
Programi “Equinoxe Europe” sjell në Shqipëri skenaristë të njohur ndërkombëtarë
Qendra Kombëtare e Kinematografisë bëri të ditur sot se programi me një histori mbi 30-vjeçare, mbështet zhvillimin e skenarëve filmikë përmes punës me autorë dhe konsulentë profesionistë të industrisë ndërkombëtare.

Durrësi është kthyer në një pikë takimi për skenaristë dhe kineastë nga vende të ndryshme të Evropës, duke pritur për herë të parë në Shqipëri programin ndërkombëtar të zhvillimit të skenarit “Equinox”.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë bëri të ditur sot se programi me një histori mbi 30-vjeçare, mbështet zhvillimin e skenarëve filmikë përmes punës me autorë dhe konsulentë profesionistë të industrisë ndërkombëtare.
Në edicionin e këtij viti janë përfshirë edhe dy projekte shqiptare, të realizuara nga regjisorët e rinj Erenik Beqiri dhe Redi Treni, krahas projekteve të tjera premtuese nga Evropa.
Sipas QKK-së, rreth 10 konsulentë profesionistë të skenarit nga vende të ndryshme të botës po punojnë me autorët për përmirësimin dhe zhvillimin e skenarëve, me synimin për t’i përgatitur projektet për standardet e prodhimeve të ardhshme ndërkombëtare.
“Equinox” vlerësohet si një mundësi për të forcuar lidhjet e kineastëve shqiptarë me industrinë evropiane, si dhe për të rritur cilësinë artistike të projekteve vendase përmes shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës profesionale.
QKK thekson se sjellja e këtij programi në Shqipëri është pjesë e përpjekjeve për hapjen e kinemasë shqiptare ndaj tregut ndërkombëtar, duke i kushtuar rëndësi edukimit profesional dhe krijimit të mundësive të reja të bashkëpunimit për kineastët vendas.
Burimi ATSH


















