Kina pesë vite nga fitorja e luftës kundër varfërisë absolute

Eliminimi i varfërisë ekstreme përbën një arritje të jashtëzakonshme në historinë moderne. Gjatë dekadave të fundit, Kina ka nxjerrë nga varfëria rreth 800 milionë njerëz, duke kontribuar në më shumë se 70% të reduktimit global të varfërisë në të njëjtën periudhë.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Në korrik të vitit 1992, një drejtues i ri i PKK-së në nivel prefekture publikoi një libër me titull “Larg dhe jashtë varfërisë.” Tema kryesore e këtij botimi ishte mënyra se si provinca Fujian, në Kinën Jugore, mund të ndihmonte popullsinë e saj më të margjinalizuar të dilte nga varfëria. Libri përmbante reflektime, ide dhe plane konkrete për luftën kundër varfërisë, duke ofruar një vizion të qartë zhvillimi. Në përfundim të tij, autori theksonte një ide thelbësore: “vetëm kur të çlirohemi fillimisht nga mendësia e varfërisë në mendjet tona, do të jemi në gjendje ta eliminojmë varfërinë nga territori nën juridiksionin tonë dhe, në fund, nga i gjithë vendi, duke e udhëhequr kombin drejt rrugës së prosperitetit.”

Presidenti kinez Xi Jinping mbajti fjalimin e tij të Vitit të Ri 2026 nëpërmjet Grupit Mediatik të Kinës./Foto nga Xinhua

Autori i këtij libri ishte Xi Jinping, i cili në atë kohë shërbente si sekretar i Komitetit të PKK-së në prefekturën Ningde të provincës Fujian. Dy dekada më vonë, Xi Jinping u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, duke pasur mundësinë ta shtrijë këtë angazhim dhe vizion për zhdukjen e varfërisë në shkallë kombëtare, për një vend me mbi 1.4 miliardë banorë. Që atëherë dhe që nga shpalosja e këtij objektivi u shënua një fazë e re në zhvillimin e Kinës. Çrrënjosja e varfërisë, e artikuluar në libër në vitin 1992, u shndërrua në një premtim solemn ndaj vendit dhe, në vitin 2021, u bë realitet.

Një fjalë e dhënë, një premtim i mbajtur

Udhëheqësi i Kinës Xi Jinping, menjëherë pasi u bë sekretar i Përgjithshëm, shprehu atë që do të shndërrohej në lajtmotivin e lidershipit të tij “Ëndrra Kineze” ose përtëritja e madhe e kombit. Ky transformim kishte në qendër një pikësynim të madh: krijimi i një shoqërie “mesatarisht e begatë” deri në 2021. Edhe pse nën kthetrat e pandemisë, ky qëllim u arrit. Me çrrënjosjen e varfërisë kjo ëndërr u bë realitet.

Kur flasim për zhvillimin, në mënyrë të pashmangshme duhet të flasim edhe për rrugën e Kinës në eliminimin e varfërisë ekstreme. Kjo përbën një sukses që çdo qytetar kinez ka arsye ta festojë, pasi është një dëshmi se zhvillimi nuk matet vetëm me rritjen ekonomike. Që në fazat e hershme të reformave ekonomike dhe të hapjes, Kina mbajti në fokus çështjen e pabarazisë. Edhe pse rritja e shpejtë ekonomike shpesh sjell rritje të pabarazive, sidomos mes zonave urbane dhe atyre rurale, në Kinë u ndërmorën programe të mëdha dhe të qëllimshme për të siguruar që pasuria e krijuar dhe potenciali ekonomik të shërbenin edhe për luftën kundër varfërisë. Këto politika u zbatuan në mënyrë të strukturuar në disa nivele: nga komuniteti, fshati, qyteti, provincat e deri në nivelet më të larta të qeverisjes. U realizuan investime të mëdha në arsim, infrastrukturë, shëndetësi dhe sektorë prodhues, duke krijuar kushte reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe për dalje nga varfëria. Si rezultat, Kina arriti një objektiv historik, një arritje pa precedent në shekullin XX dhe XXI.

