
Kina në një fazë të re strategjike që përfshin disiplinën partiake, luftën kundër korrupsionit dhe modernizimin socialist
Midis datave 26 – 29 tetor 2026 zhvilloi punimet në Pekin Plenumi i Pestë i Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), që është edhe niveli më i lartë i lidershipit të partisë.

Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Midis datave 26 – 29 tetor 2026 zhvilloi punimet në Pekin Plenumi i Pestë i Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), që është edhe niveli më i lartë i lidershipit të partisë. Në përgjithësi plenume të tilla të zhvilluara pas periudhës së Reformave për Hapjen e Kinës, janë përqendruar më së shumti në hartimin e planeve pesëvjeçare, ndërsa agjenda e këtij plenumi u fokusua në aspektet e qeverisjes së Partisë dhe në këtë kuadër, një rëndësi të veçantë ju kushtua masave të reja për (1) menaxhimin, (2) qeverisjen dhe (3) fuqizimin e Partisë Komuniste të Kinës dhe kjo qasje duket se në mënyrë eksplicite tregon që Kina synon një orientim edhe më strategjik.
Fakti që në përfundim të punimeve ky Plenum miratoi një rezolutë shumë të rëndësishme për vazhdimin e vetëqeverisjes së plotë dhe rigoroze të Partisë, flet më së miri për këtë.
Në këtë Plenum të cilin e drejtoi Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKK-së, Xi Jinping, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm si dhe paraqiti një raport mbi punën e Byrosë Politike, i cili u shqyrtua dhe u diskutua nga pjesëmarrësit sipas procedurës.
Pjesëmarrësit gjithashtu shqyrtuan dhe miratuan Rezolutën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës mbi disa çështje kryesore që lidhen me vazhdimin e vetëqeverisjes së plotë dhe rigoroze të Partisë, për të cilën, në fazën e projekt – rezolutës, Sekretari i Përgjithshëm i PKK, Xi Jinping, ofroi shpjegimet e duhura për këtë projekt-rezolutë.
Është e qartë se çelësi i suksesit të PKK-së në arritjen e njëpasnjëshme të sukseseve, qëndron te (1) ndjekja e idealit të lartë të komunizmit, (2) përkushtimi për të siguruar një madhështi të qëndrueshme për kombin kinez, si dhe (3) angazhimi për të sjellë lumturi për popullin kinez dhe ripërtëritje për kombin kinez.

Stacion shërbimi administrativ ndaj banorëve në një lagje të qytetit Huai’an të provincës Jiangsu, prill 2026/ Foto nga Xinhua
Në punimet e këtij Plenumi, u theksua parimi se është Partia që mbikëqyr dhe është Qeveria që zhvillohet dhe forcohet në kushtet dhe zhvillimet e epokës së re. Për këtë, Komiteti Qendror i PKK-së, propozoi një sërë idesh, mendimesh dhe strategjish të reja si ofroi përgjigje ndaj çështjeve madhore të kohes, që lidhen kryesisht me atë se çfarë lloji partie marksiste qeverisëse afatgjatë duhet të ndërtojë PKK-ja dhe si duhet ta ndërtojë atë.
Për këtë ndihmon edhe Mendimi i Xi Jinping mbi Ndërtimin e Partisë, ndërtim për të cilin “aktualisht ekzistojnë kushte të favorshme për avancimin e vetëqeverisjes së plotë dhe rigoroze të Partisë edhe pse përgjatë kësaj rruge, Kina përballet edhe me rrethana dhe çështje të reja.
Konkretisht, ndryshimet e thella në (1) rrethanat globale, (2) kombëtare dhe (2) ato brenda Partisë, kërkojnë qasje moderne për aspektet e (1) bashkimit dhe udhëheqjes së popullit për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës, (2) nxitjes së reformave dhe zhvillimit, (3) ruajtjes së harmonisë së stabilitetit shoqëror si dhe ruajtjes së natyrës së saj përparimtare dhe të integritetit të saj.
Nga punimet e këtij Plenumi duket se PKK synon që me anë të dokumentit kryesore të PKK, Statutit të saj, që shërben si udhërrëfyes, PKK synon vetëqeverisje të plotë dhe rigoroze, me anë të përkushtimit të (1) kryerjes së shërbimeve cilësore ndaj misioneve dhe detyrave të Partisë, (2) forcimit politik të Partisë si parim kryesore, (3) ushtrimit të një qeverisjeje rigoroze në të gjitha nivelet, (4) përqendrimit te zgjidhja e problemeve, (5) ruajtjes së parimeve themelore duke hapur rrugë të reja, (6) zbatimit të qasjes nga lart-poshtë dhe (7) drejtimit të Partisë në përputhje me rregulloret.

