
Rama: Në Vlorë ku Punët e Shqipërisë flasin vetë dhe sezoni turistik pritet me optimizëm
Kryeministri Edi Rama, ishte sot në qytetin e Vlorës, nga ku pa nga afër përgatitjet për sezonin turistik dhe punën e bërë në terren nga autoritetet lokale

Kryeministri Edi Rama, ishte sot në qytetin e Vlorës, nga ku pa nga afër përgatitjet për sezonin turistik dhe punën e bërë në terren nga autoritetet lokale.
Kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale ndau një foto së bashku me drejtuesin politik të qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, ku shkruan se “në Vlorë Punët e Shqipërisë flasin vetë dhe sezoni turistik pritet me optimizëm e me punë në çdo drejtim”.
Gjatë ditës së sotme kreu i qeverisë inspektoi ecurinë e punimeve në shëtitoren bregdetare “Lungomare 4”, ku vijon puna për të përmirësuar cilësinë e hapësirave publike në zonat me potencialin më të lartë turistik të qytetit, e frekuentuar nga vizitorë vendas e të huaj.
“Lungomare 4” është vazhdimi i shëtitores ekzistuese në krahun perëndimor, me një gjatësi fillestare prej rreth 500 metrash linear.
Projekti parashikon ndërtimin e një promenade me gjerësi rreth 7 metra, si dhe një piste biçikletash prej 2 metrash, duke krijuar një hapësirë funksionale dhe të integruar për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.
Shëtitorja “Lungomare 4” është pjesë e një strategjie më të gjerë për transformimin urban të Vlorës, duke synuar rritjen e cilësisë së jetës, përmirësimin e aksesueshmërisë dhe forcimin e potencialit turistik të qytetit.
Vizita në Vlorë e kryeministrit Edi Rama është në kuadër të takimeve me qytetarët në funksion të turit “Punët e Shqipërisë”.
Burimi ATSH



















