
Kryepeshkopi Joan thirrje maturantëve: Bëhuni protagonistë të së mirës, të paqes, të përpjekjes dhe të dashurisë
Kryepeshkopi Joan u bëri thirrje sot maturantëve të shkollës “Protagonistët” që të ndërtojnë jetën mbi vlerat e përgjegjësisë, përpjekjes, paqes dhe dashurisë, duke theksuar se suksesi i vërtetë nuk matet me garën ndaj të tjerëve, por me zhvillimin e potencialit personal.

Kryepeshkopi Joan u bëri thirrje sot maturantëve të shkollës “Protagonistët” që të ndërtojnë jetën mbi vlerat e përgjegjësisë, përpjekjes, paqes dhe dashurisë, duke theksuar se suksesi i vërtetë nuk matet me garën ndaj të tjerëve, por me zhvillimin e potencialit personal.
Gjatë ceremonisë së diplomimit të zhvilluar në Qendrën Kulturore pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, kryepeshkopi Joan përshëndeti drejtuesit e shkollës, mësuesit, nxënësit dhe prindërit, duke vlerësuar rolin e arsimit në formimin e brezit të ri.
Ai u ndal te domethënia e emrit të shkollës “Protagonistët”, duke theksuar se çdo i ri është i thirrur të jetë protagonist në jetën e tij, jo duke kërkuar lavdi personale, por duke vënë në shërbim të së mirës dhuntitë dhe aftësitë që zotëron.
Kryepeshkopi solli në vëmendje shëmbëlltyrën biblike të talantave, duke nënvizuar se secili duhet të zhvillojë dhe të shumëfishojë aftësitë e veta. Sipas tij, gara e njeriut nuk është me të tjerët, por me vetveten.
“Gjithsecili nga ne duhet t’i shumëfishojë talantat. Ne nuk e kemi garën me të tjerët, por e kemi garën me veten tonë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, kryepeshkopi Joan vlerësoi arsimin si një nga dhuratat më të çmuara për shoqërinë, duke theksuar se ai nuk kufizohet vetëm te transmetimi i njohurive, por ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik dhe të përgjegjësisë.
Ai theksoi se krahas dijes është po aq i rëndësishëm edhe formimi shpirtëror, i cili, sipas tij, edukon zemrën dhe kultivon virtyte si e vërteta, dashuria, respekti, falja, durimi dhe përgjegjësia.
Një vlerësim të veçantë kryepeshkopi Joan i kushtoi rolit të mësuesit, duke e cilësuar atë jo vetëm transmetues të dijes, por edhe udhërrëfyes dhe model për nxënësit.
Në fund të fjalës së tij, ai u bëri thirrje të rinjve të mos kenë frikë nga sfidat dhe përpjekjet.
“Bëhuni protagonistë të së mirës, të paqes, të përpjekjes dhe të dashurisë”, tha kryepeshkopi Joan, duke uruar që shkolla të vijojë të jetë një institucion ku ndërtohen jo vetëm njohuritë, por edhe karakteri dhe vlerat e brezave të rinj.
Burimi ATSH



















