
Rama: Shqipëria dënon ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë
Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmin me raketë balistike të regjimit iranian kundër Turqisë

Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmin me raketë balistike të regjimit iranian kundër Turqisë, ndërsa u shpreh se “Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë Aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama theksoi se Turqia është një vend mik dhe një partner strategjik i Shqipërisë dhe një Aleat i çmuar i NATO-s.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht shqetësues dhe thekson edhe më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama theksoi se përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
Veprime të tilla, sipas tij, “rrezikojnë ta përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”.
Kryeministri vlerësoi po ashtu reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtje të territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës.
/Marrë nga ATSH

















