
Gogu: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale lidhen me paraburgimin, jo me hetimet e SPAK-ut
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se ndryshimet e pritshme në Kodin e Procedurës Penale, veçanërisht ato që lidhen me paraburgimin, nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), por me nevojën për përafrimin e standardeve shqiptare me ato europiane.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se ndryshimet e pritshme në Kodin e Procedurës Penale, veçanërisht ato që lidhen me paraburgimin, nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), por me nevojën për përafrimin e standardeve shqiptare me ato europiane.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Gogu tha se ndryshimet janë diktuar nga jurisprudenca shqiptare dhe problematikat e evidentuara prej vitesh lidhur me numrin dhe kohëzgjatjen e paraburgimeve.
“Problemi është i vjetër dhe është konstatuar nga shoqëria shqiptare”, tha Gogu, duke iu referuar raporteve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Avokatit të Popullit dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës, të cilat sipas tij e kanë evidentuar këtë çështje që prej vitit 2006.
Ministri solli edhe të dhëna mbi situatën aktuale në sistemin penitenciar, duke deklaruar se janë rreth 2 210 persona në paraburgim, që përbëjnë 56% të të dënuarve dhe të paraburgosurve në sistem. Sipas tij, rreth 1 900 prej tyre ende nuk kanë një vendim nga gjykata e shkallës së parë.
Gogu theksoi se reforma nuk prek veprat penale, masat e dënimit apo mjetet dhe afatet hetimore që ka në dispozicion SPAK-u.
“Ne nuk po ndryshojmë asgjë për sa i përket Kodit Penal ku parashikohen dënimet dhe veprat penale. Veprat penale qëndrojnë ato që janë, dënimet qëndrojnë ato që janë. Mjetet hetimore që SPAK-u ka në dispozicion janë ato që janë. Afatet për të hetuar SPAK-u janë ato që janë”, u shpreh ai.
Për ndryshimet lidhen me hetimet ndaj politikanëve dhe me qëndrimin e qeverisë pas 14 vitesh në drejtim, Gogu tha se çështja e paraburgimit është ngritur prej shumë vitesh dhe nuk lidhet me raste konkrete të hetimeve të SPAK-ut.
“Problemi i paraburgimit nuk ka lidhje me SPAK-un dhe nuk prangoset SPAK-u”, deklaroi ministri, duke shtuar se ndryshimet lidhen me rregullat që zbatohen përpara se të merret një vendim gjyqësor.
Sipas Gogut, Shqipëria, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duhet të garantojë standarde të njëjta me ato europiane edhe në fushën e drejtësisë.
“Një drejtësi evropiane duhet të ketë të njëjtat standarde evropiane”, tha Gogu, duke e lidhur ndërhyrjen në legjislacion edhe me procesin e integrimit europian.
Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal pritet të sjellin rishikime në mënyrën se si trajtohet paraburgimi, ndërsa ministri nënvizoi se qëllimi është adresimi i një problematike të evidentuar prej vitesh dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve përpara marrjes së një vendimi përfundimtar nga gjykata.


















