Tre çerek shekulli zhvillim dhe transformim në Xizang

Ky vit shënon 75-vjetorin e krijimit të Rajonit Autonom të Xizang-ut.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Ky vit shënon 75-vjetorin e krijimit të Rajonit Autonom të Xizang-ut, (i quajtur në Perëndim si Tibet). Më 23 maj 1951, në Pekin u nënshkrua Marrëveshja midis Qeverisë Qendrore Popullore dhe Autoriteteve Lokale mbi Masat për Çlirimin Paqësor. Kjo marrëveshje shënoi fillimin e një procesi të ri historik për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të rajonit si dhe hapjen e një epoke ndryshimesh të thella.


Rajoni Autonom i Xizang-ut/Foto nga VCG

Gjatë këtij tre çerek shekulli, një rajon dikur i izoluar ka kaluar një transformim të jashtëzakonshëm. Ndërsa standardet e jetesës së popullsisë janë përmirësuar ndjeshëm, ato janë shoqëruar gjithashtu me ruajtjen dhe vazhdimësinë e kulturës dhe trashëgimisë lokale. Xizang-u njihet si një hapësirë ku spiritualiteti dhe historia ndërthuren ndër shekuj në zemër të Himalajave, shpesh e quajtur “çatia e botës”. Ky rajon ka magjepsur botën me peizazhet e tij madhështore dhe atmosferën e veçantë kulturore. Megjithatë, ajo që shpesh nuk vihet re jashtë tij është fakti se gjatë 75 viteve, rajoni është shfaqur si një pikë referimi e zhvillimit të shpejtë ekonomik dhe përmirësimit të standardeve të jetesës së popullsisë.

Sfondi i një historie suksesi

Lexuesit perëndimorë u magjepsën me disa vepra letrare, bazë e së cilës ishte Shangri-La, një vend imagjinar i cili është bërë sinonim me parajsën tokësore, veçanërisht me një utopi mistike të Himalajeve – një tokë e lumtur dhe e izoluar nga bota. Ajo që këto kryevepra letrare nuk pasqyrojnë në fakt janë kushtet e varfërisë dhe shtypjes së tejskajshme që banorët vendas vuanin nga një sistem feudal ku skllavëria ishte normale dhe kriza të vazhdueshme urie pllakosnin rajonin. Romanticizimi në nivele idilike i kolonializmit kishte si element bazë bukuritë ekzotike dhe misticizimin e vendeve që kolonizoheshin, por asnjëherë nuk është shkruar për mjerimin që mendësia imperialiste dhe pushtimi la pas për vendasit. Romanticizimi letrar, i përforcuar nga përshkrimi i shtrembër i mediave në kohët moderne, ka sjellë errësimin e disa fakteve të thjeshta, por të pamohueshme. Kjo parajsë mbi tokë nuk ishte aq e lumtur! Xizang-u dikur ishte një rajon i prapambetur që vuante nën një sistem robërie çnjerëzor. Shërbëtorët trajtoheshin si pronë private e pronarëve të tyre. Në këtë rajon, deri në fillim të viteve 1950, jetëgjatësia mesatare mbeti më pak se 35 vjet.


Rajoni Autonom i Xizang-ut/Foto nga VCG

Në vitin 1951, vetëm rreth 5% e njerëzve (fisnikët dhe lamët e elitës) zotëronin pothuajse të gjithë tokën dhe pasurinë, ndërsa rreth 95% e bujkrobërve dhe skllevërve nuk kishin pothuajse asgjë. Analfabetizmi tejkalonte 95% dhe nuk kishte asnjë shkollë të mirëfilltë për njerëzit e zakonshëm. Kujdesi mjekësor ishte praktikisht inekzistent dhe vdekshmëria e nënave ishte jashtëzakonisht e lartë.

