
Rama: Sektori i ndërtimit jo skenë krimi, provë e një transformimi të madh
Bashkë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me sipërmarrësit për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sektori i ndërtimit po luan një rol kyç në transformimin ekonomik e social të Shqipërisë.
Bashkë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me sipërmarrësit për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare.
Duke u ndalur tek akuzat e hedhura për pastrim parash në sektorin e ndërtimit, Rama u shpreh se ata që akuzojnë, problemin e kanë me mungesën e kapacitetit për t’ia pranuar Shqipërisë suksesin, duke qenë shqiptarë vetë.
“Mund të thuash për qeverinë çfarë të duash, mund të mos jesh dakord, ta kritikosh e ta luftosh me opinionet politike, por ama, si të mos ia pranosh suksesin?! Kjo është e pamundur këtu”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në të gjitha apartamentet që po ndërtohen rrinë njerëz dhe jo pastrues parash dhe kjo e rrit ekonominë.
“E kemi filluar me 300-400 milionë euro investime të huaja dhe sot kemi mbi 1,5 miliardë euro në vit. Si ka mundësi që të huajt vijnë dhe blejnë këtu në Shqipëri dhe do blejnë edhe më shumë nga këto ndërtime”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, ndërtimet krijojnë energji pozitive dhe besim e atraksion, nuk janë thjesht fjetore për të futur kokën.
“Integrimi në BE do të thotë që këtu, si kudo tjetër, të bëhen shtëpi, të hapen biznese, të çohen fëmijët nëpër shkolla, edhe ata që vijnë nga vende të tjera”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se këto ndërtime janë një provë e ambicies dhe fuqisë që ka Shqipëria për të realizuar ambiciet e veta.
“Nuk janë skena krimi, janë prova të një transformimi të madh. Si u rrit Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Shqipërisë? Ishte nën 10 miliardë euro kur ne morëm detyrën, sot është 27 miliardë. Ndërkohë të ardhurat për frymë ishin më pak se 3 mijë euro dhe sot janë mbi 11 mijë euro dhe do të vazhdojnë të rriten”, shtoi Rama.
Burimi ATSH



















