
Politikat për rininë 2027, 50 milionë lekë për infrastrukturën rinore në shtatë bashki
Financimi nga Agjencia Kombëtare e Rinisë do të mbështesë shtatë projekte në bashkitë Himarë, Bulqizë, Selenicë, Divjakë, Cërrik, Shijak dhe Vau i Dejës.

Zgjerimi i infrastrukturës rinore, rritja e mundësive për aftësim dhe punësim, si dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së të rinjve në jetën publike janë në fokus të politikave për rininë dhe fëmijët për vitin 2027.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se “në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet një fond prej 50 milionë lekësh për mbështetjen e shtatë bashkive në ndërtimin dhe përmirësimin e hapësirave rinore, krahas një sërë programesh kombëtare dhe ndërkombëtare për zhvillimin dhe fuqizimin e të rinjve”.
Financimi nga Agjencia Kombëtare e Rinisë do të mbështesë shtatë projekte në bashkitë Himarë, Bulqizë, Selenicë, Divjakë, Cërrik, Shijak dhe Vau i Dejës, përmes rikonstruksionit të qendrave ekzistuese, krijimit të hapësirave multifunksionale, zhvillimit të bibliotekave rinore dhe granteve për infrastrukturën rinore.
“Këto investime synojnë krijimin e hapësirave të qëndrueshme dhe të aksesueshme, ku të rinjtë të kenë mundësi të takohen, të mësojnë, të zhvillojnë iniciativa dhe të përfshihen në aktivitete kulturore e sociale, duke kontribuar në jetën e komuniteteve të tyre”, tha Gonxhja.
Paralelisht me investimet infrastrukturore, fondet për shpenzime korrente do të mbështesin një kalendar aktivitetesh dhe programesh për zhvillimin e aftësive, shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimin e rrjeteve rinore.
Një prej aktiviteteve kryesore do të jetë RinCamp 2027, i cili do të mbledhë 200 pjesëmarrës nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Aktiviteti synon të shërbejë si një platformë kombëtare dhe rajonale për dialogun dhe angazhimin e të rinjve, me fokus integrimin evropian dhe rolin e tyre në ndërtimin e së ardhmes”, tha Gonxhja.
Në kuadër të rritjes së kapaciteteve vendore, do të zhvillohet edhe Shkolla Dimërore për Punonjësit Rinorë, me synim profesionalizimin e strukturave vendore, përmirësimin e shërbimeve për të rinjtë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bashkive.
Sipas Gonxhes, kjo nismë synon të rrisë kapacitetet e njësive vendore për hartimin dhe zbatimin e politikave rinore në nivel komunitar.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe vijimi i angazhimit në programe që adresojnë sfidat konkrete të të rinjve.
“Në këtë kuadër, përmes nismës EU4Youth synohet fuqizimi social dhe ekonomik i të rinjve, ndërsa Garancia Rinore synon t’u ofrojë atyre mundësi punësimi, arsimimi ose formimi profesional brenda katër muajve nga momenti i papunësisë apo largimit nga arsimi. Programi EMPOWERHER fokusohet në zhvillimin e aftësive digjitale dhe sipërmarrjes së vajzave dhe grave të reja në zonat rurale, ndërsa GOVER-NET synon rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe grupeve vulnerabël në proceset e qeverisjes vendore. Pjesë e këtyre angazhimeve është edhe HARMONY, që synon përmirësimin e politikave dhe shërbimeve të shëndetit mendor për të rinjtë, si dhe VOICE 2 YOUTH ALBANIA, që fokusohet në orientimin e tyre drejt formimit profesional dhe mundësive për zhvillimin e karrierës”, nënvizoi Gonxhja.
Politikat për rininë dhe fëmijët për vitin 2027 janë në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022–2029 dhe synojnë të forcojnë rolin e të rinjve në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe demokratik të vendit.
Përmes një qasjeje të integruar, që ndërthur investimet në infrastrukturë me zhvillimin e aftësive, përmirësimin e shërbimeve dhe zgjerimin e mundësive për punësim e pjesëmarrje, synohet që çdo i ri, pavarësisht vendbanimit apo kushteve ekonomike dhe sociale, të ketë më shumë mundësi për zhvillim dhe përfshirje aktive në jetën e komunitetit.
Burimi ATSH

















