mijë lekë më shumë për nivelin bazë
Punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje të pagave, me 20 mijë lekë shtesë për nivelin bazë dhe 15 mijë lekë për punonjësit e tjerë të strukturave policore.

Punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje të pagave, me 20 mijë lekë shtesë për nivelin bazë dhe 15 mijë lekë për punonjësit e tjerë të strukturave policore.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në një deklaratë të përbashkët me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Demo kujtoi se rritja ishte paralajmëruar më herët, më 7 shtator, gjatë aktivitetit në Akademinë e Sigurisë, me rastin e nisjes së vitit të ri akademik.
“Do të kemi një rritje të konsiderueshme. Siç kam përmendur edhe më 7 shtator, në fillimin e vitit të ri në Akademinë e Sigurisë, paga bazë do të rritet me 20 mijë lekë të reja, ndërsa të gjithë punonjësit e tjerë të Policisë do të përfitojnë 15 mijë lekë të reja më shumë”, u shpreh ministri.
Ai e cilësoi këtë një rritje të rëndësishme në trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Kjo është një rritje e konsiderueshme, e cila është ndër rritjet më të larta historike, për sa i përket trajtimit financiar të strukturave të Policisë së Shtetit, dhe është një trajtim më se i merituar, për sa i përket angazhimit të tyre në territor, për të garantuar rend dhe siguri publike, për të mbajtur zhvillimin edhe të sektorit të turizmit, dhe jo vetëm, për sa i përket atyre shërbimeve që janë jetike për një vend të sigurt”, tha Demo.
Po ashtu, shtoi ministri, “në projektbuxhet ka një sërë risish, të cilat do t’i ndjejnë edhe familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke filluar me uljen e TVSH-së për produktet e shportës, që do të ulet nga 20% në 6%, dhe po ashtu ulja e çmimit të naftës tashmë me 32 lekë në pompë, si rrjedhojë e heqjes së taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës në pompë”.
/Burimi ATSH



