Për qindra vite Xizang ka qenë pjesë e Kinës; në fakt, pjesë e Kinës prej më shumë se një mijë vitesh. Në fillim të shekullit të 20-të, Kina përjetoi trazira dhe pasiguri të mëdha, përfshirë agresione nga fuqi të huaja. Perandoria Britanike në Indi ishte shumë e interesuar të depërtonte në Tibet dhe rajoni gradualisht nisi të largohej nga kontrolli i qeverisë qendrore. Prandaj, marrëveshja e vitit 1951 për çlirimin paqësor të Tibetit ishte një hap shumë i rëndësishëm për ta rikthyer Tibetin në mënyrë efektive nën administrimin e qeverisë qendrore kineze. Kjo shënoi pikënisjen e transformimit. Pas 75 vitesh, progresi në Xizang është i dukshëm për këdo. Ai ka sjellë përfitime për të gjithë, për shembull, tibetianët që jetojnë në Xizang gëzojnë kushte më të mira jetese sesa komunitete të ngjashme etnike në pjesë të tjera të Azisë, si në Indi, Butan, Nepal apo rajonin e Kashmirit. Kjo është një arritje shumë e rëndësishme dhe transformimi i madh që meriton të njihet.

Zhvillimi i Xizang-ut është pjesë e zhvillimit të përgjithshëm të Kinës. Ekonomia kineze është zgjeruar jashtëzakonisht shumë dhe Xizang-u nuk është lënë pas. Në fakt, PBB-ja për frymë arrin rreth 80% të mesatares kombëtare kineze, që është afërsisht 12 mijë dollarë për frymë, çka është një arritje domethënëse, duke pasur parasysh diferencat e mëdha që ekzistonin në vitin 1951. Ashtu si kulturat e tjera etnike në Kinë, edhe kultura tibetiane konsiderohet pjesë e rëndësishme e kulturës kineze. Ekziston një mirëkuptim i plotë për nevojën e ruajtjes dhe mbrojtjes së saj. Sidomos gjatë dekadave të reformave dhe hapjes, përmirësimi ekonomik dhe reduktimi i varfërisë kanë bërë të mundur investime më të mëdha nga qeveria qendrore dhe ajo lokale në mbrojtjen e kulturës dhe fesë tibetiane. Janë mbrojtur qindra manastire budiste dhe vende fetare, sepse njerëzit e kuptojnë rëndësinë e tyre jo vetëm për Kinën, por edhe ndërkombëtarisht.


Universiteti i Xizang-ut/Foto nga VCG

Sot varfëria ekstreme është eliminuar në rajon. Jetëgjatësia është më shumë se dyfishuar, duke u rritur nga rreth 35 vjet në mbi 72 vjet. Spitalet dhe klinikat moderne tani shërbejnë edhe në qytete me lartësi të madhe, duke shpëtuar mijëra jetë çdo vit dhe duke përmirësuar ndjeshëm të drejtën më themelore të njeriut: të drejtën për jetë dhe shëndet. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka pranuar përpjekjet e Kinës në uljen e varfërisë dhe përmirësimin e standardeve të jetesës, duke vënë në dukje se është ndër rajonet që përfitojnë ndjeshëm nga këto zhvillime. Megjithatë, pjesa më e madhe e mbulimit mediatik perëndimor i Xizang-ut shpesh i anashkalon këto ndryshime, duke u përqendruar në vend të kësaj në narrativat politike, ndërsa anashkalon transformimin më të gjerë shoqëror dhe ekonomik.

Rëndësia madhore e Xizang-ut për qeverinë qendrore

Rëndësia që ka Xizang-u për qeverinë qendrore në Pekin u duk qartë në fund të korrikut 2021, kur Presidenti i Kinës, Xi Jinping zgjodhi Xizang-un për turneun e tij të parë inspektues pas 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Kinës, duke përçuar mesazhin se harmonia etnike është e rëndësishme në agjendën politike kineze. Gjatë 75 viteve të fundit, qeveria qendrore ka aplikuar shumë politika të favorshme për rajonin, duke mbuluar taksat dhe financat, infrastrukturën, zhvillimin industrial, arsimin, shëndetësinë, ruajtjen e kulturës dhe mbrojtjen e mjedisit. Kina ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur rritjen ekonomike në Xizang, e cila është subvencionuar thellësisht nga Pekini, dhe kushtet e jetesës kanë ndryshuar në mënyrë mbresëlënëse.