Eliminimi i varfërisë ekstreme përbën një arritje të jashtëzakonshme në historinë moderne. Gjatë dekadave të fundit, Kina ka nxjerrë nga varfëria rreth 800 milionë njerëz, duke kontribuar në më shumë se 70% të reduktimit global të varfërisë në të njëjtën periudhë. Për më tepër, Kina arriti objektivin për eliminimin e varfërisë të përcaktuar në Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm, plot 10 vite përpara afatit të parashikuar, një rezultat vërtet i jashtëzakonshëm.


Më 17 prill, në distriktin Keerqin, në Mongolinë e Brendshme, një fermer po ngiste një traktor për të rrafshuar tokën./Foto nga Xinhua

default

Fshati Zhuwang, qytet Bozhou, provincë Anhui, Kinë Jugore/Foto nga VCG

Varfëria mbetet një fenomen që duhet të luftohet në shkallë globale, dhe përvoja e Kinës ofron një shembull domethënës. Autoritetet kineze e lidhin këtë sukses me një paketë të gjerë masash të mirëkoordinuara. Këto përfshijnë uljen e varfërisë në mënyrë të shënjestruar, duke identifikuar shtresat më në nevojë, zhvillimin e industrive lokale për krijimin e vendeve të punës, si dhe zgjerimin e mundësive për formim profesional.

Puna për avancim nuk ndalet, zonat rurale në fokus maksimal

Por, puna nuk mbaroi aty. Shtresat e nxjerra nga varfëria janë më vulnerabël dhe kanë rreziqe më të mëdha ekonomike, sidomos në zonat rurale. Periudha 2021–2025 ishte përcaktuar si një fazë tranzitore, ku fokusi është zhvendosur drejt ruajtjes së arritjeve dhe nxitjes së zhvillimit në zonat rurale. Gjatë kësaj kohe, u vendosën mekanizma të vazhdueshëm monitorimi për të parandaluar rikthimin në varfëri.

Viti 2025 përmbylli planin pesëvjeçar të Kinës për të forcuar arritjet e saj në zbutjen e varfërisë. Duke kombinuar monitorimin afatgjatë të rrezikut me integrimin e tregut, zhdukja e varfërisë absolute nuk ishte fundi i një programi, por fillimi i një epoke të re të zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës.

Në vitin 2026 Kina krijoi një fond të posaçëm koordinimi fiskal-financiar prej 100 miliardë juanësh (14.5 miliardë dollarë amerikanë) për të nxitur kërkesën e brendshme përmes masave që përfshijnë subvencione të interesit të kredisë, garanci financimi dhe kompensim rreziku. Qëllimi është të stimulohet konsumi, të mbështeten grupet me të ardhura të ulëta dhe të nxiten nxitës të rinj të rritjes (p.sh., sektorët e gjelbër, digjitalë dhe të shëndetësisë). Në të njëjtën kohë, këto fonde publike do të përdoren për të nxitur punësimin dhe për të mbështetur tranzicionin drejt rigjallërimit rural, duke garantuar akses më të mirë për banorët e zonave rurale në shërbime publike, kujdes shëndetësor dhe arsim.

Pesë vjet pasi shpalli një fitore të plotë mbi varfërinë absolute, Kina tani po hap rrugën për të normalizuar përpjekjet e saj për parandalimin e varfërisë. Edhe “Dokumenti qendror nr. 1” për vitin 2026 ofron një kornizë sistematike për përpjekjet e vazhdueshme të vendit për të parandaluar një rikthim në varfëri, së bashku me fokusin e saj tradicional në çështjet bujqësore dhe rurale. Tre fokuse, të njohura edhe si “tre çështjet rurale”, mbeten përparësia kryesore, pasi zhvillimi i bujqësisë dhe zonave rurale është tema kryesore e punës së qeverisë. Objektivat kryesore si rritja e të ardhurave të fermerëve dhe siguria ushqimore mbeten thelbësore.