Punonjës të mbikëqyrjes disiplinore të PKK-së komunikojnë me banorët në fshat për të mësuar nga afër sjelljet e kuadrove partiakë, qytet Qujing, provincë Yunnan, Kinë Jugperëndimore, shkurt 2026/Foto nga Xinhua
Në komunikatën përkatëse në përfundim të punimeve të këtij Plenumi thuhet se “Centralizmi demokratik është parimi themelor organizativ dhe sistemi i udhëheqjes së Partisë, prandaj, zbatimi i tij është një kërkesë thelbësore për ushtrimin e një vetëqeverisjeje të plotë dhe rigoroze të Partisë, ndërsa menaxhimi i rreptë i kuadrove është çelësi për një vetëqeverisje të plotë dhe rigoroze të Partisë, që arrihet duke ndërtuar radhë kuadrosh të një niveli të lartë, të cilët karakterizohen nga (1) përkushtimi i palëkundur politik, (2) kompetencat e shkëlqyera profesionale, (3) sjellja shembullore në punë dhe (4) disiplina e rreptë, duke i konsideruar këto karakteristika së bashku me marrjen e hapave të integruar si një siguri që që zyrtarët të mos kenë (1) guximin, (2) mundësinë dhe / ose (3) dëshirën për të kryer korrupsion, si një strategji e rëndësishme për vetëqeverisje të plotë dhe rigoroze të Partisë dhe duke shërbyer edhe si udhëzues themelor për luftën kundër korrupsionit.”
Specifikisht në lidhje me luftën kundër korrupsionit, duhet theksuar se që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës, Komiteti Qendror i Partisë e ka përfshirë “forcimin e gjithanshëm të vetëqeverisjes partiake” në kuadrin strategjik të qeverisjes kombëtare. Nëpërmjet një qasjeje shumëdimensionale, si ndërtimi politik, institucional dhe disiplinor, dhe goditja kundër korrupsionit, Partia i ka kaluar përpjekjet e saj nga nisma të tipit “fushatë” në një praktikë “të normalizuar” dhe nga “hetimi i rasteve individuale” në një “qeverisje sistematike”. Në aspektin praktik, vetëm në vitin 2025 organet e kontrollit të disiplinës e të mbikëqyrjes në mbarë vendin hetuan 150 000 raste që lidheshin me hedonizmin dhe ekstravagancën, si dhe 141 000 raste që kishin të bënin me formalizmin dhe burokracinë. Si pasojë, 376 000 individë u përballën me masa si qortimi, edukimi ose sanksione disiplinore. Në lidhje me korrupsionin, “hapat sistematikë lidhen edhe me adresimin e simpromave edhe me adresimin te shkaqet rrënjësore të korrupsionit, duke qenë të qartë se është e nevojshme një qasje holistike që kombinon (1) ndëshkimin e ashpër, (2) korrigjimin e synuar dhe (3) parandalimin efektiv, për të shpënë luftën kundër korrupsionit deri në fund”, thuhet specifikisht në komunikatë.
Për këtë PKK synon forcimin e sistemit të manaxhimit të saj me anë të konsolidimit të (1) procedurave, (2) proceseve, (3) rregulloreve dhe (4) mënyrës së mbajtjes së të dhënave, që janë katër elemente që e bëjnë një sistem efikas dhe eficient, nëse zbatohen me rigorozitet dhe saktësi, si një strategji afatgjatë dhe themelore për të siguruar vetëqeverisje të plotë dhe rigoroze të Partisë dhe nga ana tjetër ndihmojnë edhe në përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve të mbikëqyrjes së Partisë dhe shtetit, si një përgjegjësi e përbashkët politike e të gjithë anëtarëve të Partisë.
Komiteti Qendror i PKK-së vendosi në seancë që Partia të thërrasë Kongresin e saj të 21-të Kombëtar në Pekin në gjysmën e dytë të vitit 2027, duke deklaruar se ky kongres, i cili do të mbahet në një fazë kritike për realizimin në thelb të modernizimit socialist dhe në një udhëtim të ri drejt Objektivit të Dytë të Shekullit, do të jetë një takim shumë i rëndësishëm dhe një ngjarje me rëndësi të madhe politike si për Partinë ashtu edhe për vendin.

Kuadrot partiakë në një aktivitet edukimi kundër korrupsionit, qershor 2026, qytet Wangqing, provincë Jilin, Kinë Verilindore/Foto nga VCG
Partia Komuniste e Kinës tashmë e ka futur vendin dhe popullin e në një rrugëtim të ri, në atë të shndërrimit të gjithanshëm të Kinës në një vend të fuqishëm socialist modern dhe përgjatë këtij rrugëtimi vendi dhe populli i Kinës përballet me një sërë detyrash të mëdha në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, si për shembull (1) nxitja e zhvillimit me cilësi të lartë dhe (2) përshpejtimi i krijimit të një modeli të ri zhvillimi dhe këtu përfshihen:
1. Ndërtimi i një sistemi modern industrial.
2. Zhvillimi i forcave prodhuese të reja cilësore të përshtatura sipas kushteve vendore.
3. Krijimi i një tregu të unifikuar kombëtar.
4. Zgjerimi i hapjes me standarde të larta.
5. Avancimi i qëndrueshëm drejt begatisë së përbashkët për të gjithë.
6. Parandalimi i rikthimit në varfëri në shkallë të gjerë.
7. Trajtimi i duhur i borxheve të fshehura të qeverive vendore.
8. Forcimi i mbrojtjes ekologjike e mjedisore.
9. Balancimi i zhvillimit me sigurinë.
Në këtë kontekst, vendosja nga plenumi si parim themelor vetëqeverisjen e gjithanshme dhe rigoroze të Partisë, ka për qëllimin madhor ndërtimin e një Partie më të fortë, duke siguruar kështu garancinë politike për përmbushjen e këtyre detyrave.
Mesazhi kryesor i punimeve të këtij Plenumi është: Kina drejt vitit 2035 me një Parti më e fortë, me qeverisje më rigoroze për zhvillim me cilësi të lartë, sepse një Parti më e fortë e bën Kinën edhe më të fuqishme.
Burimi CGTN


















