
Karakaçi: Financim i plotë i projekteve prioritare në infrastrukturë dhe energji
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur sot se buxheti i vitit 2027 për këtë ministri garanton financimin e plotë të projekteve prioritare në infrastrukturë dhe energji.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur sot se buxheti i vitit 2027 për këtë ministri garanton financimin e plotë të projekteve prioritare në infrastrukturë dhe energji.
Karakaçi theksoi se buxheti 2027 parashikon investime në akset rrugore dhe për ujësjellës-kanalizimet në të 12 qarqet.
“Vijojmë të investojmë në zhvillimin e vendit, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ky është një buxhet që duke ruajtur tavanet buxhetore garanton financimin e plotë të projekteve infrastrukturore dhe energjetike të Ministrisë”, theksoi ai.
Ministri Karakaçi bëri të ditur se në infrastrukturën rrugore ndër projektet më të rëndësishme janë vazhdimi i ndërtimit të bajpasit të Elbasanit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës që në këtë buxhet përmbyllet plotësisht dhe rikonstruksioni i rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, një projekt plotësisht i financuar.
“Për këto projekte buxhetimi në vitin 2027 garanton ritëm më të shpejtë në realizimin e tyre. Investime të rëndësishme parashikohen edhe në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Me një buxhet total prej 15 miliardë lekësh do të financohen 14 projekte për ndërtimin e ujësjellësve dhe 8 projekte për kanalizimet dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura me shtrirje në të 12 qarqet e vendit”, informoi ai.
Sipas ministrit Karakaçi, buxheti 2027 është instrument zhvillimi që investon drejtpërdrejt në ekonomi, në lidhjen e territorit dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. “Një buxhet që investon në zhvillimin e Shqipërisë dhe në të ardhmen e saj duke mbështetur plotësisht modernizimin e vendit dhe përmbushjen e standarteve për anëtarësimin Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Burimi ATSH



















