
Dhomat: Një qasje kuranore mbi realitetin social shqiptar
Dhoma është hapësira ekskluzive e tij dhe e askujt tjetër, një kufi pas të cilit fillon jeta private dhe ku askush nuk mund t’i japë vetes të drejtën të hyjë vetëm sepse dëshiron të dijë se çfarë ndodh brenda saj.

Nga Dr. Arben Ramkaj
Dhoma është hapësira e njeriut, e familjes së tij, e gëzimeve dhe brengave të tij, e virtyteve apo veseve njerëzore, e atyre gjërave që ai zgjedh t’i ndajë me të tjerët dhe e atyre që dëshiron t’i mbajë për vete. Ajo është hapësira ekskluzive e tij dhe e askujt tjetër, një kufi pas të cilit fillon jeta private dhe ku askush nuk mund t’i japë vetes të drejtën të hyjë vetëm sepse dëshiron të dijë se çfarë ndodh brenda saj.
Në Kuran ekziston një sure që quhet “El-Huxhurat” – “Dhomat”, dhe vetë emri i saj të çon pikërisht te ky kufi. Thuhet se shkaku i zbritjes së disa prej ajeteve lidhet me ardhjen në Medinë të fisit Benu Temim, përfaqësuesit e të cilit kërkonin ta takonin Profetin Muhamed dhe e thërrisnin atë nga jashtë dhomave të tij.
Transmetime të tjera përmendin rrethana të ndryshme, por ajo që ka rëndësi për ne nuk është aq debati mbi shkakun e saktë historik, sesa mesazhi që mbetet: edhe kur kërkesa jote është e drejtë, edhe kur kërkon dije, përgjigje apo takim, kjo nuk të jep të drejtën të kapërcesh kufirin e tjetrit.
Sot, “dhoma” nuk është vetëm dera fizike e shtëpisë. Ajo është telefoni, komunikimet, fotografitë, marrëdhëniet familjare, gjendja shëndetësore, të ardhurat dhe gjithçka tjetër që njeriu nuk ka zgjedhur ta bëjë publike.
Kurani thotë për ata që e thërrisnin Profetin nga jashtë dhomave se “shumica e tyre nuk kuptojnë” dhe se do të kishte qenë më mirë të prisnin derisa ai të dilte vetë tek ata. Më pas surja hyn thellë në karakterin njerëzor, duke prekur dobësi që mund të cenojnë nderin dhe dinjitetin e tjetrit: lajmin e paverifikuar, përqeshjen, etiketimin fyes, dyshimin, spiunimin dhe përgojimin.
Fakti që këto paralajmërime u drejtoheshin edhe sahabëve e bën mesazhin edhe më domethënës. Askush nuk është i imunizuar nga sprovat e karakterit njerëzor. Cenimi i njeriut nuk fillon gjithmonë me një veprim të drejtpërdrejtë ndaj tij, por shpesh me mënyrën se si e shohim, me atë që kërkojmë të dimë për të dhe me atë që themi e përhapim për jetën e tij.
Për këtë Kurani thotë:
“O ju që keni besuar! Shmangni shumë prej dyshimeve, sepse disa dyshime janë gjynah. Mos spiunoni njëri-tjetrin dhe mos përgojoni njëri-tjetrin. A dëshiron ndonjëri prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Ju do ta urrenit atë!”
(El-Huxhurat, 49:12)
Njeriu i përgojuar krahasohet me një të vdekur, sepse ai nuk është aty për t’u mbrojtur apo për të treguar versionin e tij, ndërsa emri, jeta dhe dinjiteti i tij vendosen mbi tryezë për t’u konsumuar nga të tjerët. Është një metaforë tronditëse, që tregon se çfarë bëjmë me njeriun kur jeta e tij kthehet në ushqim për kureshtjen tonë.
Kjo sure është universale dhe pikërisht për këtë arsye pasqyron sot edhe realitetin social shqiptar. Duket sikur po humbasin gradualisht privatësia, kufijtë dhe respekti për dinjitetin e tjetrit, ndërsa gjithçka duhet parë, fotografuar, regjistruar, komentuar dhe në fund publikuar.
Mjafton të hapësh Facebook-un, TikTok-un apo portalet në një ditë kur shpërthen një skandal dhe brenda pak orësh një shoqëri e tërë mund të shndërrohet në prokuror, gjykatës, moralist dhe ekspert të jetës private. Publikohen biseda, fotografi, marrëdhënie sentimentale dhe probleme familjare që shpesh nuk ndihmojnë aspak për të kuptuar çështjen, por vetëm e kthejnë jetën e tjetrit në objekt kureshtjeje dhe gjykimi.