Profesor Hu Xiangdong, drejtor i Institutit të Ekonomisë dhe Zhvillimit Bujqësor në Akademinë Kineze të Shkencave Bujqësore shprehet se rajonet që janë nxjerrë nga varfëria shpesh përballen ende me kufizime, si infrastruktura e dobët, kapitali njerëzor i kufizuar dhe bazat e brishta industriale. Ndihma e shënjestruar përqendrohet në mbajtjen e vrullit për zhvillim të vetëmjaftueshëm. Duke forcuar mbështetjen industriale dhe duke përmirësuar kapacitetet lokale, punësimi dhe të ardhurat lokale mund të rriten. Dinamika unike e Kinës midis sektorit publik dhe privat mundësoi më shumë mënyra për rajonet e prekura së fundmi nga lehtësimet financiare për të mbështetur një rritje të shëndetshme. Duke çiftëzuar provincat e pasura lindore me perëndimin e pasur me burime, shteti krijon një urë lidhëse për ndarjen rurale-urbane.

Po pas përmbylljes së periudhës së tranzicionit, vjen një rikalibrim i fokusit qeveritar. Ministri i Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale Han Jun tha se Kina do të institucionalizojë parandalimin e varfërisë përmes monitorimit të hershëm, ndihmës së synuar dhe zhvillimit industrial afatgjatë. Politikat do të mbeten përgjithësisht të qëndrueshme, ndërsa mbështetja do të zhvendoset drejt përmirësimit të industrive lokale, zgjerimit të punësimit dhe forcimit të sistemeve të sigurimeve shoqërore. Gjatë pesë viteve të fundit, mekanizmat e parandalimit të varfërisë janë bërë një komponent i strategjisë së rigjallërimit të zonave rurale kufitare. Periudha e tranzicionit ka ruajtur vrullin ekonomik të grupeve të nxjerra nga varfëria dhe ka parandaluar me vendosmëri çdo regres në shkallë të gjerë drejt varfërisë.

Themelet e një stabiliteti të ri

Qeveria qendrore është përqendruar vazhdimisht në çështjet më urgjente me të cilat përballet populli, dhe themeli për zbutjen e varfërisë është bërë më i fortë. Standardet e qeverisë për zbutjen e varfërisë kanë përfshirë “dy siguri dhe tre garanci” si tregues kryesorë vlerësimi, duke përfshirë garancitë e ushqimit, veshmbathjes, arsimit të detyrueshëm, kujdesit bazë mjekësor dhe sigurisë së strehimit.


Konferenca Kombëtare e Vlerësimit të Arritjeve në Zhdukjen e Varfërisë, shkurt 2021, Pekin/Foto nga Xinhua


Nxënësit e Shkollës Fillore Eksperimentale të Lhasës, në Rajonin Autonom të Xizang-ut/Foto nga VCG

Këto themele tani po institucionalizohen. Në arsim, janë vendosur mekanizma për të parandaluar që fëmijët në moshë shkollore të braktisin shkollën për shkak të financave familjare. Në kujdesin shëndetësor, një rrjet sigurie i sigurimit bazë mjekësor, mbulimit të sëmundjeve të rënda dhe ndihmës mjekësore funksionon në sinergji për të siguruar që një sëmundje e papritur të mos e tërheqë një familje përsëri në varfëri. Sigurimi i themeleve për zbutjen e varfërisë varet nga mekanizma të fuqishëm. Gjatë periudhës së tranzicionit, mekanizmi i monitorimit dhe ndihmës për parandalimin e rikthimit në varfëri është përmirësuar vazhdimisht.

