
Sejko: TIPS Clone do të ulë kostot e pagesave, ekonomia mund të kursejë deri në 38 miliardë lekë në vit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se implementimi i sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, që synohet të bëhet operacional në muajin nëntor, do të ulë ndjeshëm kostot e transfertave dhe do të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se implementimi i sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, që synohet të bëhet operacional në muajin nëntor, do të ulë ndjeshëm kostot e transfertave dhe do të sjellë përfitime të konsiderueshme për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare.
Sejko bëri të ditur se Banka e Shqipërisë ndodhet në fazën përmbyllëse të zbatimit të projektit, në bashkëpunim me Bankën e Italisë, Banka Qendrore Evropiane dhe sistemin bankar në vend.
Sipas tij, TIPS Clone është një sistem pagesash të menjëhershme, i cili do të mundësojë kryerjen e pagesave në kohë reale, duke ulur kostot dhe kohën e nevojshme për transfertat financiare.
Guvernatori theksoi se përllogaritjet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, nëse pagesat elektronike përdoren gjerësisht pas implementimit të sistemit, sistemi financiar mund të gjenerojë kursime deri në 35 miliardë lekë, ndërsa ekonomia shqiptare deri në 38 miliardë lekë në vit.
Ai nënvizoi se edhe nëse vetëm gjysma e pagesave dhe transfertave realizohen përmes TIPS Clone, individët do të kursejnë rreth 500 milionë lekë në vit, ndërsa bizneset rreth 1 miliard lekë në vit, falë kostove më të ulëta të pagesave.
Sejko shtoi se, përveç uljes së kostove, sistemi i ri do të forcojë përfshirjen financiare, do të ndihmojë në reduktimin e informalitetit dhe do të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë me sistemin evropian të pagesave, pas anëtarësimit në SEPA.
TIPS Clone është një version i përshtatur i sistemit evropian TIPS (TARGET Instant Payment Settlement), që u mundëson bankave të kryejnë pagesa të menjëhershme (instant payments) 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë gjithë vitit.
Aplikimi i TIPS Clone do të thotë që: Paratë kalojnë nga një llogari bankare në tjetrën brenda pak sekondash, edhe jashtë orarit zyrtar dhe në fundjavë.
Gjithashtu pagesat dhe transfertat bëhen me kosto më të ulët krahasuar me transfertat tradicionale. Ndërsa individët dhe bizneset kanë akses më të shpejtë te fondet, duke përmirësuar qarkullimin e parasë.
Ky sistem funksionon sipas standardeve të përdorura në vendet e Bashkimit Evropian.
Për Shqipërinë, implementimi i TIPS Clone do të thotë se, pas anëtarësimit në SEPA, sistemi kombëtar i pagesave do të integrohet edhe me infrastrukturën evropiane të pagesave të menjëhershme. Kjo pritet të lehtësojë pagesat elektronike, të ulë kostot e transaksioneve, të nxisë përdorimin e pagesave pa para në dorë dhe të mbështesë luftën kundër informalitetit.
BSH thekson se, TIPS Clone nuk është një aplikacion për qytetarët, por infrastruktura teknologjike që përdorin bankat për të ofruar pagesa të menjëhershme dhe më të lira për klientët e tyre.
Burimi ATSH



















