
Sula: Tolerancë zero ndaj atyre që nuk zbatojnë ligjin për sigurinë ushqimore
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula deklaroi sot tolerancë zero ndaj çdo subjekti që nuk respekton ligjin në fushën e sigurisë ushqimore.

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula deklaroi sot tolerancë zero ndaj çdo subjekti që nuk respekton ligjin në fushën e sigurisë ushqimore.
Sula mori pjesë në analizën vjetore të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), ku vuri theksin tek problematikat që prekin ende veprimtarinë e AKU-së, duke kërkuar një angazhim edhe më të madh në çdo hallkë të kontrollit ushqimor.
Sula nënvizoi rëndësinë që zë procesi i integrimit në fushën e sigurisë ushqimore. Në këtë kuadër, ai kërkoi forcimin e kapaciteteve në të gjithë zinxhirin ushqimor, që nga prodhimi deri në hallkën e fundit që është konsumi.
Garancia, cilësia dhe higjiena, sipas tij, “duhet të garantohen dhe për këtë kërkohet të shtohen edhe më shumë përpjekjet për misionin e përbashkët, zbatimin e ligjit”.
Gjatë vitit 2025, AKU ka rritur përpjekjet për forcimin e rolit të tij në kontrollin dhe mbikëqyrjen e zinxhirit ushqimor, nga prodhimi dhe përpunimi deri te tregtimi i produkteve ushqimore.
Ligji “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ka sjellë një qasje të re më bashkëpunuese dhe parandaluese në procesin e inspektimeve, duke vendosur theksin tek analiza e riskut, transparenca dhe standardizimi i procedurave të kontrollit.
Fokusi kryesor i veprimtarisë inspektuese është përqendruar në sektorë me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik, përfshirë kontrollin e produkteve me origjinë shtazore dhe bimore, monitorimin e kushteve higjieno-sanitare në subjektet e prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve, mbikëqyrjen e importit të produkteve ushqimore, si dhe verifikimin e standardeve të etiketimit, transportit dhe ruajtjes së tyre.
Po ashtu, një vëmendje e veçantë i është kushtuar luftës kundër informalitetit në tregun ushqimor dhe garantimit të gjurmueshmërisë së produkteve.
Burimi ATSH



















