
Meloni i kërkon BE-së të caktojë një negociator për bisedimet e paqes në Ukrainë
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të caktojë një përfaqësues të posaçëm për negociatat me Rusinë

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të caktojë një përfaqësues të posaçëm për negociatat me Rusinë, duke paralajmëruar se BE-ja rrezikon të mbetet jashtë procesit të bisedimeve për paqen në Ukrainë.
Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, Meloni thekson se Bashkimi Evropian duhet të vendosë qartë se kush do ta përfaqësojë në tryezën e negociatave dhe çfarë kompetencash do të ketë ky përfaqësues.
“Unë vazhdoj të kërkoj që të merret një vendim përfundimtar se kush do të ulet në tryezën e negociatave në emër të Bashkimit Evropian dhe me çfarë mandati”, shkruan Meloni.
Kryeministrja italiane paralajmëron se një qasje e jo e unifikuar, me nisma që bien ndesh me njëra-tjetrën ose mbivendosen, nuk do t’i ndihmojë partnerët e BE-së dhe as vendet që Unioni duhet të bindë për t’i dhënë fund agresionit rus.
Sipas saj, deri më tani Bashkimi Evropian nuk ka përcaktuar një strategji të qartë për negociatat me Moskën.
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja nuk ka caktuar ende një përfaqësues, që të udhëheqë përpjekjet për t’i kërkuar Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë, e cila ka nisur më shumë se katër vjet më parë.
Meloni kërkon që kjo çështje të diskutohet nga liderët evropianë, gjatë takimit joformal që do të mbahet javën e ardhshme në Dublin.
Ajo propozon që, pas konsultimeve me Norvegjinë, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera jashtë BE-së, liderët të marrin një vendim zyrtar në samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, të planifikuar për muajin dhjetor.
Kryeministrja italiane paralajmëron se, nëse nuk arrihet një marrëveshje për një përfaqësim të përbashkët, Evropa rrezikon të humbasë ndikimin në procesin e negociatave.
Sipas saj, një situatë e tillë do t’u shërbente vetëm atyre që dëshirojnë vazhdimin e luftës, një skenar që ajo e cilëson të papranueshëm, pasi në lojë janë jetët e njerëzve dhe e ardhmja e sigurisë së Bashkimit Evropian.
Burimi ATSH



















