
“Agia” shpallet filmi më i mirë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e cilësoi këtë arritje si një lajm të madh për kinematografinë shqiptare

Filmi shqiptar “Agia” me regji të Lorin Terezit, u shpall Filmi më i Mirë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e cilësoi këtë arritje si një lajm të madh për kinematografinë shqiptare, duke qenë se Festivali Ndërkombëtar i Varshavës është një festival i Kategorisë A, ndër ngjarjet e rëndësishme të kinematografisë botërore.
“Edhe pse ky lajm vjen në një periudhë me ditë të vështira e të trazuara për Shqipërinë, sukseset e tilla na mbushin me shpresë, gëzim dhe krenari pafund. Kinemaja shqiptare prek majat ndërkombëtare dhe flet me zë të lartë në skenat më të mëdha botërore”, u shpreh ministri Gonxhja, duke përgëzuar regjisorin Terezi, producentët shqiptarë, Florenc Papas dhe Dritan Huqi si dhe gjithë ekipin realizues për këtë arritje historike.
Filmi “Agia” trajton përpjekjet e një të reje për liri dhe pavarësi, në një shoqëri të mbërthyer nga norma të ngurta tradicionale, në Shqipërinë e viteve ’90. Në film interpretojnë: Kosovare Krasniqi, Lurni Krasniqi, Afrim Muçaj, Luan Jaha, Lulzim Zeqja, Luiza Xhuvani etj. Filmi, prodhim i 2026-ës, e pati premierën botërore në festivalin e Polonisë.
Burimi ATSH























