Shqipëria në vëmendjen e “Travel + Leisure”, turizëm dhe qëndrim pa vizë për amerikanët deri në 12 muaj

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve të huaj, falë pasurive të saj natyrore, bregdetit, trashëgimisë kulturore dhe ofertës turistike gjithnjë e më të larmishme.


Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve të huaj, falë pasurive të saj natyrore, bregdetit, trashëgimisë kulturore dhe ofertës turistike gjithnjë e më të larmishme.

Krahas potencialit të saj si destinacion turistik, Shqipëria ofron gjithashtu lehtësi për qëndrimin e shtetasve amerikanë.

Sipas medias amerikane “Travel+Leisure”, që rendit vendet ku qytetarët amerikanë mund të qëndrojnë për gjashtë muaj ose më gjatë, Shqipëria u mundëson atyre të qëndrojnë deri në një vit pa pasur nevojë për vizë.

Kjo e bën vendin një mundësi për vizita dhe qëndrime afatgjata, duke u dhënë vizitorëve amerikanë më shumë kohë për të njohur destinacionet dhe ofertën turistike shqiptare.

Ndonjëherë, disa ditë, një javë apo edhe një muaj në një destinacion të ri, nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur pritshmëritë e vizitorëve.

Megjithatë, jo të gjitha vendet lejojnë që vizitorët të qëndrojnë për periudha të gjata.

Disa prej tyre ofrojnë mundësinë e qëndrimit të zgjatur pa kërkuar vizë, ndërsa të tjera e bëjnë relativisht të lehtë qëndrimin për një periudhë më të gjatë, nëpërmjet pajisjes me vizën përkatëse.

Sipas David Lincoln, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Lincoln Global Partners”, dallimi ndërmjet vendeve që lejojnë hyrjen pa vizë dhe atyre që kërkojnë pajisjen me vizë është i rëndësishëm.

Ai e përkufizon vizën si një leje për të hyrë në një vend për një qëllim dhe për një periudhë të caktuar.

Ndërkohë, leja e qëndrimit i jep një personi të drejtën për të jetuar në një vend përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar, ndërsa shtetësia përfaqëson anëtarësimin e plotë ligjor në një shtet.

Edhe procedurat dhe dokumentacioni i nevojshëm ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

Në përgjithësi, aplikimi për një vizë qëndrimi afatgjatë, duhet të kryhet përpara largimit nga vendi i origjinës, ndërsa procedurat për pajisjen me leje qëndrimi ndryshojnë në varësi të shtetit përkatës.

Këto dallime ndikojnë jo vetëm në kohëzgjatjen e qëndrimit, por edhe në të drejtat që gëzon një person gjatë periudhës së qëndrimit në një vend të huaj.

Kështu, një vizitor mund të mos ketë të njëjtat të drejta për të punuar apo për t’u vendosur përgjithmonë në një vend, si një person që disponon leje qëndrimi.

Gjithashtu, kalimi i një pjese të konsiderueshme të vitit jashtë vendit, mund të sjellë detyrime tatimore, pavarësisht statusit të emigracionit.

Për këtë arsye, pavarësisht mënyrës së zgjedhur për të qëndruar në një vend të huaj, është e rëndësishme që rregullat përkatëse, të verifikohen përpara rezervimit të udhëtimit.

Në këtë kontekst, më poshtë renditen disa nga vendet ku qytetarët amerikanë, mund të qëndrojnë për gjashtë muaj ose më gjatë, nëpërmjet procedurave relativisht të thjeshta të hyrjes dhe qëndrimit.

Shqipëria

Shqipëria ofron një nga periudhat më të gjata të qëndrimit pa vizë në këtë listë, duke u lejuar shtetasve amerikanë të qëndrojnë deri në një vit, pa pasur nevojë të aplikojnë për zgjatjen e afatit të qëndrimit.

Megjithatë, për ata që dëshirojnë të rikthehen në vend pas përfundimit të kësaj periudhe, ekziston një kusht i rëndësishëm.

Pas një viti qëndrimi, qytetarët amerikanë duhet të largohen nga Shqipëria dhe të presin 90 ditë përpara se të mund të kthehen sërish.

Shqipëria po shënon një rritje të interesit turistik, ndërsa gjithnjë e më shumë udhëtarë po zbulojnë pasuritë e saj natyrore dhe mundësitë për pushime me kosto relativisht të përballueshme.

Vendi ofron një ndërthurje të natyrës, kulturës dhe historisë, duke filluar nga qytetet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si Berati, deri te plazhet e Rivierës Shqiptare.

Qytetet e rekomanduara për t’u vizituar

Tirana

Kryeqyteti shqiptar përshkruhet si një qytet dinamik, që meriton të vizitohet për ofertën e tij kulturore dhe artistike. Revista rekomandon vizitën në muze, eksplorimin e kafeneve dhe njohjen me skenën artistike të qytetit, duke veçuar edhe Bunk’Art-in, një ish-bunker bërthamor i shndërruar në muze historik dhe hapësirë ekspozimi të artit.

Berati

I njohur si “Qyteti i një mijë dritareve”, Berati është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe rekomandohet si destinacion për një vizitë njëditore nga kryeqyteti. Revista vë në dukje arkitekturën e ruajtur osmane, shtëpitë karakteristike të ndërtuara në shpatet e kodrave, si dhe Kalanë e Beratit, nga ku ofrohet një pamje panoramike e qytetit.