Për të arritur të gjitha këto, një vizion i qartë kombëtar është thelbësor. Lidershipi i Kinës e bëri zhdukjen e varfërisë një përparësi kryesore reale, jo vetëm një qëllim politik. Kuptimi i shkaqeve rrënjësore të varfërisë lejon zgjidhje efektive. Përdorimi i të dhënave të detajuara nga Kina siguroi që ndërhyrjet të ishin relevante dhe të qëndrueshme. Arsimi ishte i panegociueshëm. Kina zbatoi politika të rrepta për të mbajtur çdo fëmijë në shkollë, zgjeroi arsimin e mesëm falas dhe theksoi zhvillimin e aftësive, një mësim që shumë vende mund ta përvetësojnë për të forcuar kapitalin njerëzor. Krijimi i vendeve të reja të punës ishte thelbësor. Qeveria mbështeti bujqësinë, prodhimin blegtoral dhe ndërmarrjet e vogla përmes kredive të subvencionuara. Ajo gjithashtu promovoi industritë lokale dhe fabrikat me punë intensive në zonat rurale, duke krijuar vende pune afër shtëpisë. Infrastruktura si rrugët, energjia elektrike, sistemet hidrike, ujitja dhe lidhja me brez të gjerë u ndërtuan për të integruar komunitetet e largëta në tregjet kombëtare dhe për të hedhur themelet për rritje të qëndrueshme.

Qeverisja dhe llogaridhënia e fortë siguruan integritetin e të gjithë programit. Përgjegjësitë e qarta, masat kundër korrupsionit dhe vlerësimet e rregullta e mbajtën misionin në rrugën e duhur. Varfëria është një sfidë globale dhe arritjet e Kinës në zbutjen e saj janë të rëndësishme jo vetëm për një vend, por për mbarë botën. Ekspertët ndërkombëtarë e kanë vënë re, dhe kanë vërejtur se progresi i Kinës në uljen e varfërisë është “i pakrahasueshëm”. Ndërsa Kina tani po lëviz drejt rigjallërimit gjithëpërfshirës rural, balancimi i ndihmës së jashtme me aftësitë e zhvillimit të brendshëm është thelbësor, duke hedhur një themel më të qëndrueshëm dhe duke krijuar më shumë mundësi për rajonet dhe popullatat e prekura nga varfëria.

Së fundmi, suksesi i Kinës vërteton se varfëria mund të luftohet dhe të mbahet larg. Përmes vizionit, lidershipit, punës së palodhur dhe vendosmërisë, një komb mund të ndërtojë prosperitet të përbashkët. Deri në vitin 2021, Kina e kishte përmbushur premtimin e saj për të mos lënë askënd pas, duke vendosur një shembull të fuqishëm për vendet në zhvillim që ende luftojnë varfërinë e përhapur. Përvoja e Kinës qëndron si provë e gjallë se me modelin, angazhimin dhe bashkëpunimin e duhur, progresi është i mundur.

Në rrugën e prosperitetit të përbashkët, askush nuk do të mbetet pas, dhe nuk do të kthehet pas. Nga zhdukja e varfërisë absolute deri në konsolidimin e rezultateve dhe rigjallërimin rural, makineria shtetërore kineze nuk është ndalur, dhe premton se nuk do të ndalet edhe në të ardhmen.

Burimi CGTN

Rama: Plan konkret investimesh për akreditimin e laboratorëve të kontrollit të qumështit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka një plan konkret investimesh për akreditimin e laboratorëve të kontrollit të qumështit…

Global 360

Konjufca në Forumin e Diplomacisë në Antalia, thekson mbështetjen e Turqisë dhe dialogun rajonal

Në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antali, kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të…

Diplovista

Rama për “Il Giornale”: Shumë vende evropiane e kanë kërkuar, por marrëveshja për migrantët vlen vetëm për Italinë

Të hysh në studion e Edi Ramës është një goditje e papritur. Pasi i nënshtrosh.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Shqipëria në BE, projekt më i madh se amaneti i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Plan konkret investimesh për akreditimin e laboratorëve të kontrollit të qumështit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka një plan konkret investimesh për akreditimin e laboratorëve të kontrollit të qumështit…