
Moreira de Sousa: Evropa përballet me kërcënime hibride dhe kibernetike, zgjerimi është investim strategjik në siguri
Diplomacia parlamentare mund të japë një kontribut të veçantë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndërsa perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor përbën një element të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, deklaroi ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa.

Diplomacia parlamentare mund të japë një kontribut të veçantë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndërsa perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor përbën një element të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, deklaroi ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Moreira de Sousa tha se takimet mes deputetëve të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate mundësojnë shkëmbimin e përvojave, njohurive dhe praktikave të punës.
“Diplomacia parlamentare mund t’i japë një kontribut të veçantë. Konferenca e sotme në vetvete është një shembull i këtij kontributi”, u shpreh ajo.
Ambasadorja theksoi se situata e sigurisë në Evropë ka ndryshuar dhe se lufta në Ukrainë ka treguar se paqja dhe stabiliteti nuk mund të merren si të mirëqena.
Sipas saj, Evropa përballet me kërcënime hibride dhe kibernetike, manipulim dhe ndërhyrje të huaja në informacion, krim të organizuar, migracion të parregullt dhe dobësi ekonomike.
“Në këtë mjedis zgjerimi nuk është vetëm politik për shndërrimin e vendeve kandidate, por është edhe investim strategjik ndaj sigurisë, stabilitetit dhe vetë rezistencës së Evropës për të ardhmen”, tha Moreira de Sousa.
Ajo nënvizoi se një Bashkim Evropian më i fortë lidhet me një Evropë më të sigurt, ndërsa një Ballkan Perëndimor më stabil dhe më i begatë kontribuon në këtë objektiv.
Duke iu referuar Shqipërisë, ambasadorja tha se vendi ka bërë zgjedhjen e tij strategjike evropiane dhe se politika e jashtme dhe e sigurisë së Shqipërisë është në përputhje me atë të BE-së.
Moreira de Sousa vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar lidhjen më të madhe të ekonomive, rritjen e mundësive për qytetarët dhe të rinjtë, si dhe trajtimin e dallimeve politike përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
Ajo u ndal edhe te objektivi i Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
“Ambicia për të mbyllur negociatat deri në 2027-ën është impenjative, kërkon angazhim të vijueshëm politik, reforma të mëtejshme të qëndrueshme dhe zbatim efikas në të gjitha kapitujt”, deklaroi ambasadorja e BE-së.
Sipas saj, Bashkimi Evropian do të vijojë të jetë mbështetësi kryesor i Shqipërisë në këtë rrugëtim, ndërsa besueshmëria e ambicies për anëtarësim do të varet nga arritjet konkrete.
“Vazhdoni me këtë punë që po bëni, mbajeni fokusin te gjërat kryesore, te rezultatet për qytetarët”, u shpreh Moreira de Sousa.
Ambasadorja theksoi se rrugëtimi evropian ka sjellë ndryshime në Shqipëri dhe se sfida e radhës është që ky proces të vijojë, në mënyrë që përfitimet e reformave të ndihen gjithnjë e më shumë nga qytetarët.
“Destinacioni është më shumë se sa thjesht anëtarësim në një organizatë, por është një Evropë e cila do të jetë më e bashkuar, më e sigurt, më e begatë dhe më rezistente ndaj kërcënimeve të së ardhmes, si dhe një Shqipëri e cila është e gatshme të kontribuojë plotësisht në Bashkimin tonë Evropian”, përfundoi ajo.
Marrë nga ATSH

















