
Dhuka: Kemi filluar punën për përmbylljen e kapitujve të anëtarësimi në BE
Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka u shpreh sot se Shqipëria është në rrugën e duhur drej familjes evropiane për të përmbyllur kushtet dhe kriteret e anëtarësimit deri në fund vitit 2027.

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka u shpreh sot se Shqipëria është në rrugën e duhur drej familjes evropiane për të përmbyllur kushtet dhe kriteret e anëtarësimit deri në fund vitit 2027.
Në takimin ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë, Dhuka tha se “Shqipëria ecën me hapa të sigurt dhe konsistent, pa asnjë ndërprerje, në rrugën drejt familjes evropiane, si në përgatitjen teknike ashtu edhe në pikëpamjen e vullnetit politik të reformave të qeverisë dhe të gjithë institucioneve”.
“Shqipëria ka marrë mbështetjen e BE-së si nga Komisioni Evropian, ashtu edhe nga vendet anëtare. Megjithatë, shumë punë është përpara për t’u bërë deri në vitin 2027, por edhe më pas, deri në fund të dekadës, kur aspirojmë të kemi përmbushur kriteret për të qenë anëtar i familjes evropiane”, tha Dhuka,
Sipas Dhukës, gjatë vitit të kaluar, Shqipëria i çeli negociatat për të gjitha grupimet e kapitujve, me një ritëm sistematik, një grupim çdo 2-3 muaj, ndërsa tha se ky ritëm është i rëndësishëm që të ruhet për efekt të qëllimit që vendi ynë ka.
“Kushtet e ndërmjetme janë kërkesa të veçanta reformash dhe arritjesh, sidomos në lidhje me sigurinë dhe rendin, luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Të gjithë ministrat dhe negociatorët realizuan në masë të madhe të gjitha kërkesat dhe Shqipëria e mbylli këtë fazë në janar të këtij viti. Shqipëria ka marrë edhe vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian në shkurt të këtij viti dhe gjatë muajit mars, vendet anëtare po diskutojnë çdo javë në lidhje me përmbushjen e kushteve për rendin, sigurinë dhe të drejtat e njeriut nga Shqipëria. Presim me besim dhe durim edhe vlerësimin e vendeve anëtare në javët në vijim”, theksoi ajo.
Ministrja Dhuka tha se “me marrjen e vlerësimit pozitiv edhe nga vendet anëtare, Shqipëria duhet të kalojë në fazën tjetër, atë të mbylljes së kapitujve një nga një, gjithsej 33 kapituj”.
“Ne kemi filluar punën sa i përket kushteve për mbylljen e kapitujve. Me çeljen e negociatave për anëtarësim, BE i ka dhënë Shqipërisë kushtet për mbylljen e negociatave për 31 nga 33 kapitujt. Në lidhje me dy kapitujt që janë rendi dhe drejtësia, ato do t’i jepen Shqipërisë pas miratimit të raportit të pikave të ndërmjetme, i cili është në proces”, vijoi Dhuka.
“Në mënyrë paralele, edhe gjatë vitit 2025 kemi punuar për plotësimin e kushteve për mbylljen e negociatave. Shqipëria është proaktive dhe vepron paraprakisht për përgatitjen teknike, dhe kjo është arsyeja pse realizohen në kohë të gjitha rezultatet e reformave, sepse punohet në shumë fronte dhe në shumë institucione njëkohësisht”, pohoi Dhuka.
Ministrja Dhuka tha se “puna është komplekse, jo e komplikuar, me përjashtim të disa rasteve që për nga natyra janë të tilla”.
“Puna shtrihet në 157 institucione në dy nivele: Shqipëri dhe BE. Me rëndësi të veçantë është ndërtimi i pranimit të çdo reforme si nga grupet e interesit dhe publiku, ashtu edhe nga institucionet zbatuese, Kuvendi dhe Komisioni Evropian. Shqipëria i ka përmbushur 24 kushtet e ndërmjetme, ndryshe 92 hendekë kritikë. Deri tani, Shqipëria ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave pasi ka përmbushur 24 kushtet e ndërmjetme”, tha Dhuka.
Burimi ATSH


















