
Ibrahimaj: Marrëveshja për sigurimet shoqërore me Poloninë garanton njohjen e kontributeve dhe të drejtave sociale

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë, për sigurimet shoqërore”, teksa theksoi se “ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të mbrojtjes sociale dhe asaj që Shqipëria po ndërton për qytetarët e saj brenda dhe jashtë vendit”.
Në fjalën e saj në Kuvend, Ibrahimaj tha se me këtë marrëveshje, Shqipëria arrin në 21 marrëveshje dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore, 10 prej të cilave janë marrëveshje të nënshkruara me shtete anëtare të Bashkimit Europian.
“Këto marrëveshje përfaqësojnë një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës sonë sociale dhe një garanci konkrete për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit”, theksoi Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se përmes tyre, vitet e punës dhe kontributet e paguara gjatë gjithë jetës njihen, mbrohen dhe shndërrohen në të drejta sociale të garantuara.
Sipas saj, marrëveshja krijon bazën ligjore dhe institucionale për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve, duke garantuar vazhdimësinë e të drejtave sociale për qytetarët që lëvizin ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë.
“Thellimi i bashkëpunimit me Poloninë ka vlerë ekonomike, sociale dhe strategjike, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në afrimin e mëtejshëm mes dy shteteve tona”, shtoi ministrja.
Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
“Vetëm gjatë vitit 2025, importet nga Polonia arritën në 216 milionë euro, me një rritje prej 9.9%, ndërsa eksportet shqiptare drejt Polonisë u rritën me 6.3%, duke arritur vlerën 26 milionë euro. Në të njëjtën kohë, stoku i investimeve direkte polake në Shqipëri arriti në 101 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, vetëm gjatë tre viteve të fundit kanë qenë të punësuar në Shqipëri 260 shtetas polakë, konkretisht 89 në vitin 2023, 84 në vitin 2024 dhe 87 në vitin 2025”, theksoi Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, shtoi ministrja, sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar, aktualisht në Shqipëri operojnë 137 kompani me kapital ose ortakë polakë.
“Prej tyre, 116 janë kompani me kapital tërësisht të huaj dhe 21 janë sipërmarrje të përbashkëta shqiptaro-polake. Këto kompani janë të shpërndara në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare: 20 kompani në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, 19 kompani në tregti, 18 kompani në shërbime administrative, 18 kompani në pasuri të paluajtshme, 14 kompani në aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, 12 kompani në turizëm dhe shërbime akomoduese, si dhe 9 kompani në industrinë përpunuese”, theksoi Ibrahimaj.
Më tej ministrja u ndal tek fushat që mbulon kjo marrëveshje si: pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje, përfitimet nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, pagesat e papunësisë dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast humbjeje të jetës së personit të siguruar.
Kjo marrëveshje, tha Ibrahimaj, ka edhe një rëndësi strategjike për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Kjo marrëveshje mbështetet në rregulloret europiane që garantojnë lëvizjen e lirë të punonjësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre sociale. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një investim në sigurinë sociale të qytetarëve tanë, në mbrojtjen e kontributit të tyre dhe në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Polonisë. Ajo dëshmon se procesi i integrimit europian prek drejtpërdrejt jetën e njerëzve, duke sjellë më shumë të drejta, më shumë siguri dhe më shumë mundësi për qytetarët shqiptarë”.
Në përfundim të fjalës së saj, Ibrahimaj ftoi deputetët të mbështesin miratimin e këtij projektligji.
Marrë nga ATSH



















