
Nufi: Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2027 arrin në 76.3 miliardë lekë, rritje me 10%
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027 do të jetë 76.284 miliardë lekë, me një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2026, duke arritur në rreth 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027 do të jetë 76.284 miliardë lekë, me një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2026, duke arritur në rreth 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi buxhetin e vitit të ardhshëm një hap të rëndësishëm në procesin e transformimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Sipas tij, përmes investimeve strategjike në modernizimin e kapaciteteve, pajisjeve dhe teknologjisë, zhvillimin e burimeve njerëzore, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e gatishmërisë operacionale, synohet ndërtimi i një mbrojtjeje më të fortë dhe moderne.
Buxheti parashikon një rritje prej 7.5 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2026, si dhe rritje të mëtejshme me rreth 1 miliard lekë në secilin prej tre viteve të ardhshme.
Nga fondi i përgjithshëm, 42.8% ose rreth 32.6 miliardë lekë do të shkojnë për shpenzime korrente, ndërsa 57.2% ose rreth 43.6 miliardë lekë për shpenzime kapitale.
Një zë i rëndësishëm i buxhetit janë projektet e modernizimit të Forcave të Armatosura, për të cilat janë parashikuar 23.1 miliardë lekë. Investimet përfshijnë pajisjen me armatim të ri dhe të ndërveprueshëm me aleatët e NATO-s, blerjen e dronëve, avionëve krahëfiks dhe sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore, si dhe ndërtimin e sistemit kundër dronëve dhe investime në mbrojtjen ajrore.
Modernizimi do të përfshijë gjithashtu mjetet e transportit dhe sistemet kompjuterike e të komunikimit.
Për investime infrastrukturore janë parashikuar 5.9 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për ndërtimin e pjesës ushtarake të portit të ri në Porto Romano, rivitalizimin e Bazës së Pashalimanit dhe krijimin e infrastrukturës mbështetëse për Korridorin VIII. Në këtë zë përfshihen edhe investimet në Spitalin Ushtarak, Akademinë e Forcave të Armatosura dhe emergjencat civile.
Një tjetër drejtim i buxhetit lidhet me personelin ushtarak, përmes zhvillimit të politikave për karrierën dhe trajtimin e ushtarakëve, përmirësimit të kushteve të punës dhe mjediseve ushtarake, si dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Prioritet do të jetë gjithashtu forcimi i integritetit dhe lufta kundër korrupsionit në Forcat e Armatosura.
Në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare, parashikohet vijimi dhe zgjerimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura në operacionet dhe misionet e NATO-s, forcimi i kapaciteteve për mbrojtjen kombëtare dhe kolektive, si dhe rritja e gatishmërisë për përballimin e krizave dhe emergjencave civile.
Shqipëria do të vijojë gjithashtu të mbështesë vendet e rajonit në rastet e fatkeqësive natyrore, në kuadër të NATO-s, OKB-së dhe Bashkimit Europian.
Ministri Nufi theksoi se buxheti nuk lidhet vetëm me rritjen e kapaciteteve ushtarake, por edhe me sigurinë e qytetarëve dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Marrë nga ATSH


















