
Lamallari: Policia ka menaxhuar me maturi protestat
Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari deklaroi ditën e sotme se Policia e Shtetit ka menaxhuar me maturi protestat e zhvilluara prej 65 ditësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke respektuar ligjin dhe standardet për menaxhimin e tubimeve publike.

Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari deklaroi ditën e sotme se Policia e Shtetit ka menaxhuar me maturi protestat e zhvilluara prej 65 ditësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke respektuar ligjin dhe standardet për menaxhimin e tubimeve publike.
Në një intervistë për Klan News, Lamallari u shpreh se protestat janë një tregues i demokracisë, por theksoi se gjatë ditëve të fundit janë evidentuar raste të veprimeve të dhunshme nga disa individë.
“Besoj se në këto protesta, Policia ka dëshmuar se ka ditur t’i menaxhojë më së miri ato, duke iu përmbajtur pikërisht standardeve të përcaktuara në ligj, si në ligjin për tubimet po ashtu dhe në protokollet e veta dhe procedurat standarde të veprimit. Pa dyshim që një protestë është tregues i një demokracie të shëndoshë”, tha ai.
Sipas Lamallarit, një pjesë e vogël e protestuesve, rreth 15-20 persona, kanë tentuar të provokojnë Policinë përmes hedhjes së vezëve dhe gurëve, duke goditur në disa raste efektivë të Policisë dhe deputetë. Ministri nënvizoi se çdo veprim i paligjshëm do të ndiqet sipas ligjit.
Duke folur për masat ndaj personave që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare, Lamallari bëri të ditur se rasti i shpalljes “non-grata” i Ikballe Hudutit nuk është i vetmi.
“Fakt është dhe kjo është e dëshmuar, një rast që ju përmendët më herët, ku unë në zbatim të së drejtës që më jep ligjin për të shpallur person të padëshiruar në vendin tonë për 15 vite, ishte dhe rasti i zonjës Ikballe Huduti, e cila në fakt sipas informacioneve të administruara nga agjencitë e Shërbimit Informativ dhe të zbatimit të ligjit provohej se kishte lidhje dhe veprimtari, të cilët përbëjnë shqetësim dhe kërcënim për Shqipërinë”, vijoi ai.
Lamallari theksoi se ka firmosur edhe vendime të tjera për persona të cilët, bazuar në vlerësimet e agjencive të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit. Ministri nuk dha detaje mbi identitetet e tyre, por theksoi se bëhet fjalë për persona me tendenca ekstremiste dhe veprimtari që konsiderohen shqetësuese.
Lamallari foli edhe për situatën e zjarreve në vend, duke bërë të ditur se gjatë ditës së hënë janë regjistruar 32 vatra zjarri në të gjithë Shqipërinë.
Ai deklaroi se zjarri në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq është vënë nën kontroll falë angazhimit të strukturave vendore, Forcave të Armatosura dhe ndërhyrjes ajrore me tre helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministri vlerësoi angazhimin e të gjitha strukturave për përballimin e situatës së zjarreve, duke e cilësuar menaxhimin e tyre një sfidë të vazhdueshme edhe për shumë vende të tjera evropiane.
Marrë nga ATSH


















