Delegacion i NATO-s vizitë në Portin e Durrësit, në fokus siguria dhe Korridori VIII
Një delegacion i nivelit të lartë të NATO-s zhvilloi sot një vizitë në Portin e Durrësit, me fokus njohjen me kapacitetet portuale dhe rëndësinë strategjike të portit dhe të Bazës Detare të NATO-s në Porto Romano për sigurinë dhe logjistikën rajonale.

Delegacioni u kryesua nga Komandanti i Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli dhe shoqërohej nga përfaqësues të Forcave të Armatosura dhe Komandanti i Forcës Detare, Kundëradmiral Arsen Mullaj.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Andrea Shllaku, dhe Oficeri i Sigurisë së Portit, Dritan Prifti.
Përfaqësuesit e NATO-s u njohën nga afër me kapacitetet përpunuese, shërbimet dhe infrastrukturën e Portit të Durrësit, si dhe me rolin e Bazës Detare të NATO-s në Porto Romano.
Në fokus të vizitës ishte gjithashtu roli strategjik i Portit të Durrësit dhe i Bazës Detare në Porto Romano në mbështetje të Korridorit VIII, lëvizshmërisë dhe bashkëpunimit me strukturat euroatlantike.
Vizita nënvizoi rëndësinë e Durrësit si një nyje e rëndësishme e transportit dhe logjistikës rajonale, si dhe rolin e tij në funksion të sigurisë dhe forcimit të bashkëpunimit me NATO-n.
Marrë nga ATSH