Kjo sëmundje, në realitetin tonë, e ka një pjesë të zanafillës së saj edhe te mënyra se si politika shqiptare për dekada ka ndërtuar marrëdhënien me kundërshtarin. Kundërshtari nuk është parë thjesht si dikush që mendon ndryshe, por shpesh si përfaqësuesi i së keqes. Kur një shoqëri ushqehet gjatë me këtë mënyrë të të menduarit, ajo depërton gradualisht në familje, shoqëri, media, institucione dhe, fatkeqësisht, edhe në jetën fetare.
Mjerisht, imunë ndaj kësaj nuk janë as fetarët. Njeriu që beson dhe mendon se qëndron në anën e virtytit mund të bjerë po njësoj në përgojim, përçmim apo krenari, madje duke menduar se vepron në emër të së mirës, moralit apo fesë.
Në ajetin 13, Kurani e prek drejtpërdrejt idenë e epërsisë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin.” Dallimi mes njerëzve nuk është dhënë për të ndërtuar epërsi.
Por krenaria njerëzore është aq e hollë sa mund të hyjë edhe në besim. Njeriu mund të mendojë se përkatësia, kontributi apo sakrifica e tij fetare e vendos moralisht mbi të tjerët. Kurani prek edhe ata që e konsiderojnë besimin e tyre si një favor: “Ata ta përmendin si favor që e kanë pranuar Islamin. Thuaj: Mos ma përmendni Islamin tuaj si favor. Përkundrazi, Allahu ju ka bërë mirë juve duke ju udhëzuar në besim, nëse jeni të sinqertë.”
Në vetëm 18 ajete kemi një ekzaminim të jashtëzakonshëm të karakterit njerëzor: nga kufiri i dhomës së tjetrit te mënyra si marrim lajmin, si përdorim gjuhën, si dyshojmë dhe përgojojmë, deri te krenaria dhe pretendimi për epërsi morale.
Dhe pikërisht këtu “dhoma” merr kuptimin e saj më të thellë. Mund të dimë shumë për jetën e tjetrit, por nuk mund të dimë atë që ndodh në zemrën e tij: qëllimin, sinqeritetin, pendimin, luftën me vetveten apo raportin e tij të vërtetë me Zotin.
Prandaj surja mbyllet duke ia rikthyer njeriut kufirin e tij: “Vërtet, Allahu e di të fshehtën e qiejve dhe të Tokës. Dhe Allahu sheh gjithçka që ju bëni!”
Ajo që fillon përpara dhomave të Profetit përfundon kështu te një e vërtetë universale: ne mund të dimë diçka nga ajo që ndodh pas derës së tjetrit, por pjesa e njeriut që nuk shihet dhe nuk ekspozohet mbetet jashtë gjykimit tonë. Të fshehtën e asaj dhome e di vetëm Zoti.
Kjo sure ka zbritur më shumë se 14 shekuj më parë, por është e gjallë sot sikur të kishte zbritur mbrëmë, pikërisht për ne. Ndoshta veçanërisht për ne shqiptarët, që mes shumë plagëve të shoqërisë sonë kemi arritur ta kthejmë helmimin e njëri-tjetrit pothuajse në natyrë njerëzore, ndërkohë që nuk është e tillë.
Përgojimi, përçmimi, dyshimi dhe cenimi i privatësisë nuk janë një fatalitet që duhet pranuar. Ato duhen mbytur nga e mira, nga përgjegjësia për njëri-tjetrin dhe nga vetëdija se fjala mund të ndërtojë një njeri, por mund edhe ta shkatërrojë atë.
Ashtu siç na mëson Profeti Muhamed: “Kush beson në Zotin dhe në Ditën e Gjykimit, le të thotë fjalë të mirë ose le të heshtë.”
Ditë pas dite, shoqëria jonë ka nevojë pikërisht për këto mësime të thjeshta, por thelbësore: të respektojmë kufirin e tjetrit, të mos kërkojmë atë që ai dëshiron ta mbajë pas derës së tij, të mos ndërtojmë të vërteta mbi dyshime, të mos ushqehemi me përgojimin e tjetrit dhe të mos e ngremë veten duke ulur atë.
Sepse këto nuk janë vetëm rregulla të një kohe apo të një shoqërie të largët. Ato burojnë nga Krijuesi i Gjithësisë. E kush më mirë se Ai i njeh zemrat tona?


















