
Fëmijët shqiptarë që rriten mes dy botëve, FSHF afron diasporën me ngjyrat kuqezi
Federata Shqiptare e Futbollit i dhuroi fanella kuqezi fëmijëve të diasporës, duke i bërë ata të ndiheshin edhe më pranë ekipit dhe ngjyrave kombëtare.

Në Uells, përpara se topi të niste të rrotullohej në fushë, një moment i veçantë bashkoi edhe më shumë komunitetin shqiptar me Kombëtaren e vajzave.
Në kuadër të kësaj atmosfere, Federata Shqiptare e Futbollit i dhuroi fanella kuqezi fëmijëve të diasporës, duke i bërë ata të ndiheshin edhe më pranë ekipit dhe ngjyrave kombëtare.
Fëmijët e diasporës shqiptare, të veshur me ngjyrat kuqezi, patën mundësinë të shoqëronin ekipin në fushë. Një përjetim që për ta shkon përtej futbollit. Një kujtim që lidhet me identitetin, me rrënjët dhe me krenarinë për të qenë shqiptar.
“I gjithë komuniteti ynë është shumë i gëzuar dhe normalisht edhe fëmijët, për mundësinë që na dhatë. T’i mbështesim vajzat dhe të arrijmë të mbajmë rrënjët nga kemi ardhur. Këtë kemi si qëllim për ne si komunitet këtu” thotë për FSHF, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptaro – Kosovare në Uells, Ilirjan Allamani.
Për komunitetin shqiptar në Uells, këto nuk janë thjesht ndeshje. Janë momente që bashkojnë breza të tërë. Edhe pse të shpërndarë në vende të ndryshme, ata bëhen gjithmonë bashkë për të mbështetur Kombëtaren në fushë.
“Ne na bën krenarë që të jemi këtu, të jemi afër Kombëtares së vajzave. Grupi vjen nga Cardiff, këtu jemi në një anë tjetër të Uellsit. Në mënyrë të theksuar, komuniteti këtu është gjithmonë i vogël me numër, por ama të gjithë kanë një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin”, tregon sekretari i Shoqatës Kulturore Shqiptaro – Kosovare në Uells, Baf Kurtulaj.
Një komunitet i vogël në numër, por i madh në zemër. Dhe për disa, kjo lidhje me Shqipërinë është e ndërtuar ndër vite, larg vendlindjes.
“Traditat ne duhet t’i ruajmë dhe duhet të jemi shumë koshientë sepse unë kam gati 30 vite që jetoj këtu. Gruaja ime është angleze, fëmijët kanë lindur këtu, por kanë shumë pasion për Shqipërinë. Gjuha është një nga gjërat që na bën të diferencohemi nga vijmë”, nënvizon më tej, Baf Kurtulaj.
Disa udhëtojnë me orë të tëra, vetëm për të qenë aty. për të mbështetur Shqipërinë. “Unë kam ardhur nga 200 km për të parë këtë ndeshje. Jam shumë krenar që është Shqipëria që luan kundër Uellsit. Jemi shtet i vogël, por kemi arritur që të luajmë shumë mirë”, tregon një tifoz shqiptar i pranishëm në ndeshjen Uells – Shqipëri.
Ruajtja e gjuhës, e traditave dhe identiteti janë sfida të përditshme për diasporën. Por futbolli mbetet një nga urat më të forta që i lidh me Shqipërinë.
“Futbolli për diasporën është shumë i mirë, sidomos për fëmijët tanë. Shpresojmë që të luajmë për Shqipërinë në të ardhmen. Forca Shqipëria”, shprehet një tjetër tifoz shqiptar, i cili jeton në Uells.
“Futbolli është shumë i rëndësishëm për diasporën. Fëmijët kanë lindur në vende të ndryshme të Europës, është e rëndësishme të shikojë prej nga kemi ardhur ne”, thekson një nga tifozët e tjerë të pranishëm në stadiumin “Stok Rae Cas”, në kuadër të ndeshjes së Shqipërisë së vajzave kundër Uellsit.
Dhe në këtë histori, ndoshta rolin më të rëndësishëm e luajnë fëmijët. Ata që rriten mes dy kulturave, por që e ndjejnë Shqipërinë si pjesë të tyre.
“Unë jam Ornela, jam 9 vjeçe dhe vij nga Shqipëria. Jam shumë e lumtur. Ndihem shumë e lumtur se ngjyra kuqezi është ngjyra e flamurit, ngjyra ime më e preferuar. Jam shumë krenare që jam shqiptare”, tregon për FSHF Ornela, një tifoze shqiptare vetëm 9-vjeçe e cila ka lindur dhe po rritet jashtë vendlindjes.
“Unë jam nga Shqipëria, jam 10 vjeçe dhe prej Cardiffit. E ndjej veten 100% shqiptare”, shprehet një tjetër vajzë shqiptare, e lindur dhe e rritur në Uells.
Një ndjenjë që nuk zbehet me distancën dhe kilometrat e largëta. Përkundrazi, forcohet. “Unë jam shumë krenar, por sidomos fëmijët e mi, për vetë faktin që FSHF ka dhënë një kontribut simbolik, por shumë domethënës. Jemi shumë mirënjohës edhe ndaj jush, sepse realisht Federata po bën gjërat e duhura në kohën e duhur”, thotë Baf Kurtulaj, i cili vlerëson edhe jashtë kamerës, gjestin simbolik të FSHF-së.
Federata Shqiptare e Futbollit vijon të mbajë gjallë këtë lidhje me diasporën, duke i bërë ata pjesë të çdo rrugëtimi të kombëtares.
“Ne e dimë shumë mirë që diaspora shqiptare e ka mbështetur kombëtaren tonë jo vetëm të djemve por edhe të vajzave kudo ku ata kanë shkuar. Pavarësisht se këtu në Uells, në një numër më modest dhe më të vogël, u gëzuam shumë kur i pamë të gjithë në hyrje të stadiumit me flamujt kombëtarë dhe me fëmijët e tyre për të ardhur e për të parë vajzat në këtë sfidë të rëndësishme”
“Vetë FSHF i ka inkurajuar gjithmonë fansat, jo vetëm ata në Shqipëri, Kosovë e kudo në trojet shqiptare, por edhe ata të diasporës për të qenë pjesë e rrugëtimeve tona, për të qenë pjesë e sukseseve por edhe të dështimeve, që janë pjesë e lojës. E rëndësishme është të dimë të rikthehemi në fushë, më të fortë se kurrë. Kjo nuk mund të bëhet pa entuziazmin e shqiptarëve, fansave tanë kudo që janë”, thotë anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha.
Sepse Shqipëria mund të jetë vetëm një vend në hartën e botës, por jo në hartën e zemrës së shqiptarëve të diasporës.
Burimi ATSH



















