
Rama: Përfundimi i Lotit 2 i rrugës Papër – Ura e Grykshit, investim që rrit sigurinë rrugore
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga përfundimi i Lotit 2 të rrugës Papër – Ura e Grykshit në Elbasan, pjesë e Korridorit VIII.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga përfundimi i Lotit 2 të rrugës Papër – Ura e Grykshit në Elbasan, pjesë e Korridorit VIII.
“Një tjetër investim që rrit sigurinë rrugore dhe lehtëson lidhjen mes zonave”, shkruan kreu i qeverisë, krahas videos së publikuar.
Segmenti, me gjatësi 1,8 kilometra, shtrihet në krahun e majtë të lumit Shkumbin dhe përfshin, në kilometrin e 15-të, një urë 330 metra të gjatë, si dhe vepra të tjera infrastrukturore, si tombino, mure mbajtëse dhe pritëse.
Përfundimi i këtij loti sjell një sërë përfitimesh për përdoruesit e rrugës, rrit sigurinë rrugore dhe lehtëson lidhjen ndërmjet zonave.
Segmenti është pjesë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore i cili po ndërtohet si pjesë integruese e Korridorit VIII autostradal (segmenti Elbasan – Rrogozhinë).
Plani parashikon shtrirjen e autostradës nga Ura e Grykshit drejt Peqinit. Ky aks do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit dhe Portit të ri të Porto Romanos, duke shërbyer gjithashtu si një korridor i rëndësishëm sigurie i lidhur me rrjetet panevropiane.
/Burimi ATSH


















