
Tirana në hartën e “Si Viaggia” për pushime ekonomike në tetor
Tirana po shfaqet si një nga alternativat më interesante për turistët që kërkojnë pushime në vjeshtë me kosto të përballueshme, shkruan Priscilla Piazza në median italiane të udhëtimit “Si Viaggia”.

Tirana po shfaqet si një nga alternativat më interesante për turistët që kërkojnë pushime në vjeshtë me kosto të përballueshme, shkruan Priscilla Piazza në median italiane të udhëtimit “Si Viaggia”.
Kryeqyteti shqiptar është përfshirë mes 10 destinacioneve evropiane që mund të vizitohen në tetor, me një buxhet prej më pak se 500 euro, falë kombinimit të fluturimeve me kosto të ulët, çmimeve të përballueshme të akomodimit dhe klimës së favorshme gjatë kësaj periudhe.
Tetori ofron mundësi të favorshme për udhëtime me kosto të përballueshme, me një buxhet nën 500 euro.
Pas përfundimit të sezonit të lartë turistik, çmimet e fluturimeve dhe të akomodimit priren të jenë më të ulëta, ndërsa në shumë destinacione evropiane temperaturat mbeten të ngrohta.
Për ata që kërkojnë një udhëtim ekonomik në vjeshtë, tetori konsiderohet një nga periudhat më të përshtatshme për të udhëtuar me një buxhet të kufizuar.
Me fluturime me kosto ekonomike nga qytete si Milano, vizitorët mund të zgjedhin edhe destinacione më pak të frekuentuara nga turistët, ku çmimet e hoteleve mbeten relativisht të përballueshme.
Sipas artikullit, një udhëtim i tillë mund të organizohet duke llogaritur një biletë vajtje-ardhje deri në 150 euro dhe një qëndrim prej tri netësh.
Zgjedhja e akomodimeve me vendndodhje të përshtatshme, pa qenë e nevojshme të qëndrohet në hotele luksoze, mundëson që shpenzimet totale në shumë raste, të mbeten nën kufirin e 500 eurove.
Mes 10 destinacioneve të përfshira në këtë listë janë Malaga në Spanjë, Tirana në Shqipëri, Sofja në Bullgari, Shkupi në Maqedoninë e Veriut, Sarajeva në Bosnjë-Hercegovinë, Bukureshti në Rumani, Krakova në Poloni, Kaunasi në Lituani, Porto në Portugali dhe Bratislava në Sllovaki.
Tirana, në Shqipëri
Tirana veçohet si një prej destinacioneve që rekomandohet për një udhëtim ekonomik në tetor, veçanërisht për ata që kërkojnë të kombinojnë koston e përballueshme me përvojën turistike.
Kryeqyteti shqiptar përshkruhet si një qytet i gjallë, shumëngjyrësh dhe me një ofertë të gjerë akomodimesh, ndërsa kostot mbeten relativisht të ulëta krahasuar me kryeqytetet e mëdha evropiane.
Tetori paraqitet si një periudhë e përshtatshme për të vizituar Tiranën, pasi temperaturat janë më të moderuara krahasuar me muajt e verës dhe çmimet e akomodimit kanë tendencë të ulen.
Nga Milano ofrohen lidhje direkte me kompani ajrore “low cost”, ndërsa, sipas të dhënave të përmendura në artikull, tarifat për muajin tetor janë më të ulëta.
Edhe akomodimi paraqitet si një element që favorizon një udhëtim ekonomik.
Sipas kërkimeve të përditësuara, në tetor mund të gjenden dhoma me çmime rreth 30–60 euro nata, ndërsa në qendër të Tiranës ka alternativa të shumta me çmime nën 70 euro nata.
Marrë nga ATSH

