Shkodra

E pozicionuar në veri të vendit, pranë Alpeve Shqiptare, Shkodra përshkruhet si një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë dhe një qendër e rëndësishme kulturore. Ndër atraksionet kryesore të saj përmenden Kalaja e Rozafës dhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, i cili ruan një koleksion fotografik që dokumenton historinë dhe të kaluarën e Shqipërisë.

Aktivitetet e rekomanduara

Parku Kombëtar i Thethit

Revista rekomandon eksplorimin e natyrës në Parkun Kombëtar të Thethit, në Alpet Shqiptare, duke veçuar majat e larta malore, ujëvarat dhe luginat e gjelbra. Gjithashtu, ajo nënvizon pasurinë e biodiversitetit të zonës, ku gjenden rreth 50 lloje shpendësh.

Syri i Kaltër

Një tjetër atraksion natyror i veçuar është Syri i Kaltër, pranë fshatit Muzinë, në jug të vendit. Revista e përshkruan atë si një burim natyror të dalluar për ujërat me ngjyrë të thellë blu. Burimi lidhet me një formacion shpellor me thellësi rreth 50 metra, ndërsa ngjyrat karakteristike të ujit mund të vëzhgohen më mirë nga platformat përreth.

Gjirokastra

E njohur si “Qyteti i Gurtë”, Gjirokastra rekomandohet veçanërisht për vizitorët e interesuar për historinë dhe trashëgiminë kulturore. Qyteti, pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ofron mundësi për të vizituar kalanë, Muzeun e Armëve, rrugicat karakteristike me kalldrëm, si dhe restorantet ku shërbehen gatime tradicionale të zonës.

Muzeu Arkeologjik Kombëtar

Në Tiranë, revista rekomandon edhe vizitën në Muzeun Arkeologjik Kombëtar, ku ekspozohen objekte historike që përfaqësojnë periudha të ndryshme, nga Epoka e Gurit deri në periudhën e pushtimit osman.

Plazhet më të njohura

Plazhet e Ksamilit

Ksamilin revista e rendit ndër destinacionet më të njohura bregdetare të Shqipërisë, duke veçuar plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat me ngjyrë bruz. Në artikull përmenden si plazhet pranë strukturave akomoduese, ashtu edhe hapësirat publike përgjatë vijës bregdetare.

Plazhi i Dhërmiut

Rreth dy orë në veri të Ksamilit ndodhet Plazhi i Dhërmiut, një nga plazhet më të gjata të Rivierës Shqiptare. Ai dallohet për ndërthurjen e bregut me gurë dhe rërës së imët, si dhe për praninë e shërbimeve të ndryshme për vizitorët, përfshirë restorantet dhe ambientet e tjera turistike.

Plazhi i Jalës

I pozicionuar në veri të Himarës dhe i rrethuar nga kodra shkëmbore, Plazhi i Jalës veçohet për atmosferën më të qetë dhe ujërat e përshtatshme për not dhe zhytje me maskë. Revista përmend gjithashtu praninë e bareve përgjatë plazhit.

Periudha më e përshtatshme për të vizituar Shqipërinë

Periudhat më të përshtatshme për të vizituar Shqipërinë janë pranvera, nga prilli deri në qershor, si dhe fillimi i vjeshtës, nga shtatori deri në tetor.

Gjatë këtyre muajve, kushtet atmosferike janë të favorshme për të eksploruar si zonat bregdetare, ashtu edhe ato malore, duke shmangur fluksin e lartë të turistëve gjatë sezonit veror.

Megjithatë, edhe korriku dhe gushti paraqesin avantazhet e tyre, veçanërisht për vizitorët që preferojnë gjallërinë e sezonit veror dhe aktivitetet e shumta përgjatë bregdetit.

Media amerikane sugjeron gjithashtu që vizitat në Shqipëri të përkojnë me veprimtari dhe aktivitete kulturore që zhvillohen gjatë vitit, si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, Festivali i Aventurës në Jug dhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës.

Vendet e tjera të përfshira në listë janë:

Antigua dhe Barbuda
Argjentina
Armenia
Australia
Barbadosi
Kanadaja
Kolumbia
Kosta Rika
Curaçao
Dominika
Ekuadori
Gjeorgjia
Mauritiusi
Meksika
Panamaja
Emiratet e Bashkuara Arabe
Britania e Madhe

Marrë nga ATSH

Shqipëria në vëmendjen e “Travel + Leisure”, turizëm dhe qëndrim pa vizë për amerikanët deri në 12 muaj

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve të huaj, falë pasurive të saj natyrore, bregdetit, trashëgimisë kulturore dhe ofertës turistike…

Global 360

Kosova dhe Banka Botërore, marrëveshje për zhvillimin e ekoparqeve industriale

Projekti synon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese vendore, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, me fokus…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Shqipëria në vëmendjen e “Travel + Leisure”, turizëm dhe qëndrim pa vizë për amerikanët deri në 12 muaj

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve të huaj, falë pasurive të saj natyrore, bregdetit, trashëgimisë kulturore dhe ofertës turistike…