Nga zhvillimi ekonomik te ruajtja e kulturës dhe mbrojtja e ekosistemit lokal, zyrtarët e Rajonit Autonom të Xizang-ut thonë se dekadat e fundit kanë sjellë ndryshime të jashtëzakonshme. Në Xizang tashmë ofrohen 15 vite arsim falas, ndërsa është ngritur një sistem sigurimesh shoqërore që mbulon banorët urbanë dhe ruralë.


Dega e Maternitetit dhe Fëmijëve e Spitalit Fukang në Lhasa të Xizang-ut/Foto nga VCG

Ndihma industriale, në veçanti, është shfaqur si një gur themeli i zhvillimit të Xizang-ut, duke i dhënë frymë të re industrive unike lokale të rajonit. Duke shfrytëzuar pikat e forta të njësive mbështetëse dhe të vetë Xizang-ut, projektet kanë katalizuar një rritje të cilësisë së lartë. Qasja e Pekinit vë theksin në bashkëpunimin ndërmjet ekipeve ndihmëse, autoriteteve dhe komuniteteve lokale. Ky partneritet siguron që ndihma t’u përshtatet nevojave dhe kontekstit specifik të rajonit, dhe që aktorët lokalë të përfshihen aktivisht në procesin e zhvillimit.

Transporti me hekurudhë për Xizang/Foto nga VCG

I njohur si “çatia e botës”, Xizang-u ka një lartësi mesatare mbi 4 mijë metra mbi nivelin e detit. Terreni malor dikur e bënte të vështirë udhëtimin drejt rajonit. Sot ka mbi 140 linja ajrore vendase dhe ndërkombëtare që e lidhin rajonin me 66 qytete, ndërsa është ndërtuar një rrjet i plotë transporti me autostrada, hekurudha dhe linja ajrore. Kjo mbështetje është materializuar përmes politikave, financimeve, teknologjisë dhe talenteve njerëzore. Sa herë që përmendet Xizang-u, njerëzit sjellin ndër mend qiellin e kaltër, malet me borë dhe ujërat e kristalta. Mbrojtja mjedisore e pllajës Qinghai-Tibet nuk është e rëndësishme vetëm për Kinën, por për të gjithë botën. Rajoni njihet si “kulla e ujit e Azisë” për një arsye të fortë. Kjo performancë e jashtëzakonshme ekonomike reflektohet edhe me të ardhurat e disponueshme për frymë si për banorët urbanë ashtu edhe për ata ruralë, vazhdimisht ndër më të lartat në vend. Këto arritje janë rezultat i një fokusi strategjik në zhvillimin me cilësi të lartë të përshtatur me kushtet unike të ekonomisë vendase.

Politikat zhvillimore në aksion dhe rezultate

Xizang-u po ndryshon dhe rritja ekonomike në Xizang jo vetëm që ka qenë e qëndrueshme, por edhe e jashtëzakonshme. Infrastruktura, dikur pothuajse inekzistente, sot është simbol i ndryshimit. Autostradat, hekurudhat dhe aeroportet e kanë afruar rajonin me pjesën tjetër të Kinës dhe me botën. Zhvillimi i Xizang-ut nuk ka të bëjë vetëm me rrugët dhe hekurudhat. Ai ka të bëjë edhe me njerëzit. Rajoni po përqafon zhvillimin e gjelbër. Energjia e pastër (diellore, hidrike dhe e erës) po zhvillohet me ritme të shpejta. Zhvillimi i Xizang-ut pasqyron një përpjekje më të gjerë drejt zhvillimit gjithëpërfshirës, duke sjellë mundësi për të gjitha grupet etnike, veçanërisht për komunitetet rurale dhe baritore. Natyrisht, sfidat mbeten. Mjedisi është i brishtë dhe zhvillimi i qëndrueshëm duhet të mbetet prioritet kryesor. Por ajo që është e qartë është se Xizang sot ndodhet në një pikënisje të re: më i sigurt, më i lidhur dhe gjithnjë e më i begatë.


