
Salla: 10 miliardë lekë investime për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet për periudhën 2025-2027
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare “ALBANIA WATER 2030”

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare “ALBANIA WATER 2030”, së bashku me ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj, ambasadorin e Spanjës, rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të CIHEAM Zaragoza dhe ekspertë të fushës, ku u diskutua mbi menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore, modernizimin e sistemeve të ujitjes dhe përballimin e sfidave të ndryshimeve klimatike në sektorin bujqësor.
Në fjalën e tij, ministri Salla theksoi se modernizimi i bujqësisë kërkon investime afatgjata dhe politika të mbështetura në ekspertizë shkencore, duke bërë të ditur se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural financon çdo vit mbi 3 miliardë lekë për infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet, ndërsa për periudhën 2025-2027 vlera e investimeve arrin në 10 miliardë lekë.
“Modernizimi i bujqësisë kërkon vizion afatgjatë, investime të qëndrueshme dhe politika të mbështetura në dije dhe ekspertizë shkencore. Çdo vit, financojmë mbi 3 miliardë lekë për këto tri fusha, me synimin për të përmirësuar shërbimin ndaj fermerëve dhe për të rritur qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor”, u shpreh Salla.
Duke u ndalur te sfidat e ndryshimeve klimatike, Salla nënvizoi nevojën për investime që shkojnë përtej rehabilitimit të infrastrukturës ekzistuese, duke u mbështetur në studime shkencore, analiza të bilanceve ujore dhe zgjidhje teknologjike të përshtatura me karakteristikat e territorit.
Në këtë drejtim, ai evidentoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve ujëmbledhëse dhe kalimit drejt sistemeve moderne të ujitjes me presion, duke sjellë si shembuj projektet e mbështetura nga Banka Botërore në Divjakë dhe në zonën Mursi – Konispol, si dhe ndërhyrjet në sistemet e kullimit në Maliq dhe Torovicë.
Një tjetër fokus i konferencës ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe kërkimit shkencor. Ministri Salla theksoi se partneriteti me Universitetin Bujqësor të Tiranës do të shtrihet në studime të përbashkëta, identifikimin e problematikave në terren, vlerësimin e alternativave teknike dhe monitorimin e rezultateve të investimeve.
“Së bashku me UBT po ndërtojmë një partneritet më të strukturuar, që të përfshijë studime të përbashkëta, identifikimin e problematikave në terren, vlerësimin e alternativave teknike dhe monitorimin e rezultateve të investimeve. Kjo do të na ndihmojë të marrim vendime më të sigurta, të përdorim me më shumë efikasitet fondet publike dhe të sigurojmë që politikat tona t’u përgjigjen nevojave reale të sektorit”, theksoi Salla.
Salla nënvizoi se menaxhimi më efikas i burimeve ujore dhe investimet e mbështetura në dije janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe ekonomisë rurale.
“Kemi përgjegjësinë që potencialin bujqësor të Shqipërisë ta shndërrojmë në më shumë prodhim dhe mirëqenie për zonat rurale”, përfundoi Salla.
Marrë nga ATSH



















