
Kredia për sektorin privat u rrit 14.3%, arrin në nivelin 35% të PBB-së
Të dhënat u bënë publike gjatë takimit të punës nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare, ku mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.

Kredia për sektorin privat u rrit me 14.3% në terma vjetorë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa raporti i saj ndaj PBB-së arriti në rreth 35%, niveli më i lartë i regjistruar në dekadën e fundit.
Të dhënat u bënë publike gjatë takimit të punës nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare, ku mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Diskutimet u përqendruan te zhvillimet në sektorin bankar, ecuria e kreditimit, tregu i pasurive të paluajtshme dhe çështjet që lidhen me stabilitetin dhe zhvillimin e sistemit financiar.
Guvernatori Sejko vlerësoi se ritmet e kreditimit krijojnë premisa për mbështetjen e konsumit dhe investimeve, ndërsa theksoi rëndësinë që rritja e kredisë të vijojë në mënyrë të kujdesshme dhe të shëndetshme, me standarde të përshtatshme kreditimi dhe administrimi të rrezikut.
Në fokus ishte edhe kredia hipotekare, e cila gjatë gjashtëmujorit të parë u rrit me 16.1% në terma vjetorë. Norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë qëndroi në 3.9%.
Në takim u diskutuan masat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë për financimin e blerjeve të banesave, përmes kufizimeve mbi raportet kredi ndaj vlerës së pronës dhe shërbim borxhi ndaj të ardhurave. Sipas Guvernatorit, këto masa kanë kontribuar në një kreditim më të kujdesshëm dhe të balancuar të tregut të banesave.
Një tjetër çështje ishte Programi i Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël dhe të Mesëm, për të cilin Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 25 miliardë lekësh. Programi, i zgjatur deri në fund të vitit 2027, synon përmirësimin e aksesit në financim dhe uljen e kostos së kredisë për bizneset dhe fermerët.
Deri tani, në kuadër të këtij programi, Banka e Shqipërisë ka injektuar rreth 2.2 miliardë lekë likuiditet në sistemin bankar. Sejko u bëri thirrje bankave tregtare të angazhohen më aktivisht në zbatimin e programit dhe në rritjen e kreditimit për bizneset përfituese.
Në takim u shkëmbyen gjithashtu vlerësime mbi takimet e fundit të Misionit të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) në Shqipëri.
Në përfundim, Guvernatori Sejko vlerësoi rëndësinë e dialogut dhe koordinimit të vazhdueshëm mes Bankës së Shqipërisë dhe sektorit bankar për adresimin e sfidave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar.
Burimi ATSH


















