
Rama ndan mesazhin kushtuar grave dhe vajzave: Sporti nuk ka gjini
Me rastin e Dita Ndërkombëtare e Gruas, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një mesazh kushtuar vajzave dhe grave në sport.

Me rastin e Dita Ndërkombëtare e Gruas, kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një mesazh kushtuar vajzave dhe grave në sport.
Përmes këtij mesazhi përcillet ideja se sporti është një hapësirë ku talenti, puna dhe pasioni vlejnë më shumë se çdo paragjykim, duke nënvizuar se sporti nuk njeh kufij dhe nuk ka gjini.
Ndër të tjera, në mesazhin e ndarë nga Rama, nxirret në pah roli dhe kontributi i vajzave dhe grave në sport, si dhe sfidat që ato kanë kapërcyer ndër vite me forcë dhe përkushtim.
“Këtu nuk jam për ty dhe as për gjykimin tënd aq më tepër për vlerësimin tënd. Në sport asnjë djali nuk i është thënë nuk mund t’ia dalësh, por për vajzat këto fjalë kanë qenë shumë të njohura. Sot jo më! Unë nuk jam këtu për rregullat që nuk janë shkruar për mua, nuk kam frikë të jem më e fortë, më e shpejtë, më e vendosur!
“Në basketboll, futboll, volejboll, ne luftojmë për çdo pikë. Në atletikë dhe not, ne sfidojmë kufijtë, në boks mundje dhe taekwondo, ne tregojmë forcën tonë. Në peshëngritje dhe gjimnastikë, ne ngremë jo vetëm pesha, por edhe ëndrrat tona. Në ping-pong, qitje dhe danc sportiv, çdo lëvizje është përqendrim, ritëm dhe guxim. Lëvizja jonë është më shumë se sport, është ambicie, është përpjekje, është zëri ynë.
“Kur luaj, unë e di kush jam, në fushë, në ring, në ujë, përtej kufijve, sepse kur luaj ndihem plotësisht e lirë. Kjo fushë, ky stadium, kjo botë, janë shumë të vogla për të mbajtur ëndrrat tona, sepse sporti nuk ka gjini”, thuhet në mesazhin e ndarë nga Rama.
8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, festohet sot në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas. Kjo ditë e veçantë i kushtohet vlerësimit të rolit dhe kontributit të grave në shoqëri, si dhe reflektimit mbi të drejtat dhe barazinë gjinore. Në Shqipëri festa e gruas është kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat.
/Marrë nga ATSH


















