
Ekonomia shqiptare drejt rritjes 3,5%, BERZH rrit parashikimin për vitin 2026
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar në rritje pritshmëritë për ekonominë shqiptare, duke parashikuar një rritje prej 3,5% në vitin 2026, nga 3,4% që vlerësonte në qershor

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar në rritje pritshmëritë për ekonominë shqiptare, duke parashikuar një rritje prej 3,5% në vitin 2026, nga 3,4% që vlerësonte në qershor, duke e lidhur këtë përmirësim me reformat dhe investimet që shoqërojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas raportit të BERZH, ekonomia shqiptare u rrit me 3,8% në vitin 2025 dhe vijoi të ruajë një ritëm të lartë zgjerimi edhe në fillim të këtij viti, me rritje 3,7% në tremujorin e parë. Aktiviteti u mbështet veçanërisht nga administrata publike, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.
Një tjetër element pozitiv i evidentuar nga BERZH është përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua, ndërsa të ardhurat rekord nga turizmi dhe remitancat e larta vijuan të mbështesin ekonominë. Investimet e huaja direkte u rritën me 11% në tremujorin e parë në terma vjetorë.
Përmirësim është shënuar edhe në financat publike. Në gjysmën e parë të vitit, buxheti kaloi në suficit, pas deficitit prej 1,8% të PBB-së të regjistruar në vitin 2025, ndërsa borxhi publik zbriti në 49% të PBB-së në mesin e vitit.
Kreditimi vijoi të rritet me ritme të forta, ndërsa cilësia e aktiveve të sektorit bankar u përmirësua. Këto zhvillime, së bashku me investimet dhe reformat e lidhura me integrimin europian, përbëjnë faktorë mbështetës për rritjen ekonomike në periudhën në vijim.
BERZH evidenton gjithashtu sfidat që mund të ndikojnë në perspektivën ekonomike, përfshirë presionet mbi konkurrueshmërinë, rreziqet klimatike dhe luhatshmërinë e çmimeve të energjisë.
Në nivel rajonal, BERZH pret që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të rriten mesatarisht me 3% në vitin 2026 dhe 3,5% në 2027, ndërsa Shqipëria parashikohet të ruajë një ritëm prej 3,5% në të dyja vitet.
Burimi ATSH



