Energjia e pastër diellore në Xizang/Foto nga VCG

Duke tejkaluar shifrën prej 300 miliardë juanësh (rreth 43 miliardë dollarë) të PBB-së në vitin e kaluar, rajoni synon një rritje të PBB-së prej më shumë se 7% në vitin 2026, sipas një raporti pune të qeverisë.

Viti 2026 shënon fillimin e periudhës së 15-të të Planit Pesëvjeçar të Kinës (2026-2030). Këtë vit, Xizang do të përpiqet të përfundojë investime që tejkalojnë 244 miliardë juanë për të mbështetur plotësisht projekte të mëdha, duke përfshirë një projekt hidroenergjie në rrjedhën e poshtme të lumit Yarlung Zangbo dhe Hekurudhën Sichuan-Xizang, ndërsa zbaton gjithashtu përmirësime cilësore në disa autostrada kombëtare. Rajoni do të zhvillojë me forcë industrinë e tij të energjisë së pastër, duke synuar të rrisë kapacitetin e instaluar të gjenerimit të energjisë nga 13 milionë kw në vitin 2025 në 20 milionë kw në vitin 2026, me baza të integruara energjie që kombinojnë energjinë e erës, diellore dhe hidroelektrike që do të ndërtohen në vende të ndryshme, sipas raportit.

Peizazhet malore marramendëse dhe kultura e pasur etnike tibetiane e bëjnë rajonin një destinacion të njohur turistik. Në vitin 2026, rajoni do të promovojë zhvillimin e integruar të industrive kulturore dhe turistike, do të përshpejtojë transformimin digjital dhe inteligjent të turizmit kulturor dhe do të vazhdojë të rrisë konsumin e turizmit. Shfaqjet dhe elementet e trashëgimisë kulturore jomateriale do të inkurajohen të hyjnë në zonat piktoreske dhe hotelet me yje, dhe turizmi rural do të përmirësohet më tej, thuhet në raport.


Energjia e pastër e erës po zhvillohet me ritme të shpejta në Xizang/Foto nga VCG

Së fundmi, historia e transformimit të Xizang-ut gjatë 75 viteve të fundit përfaqëson një shembull të qartë të fuqisë së zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë. Nga një rajon i izoluar dhe i pazhvilluar, Xizang-u është kthyer në një hapësirë ku modernizimi ekonomik ecën paralelisht me ruajtjen e traditave dhe harmonisë etnike. Sot, rajoni po hyn në një etapë të re zhvillimi, ku prioritet mbetet rritja me cilësi të lartë. Ndërsa shënohet ky përvjetor i rëndësishëm, Xizang-u nuk shihet vetëm si një simbol i trashëgimisë kulturore dhe bukurive natyrore, por edhe si një dëshmi konkrete e transformimit modern dhe e aspiratës për zhvillim të përbashkët. Vendasit shohin gjithashtu drejt një të ardhmeje me më shumë zhvillim, dinjitet dhe mundësi për të gjithë ata që e quajnë Xizang-un shtëpi.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Tre çerek shekulli zhvillim dhe transformim në Xizang

Ky vit shënon 75-vjetorin e krijimit të Rajonit Autonom të Xizang-ut.

Global 360

Bordi i Paqes i kërkon KS të ushtrojë presion për çarmatim të Hamasit

Bordi i Paqes, i krijuar për të mbikëqyrur armëpushimin në Gaza, do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Tre çerek shekulli zhvillim dhe transformim në Xizang

Ky vit shënon 75-vjetorin e krijimit të Rajonit Autonom të Xizang-ut.